Kërko

Presidenti rus Vladimir Putin Presidenti rus Vladimir Putin

Ukrainë, Putin njeh republikat separatiste. Sanksione nga SHBA-të

Shkallëzim i krizës Ukrainë-Rusi pas fjalimit të presidentit rus Putin, drejtuar kombit. Trupat e Moskës dërgohen përtej kufirit, ndërsa bashkësia ndërkombëtare përgatit kundër-lëvizjet diplomatike. Porta mbetet e hapur për dialogun aq shumë të dëshiruar nga Papa Françesku, për të cilin lufta është “çmenduri”

R.SH. – Vatikan

Duke i folur kombit të hënën në mbrëmje (21 shkurt), presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret, me të cilin Moska njeh republikat separatiste ukrainase të Luganskut dhe Donetskut, në Donbas. Kreu i Kremlinit dërgoi edhe forca të armatosura në rajon, zyrtarisht për të siguruar paqen. Përgjigje e qartë nga Kievi: nuk do të shesim asnjë metër të vendit tonë.

Fjalimi i presidentit Putin

“Ukraina është pjesë e historisë, kulturës dhe fesë së Rusisë”, pohoi Putin para kombit. “Situata në Donbas”, vazhdoi ai, “është përsëri kritike” e nevojiten vendime urgjente. Prandaj, pas kërkesave të Dumës dhe të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, presidenti njohu zyrtarisht pavarësinë e dy republikave separatiste. Kreu i Kremlinit vuri në dukje se në dokumentet zyrtare të Aleancës Atlantike, Rusia përshkruhet si kërcënim kryesor për sigurinë. SHBA-të dhe NATO-ja, nënvizoi ai, veprojnë duke e konsideruar Ukrainën si teatër të aksioneve të mundshme ushtarake. “Sistemet ukrainase të komandimit”, pohoi Putin, “tashmë janë integruar me ato të Paktit Atlantik”.

Sanksionet e para nga SHBA-të

Ndër reagimet e para pas fjalimit të presidentit Putin, SHBA-të dhe presidenti i tyre Joe Biden zgjodhën rrugën e proporcionalitetit, duke vendosur sanksione vetëm kundër dy provincave separatiste ukrainase. Kjo u bë për të mos prishur aleancën me evropianët më të kujdesshëm, që varen nga furnizimet me gazin rus, por edhe për të mbajtur hapur dritaren e dialogut diplomatik, që ndoshta, mund të rifillojë me takimin e mundshëm të së enjtes ndërmjet Sekretarit të Shtetit amerikan Blinken dhe Ministrit të jashtëm rus Lavrov. Fjalimi i presidentit Putin u interpretua si kërcënim për të pushtuar gjithë Ukrainën, por ndihet edhe shqetësimi për vendet e ish-Traktatit të Varshavës, që tani bëjnë pjesë në NATO, prandaj i nënshtrohen nenit 5, i cili përcakton detyrimin e mbrojtjes reciproke.

Papa: “lufta është çmenduri”

Gjithë bashkësia ndërkombëtare po punon për t’i bërë ballë kësaj faze të re të krizës në Ukrainë. “Rreziku i një konflikti është real dhe duhet të parandalohet me çdo kusht”, deklaroi zv.sekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, në hapjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjatë natës. Mbetet një hapësirë për dialog, për të cilën Papa ka bërë disa thirrje javët e fundit. Edhe në Engjëllin e Tënzot të së dielës së kaluar, Françesku shprehu trishtimin e madh për ato raste kur “njerëz dhe popuj, krenarë që janë të krishterë, i shohin të tjerët si armiq dhe mendojnë t’u shpallin luftë!”. Jo më larg se 26 janari, Papa pati caktuar një ditë të veçantë lutjeje për paqen në Ukrainë.

22 shkurt 2022, 14:57