Luftë, pas pandemisë: kërcënim për mbarë njerëzimin
R. SH. - Vatikan
Ndokush nuk e beson akoma. Luftë në Evropën e mijëvjeçarit të tretë: duket krejt e pamundur. Po e pamundura po bëhet e mundur... E që në orët e para numërohen shumë të vdekur. Bota i druhet shumë gjakderdhjes së kësaj lufte, që të kujton çka nuk do të dëshironim të kujtohej kurrë më. Të njëjtat viktima të pafajshme. Që do të dëshironin të jetonin në paqe me të tjerët, me të gjithë, edhe pse kanë flamuj të ndryshëm. Po njerëzve të pushtetshëm nuk u interesojnë qytetarët e të ligshtit. Jeta as vdekja e tyre. Pas vuajtjeve të shkaktuara nga pandemia, pas varreve të hapura nga dora e djallit, duken tani gropat e hapura nga dora e njeriut për njeriun! Rifillon kërdia mbi të pafajshmit e me të, rikthehemi në kohën e neronëve!
A munden popujt të rebelohen kundër luftës së njerëzve të pushtetshëm?
Ndokush e ka kuptuar prej kohe rrezikun e një lufte të tretë botërore. Ndonëse besojmë ende se është e pamundur! Vijojmë të mendojmë se njerëzimi nuk mund të jetë çmendur deri në atë pikë, sa të bjerë përsëri në të njëjtën gropë. E sa të harrojë se lufta është marrëzi, jashtë çdo arsyeje. Lufta është pjellë e djallit. Që dëshiron ta shkatërrojë jetën, ta rrënojë botën. Sot ka armë vdekjeprurëse, që i dalin e i teprojnë për t’i realizuar synimet e veta. Demethënë, për të arritur tek e pabesueshmja: fundi i paqes në mbarë botën!
Papa Françesku, i pushtuar nga ankthi e nga shqetësimi i kësaj lufte, kërkon lutje e agjërim për paqen. Nis “beteja” e “ligështisë së lutjes”, kundër fuqisë së armëve. Kush beson se mund të fitojë ligështia e lutjes? Kush synon të përdorë armën e agjërimit, kundër forcës së topave? Lutja na bashkon me Atin e na bën vëllezër, agjërimi na heq diçka, për ta ndarë me të tjetrin, edhe kur tjetri është armik!
Lutja është revolucioni i vërtetë, që ia ndryshon faqen botës, sepse ndryshon zemrat. Kemi pak mjete për t’i përdorur kundër luftës sepse, pa dashur ta shkarkojmë veten nga përgjegjësia – “luftën e ushqen djalli, me urrrejtje, dinakëri, ligësi”. “Ky lloj dreqensh - na kujton Krishti - nuk mund të dëbohet me asnjë mënyrë tjetër, përveç lutjes”.