Kërko

2020.08.04 - Hiroshima Bomba atomica -armi - Nucleare 2020.08.04 - Hiroshima Bomba atomica -armi - Nucleare   (©lukszczepanski - stock.adobe.com)

Popujt mund të zgjedhin lider që punojnë për paqen, ose për vetëshkatërrimin!

Kemi nevojë për vëllazërim! Kurrë më shumë se sot. Kemi nevojë të zbulojmë se jemi vëllezër. E se luftërat nuk i quajmë më të drejta - na kujton Papa Françesku. Kemi nevojë ta ndërtojmë paqen! Të zgjedhim prijës të paqes! T’i zgjedhim! Ose rrezikohemi me vetëshkatërrim!

R. SH. - Vatikan

Një herë e një kohë quheshin luftëra të drejta. Edhe sot ka nga ata që vijojnë t’i quajnë kështu. Mjafton të rreshtosh një listë të shkurtër parimesh, për ta përligjur konfliktin. Mjafton t’i fshehësh me një pretekst çfaretdo interesat dhe etjen për pushet, për të mohuar çka duket sheshit.  “Suksesi” krijon kushtet për t’i lejuar dëmet anësore, rrënimet, viktimat e pafajshme.

Në histori ka qenë edhe një farë teologjie, që i furnizonte zotërinjtë e luftës të të gjitha kohëve me arsye për të shpërthyer konflikte të të gjitha tipeve: mjaftonte që luftën ta shpallte autoriteti i ligjshëm, qoftë edhe për ndonjë  çikje nderi. Sigurisht që Hitleri duhej ndaluar. Terroristët duhen ndaluar. Të ligshtit duhen mbrojtur. Nuk ka paqe të vërtetë, pa drejtësi e pa liri!

E pra sot,  më shumë se kurrë, kemi nevojë për profetë të paqes, për burra e gra që bëjnë heroizma të reja, të pamendueshme në mes të dhunës, e shndërrohen, kështu, dritë për njerëzimin, duke e luftuar luftën me armët  e butësisë, si Shën Françesku i Asizit, shtegtar pa kurfarë mbrojtjeje  gjatë kryqëzatave, me Ungjillin në dorë përballë Sulltanit! Si Martin Luther King e Gandhi, që i bënë ballë forcës me ligështi. Si Dorothy Day e Nënë Tereza, që nuk e luftuan përjashtimin nga radhët e shoqërisë me urrejtje, por me drejtësi e dashuri.

Sot kemi nevojë për prijës, që bëjnë gjëra të reja. Që nuk i përsërisin pambarimisht të njëjtat fjalë, llaka…llaka,..llaka…, me pasojë të njëjtat luftëra të vjetra! Kemi nevojë për një ndërgjegje të re të popujve,  që askush të mos guxojë t’i gënjejë më me fjalë boshe, të cilat synojnë t’i prekin zemrat: nuk na duhen më fjalët. Na duhen faktet e paqes.

Përgjegjësia e secilit prej nesh sot është shumë më e madhe, sesa ishte në të kaluarën, sepse fuqia shkatrrimtare e armëve mund të shndërrohet në vetëvrasjen e njerëzimit.  Janë popujt ata, që duhet të prijnë! Ata, që  duhet të zgjedhin një politikë profetike. Popujt, të aftë për t’i shndërruar shpatat në palla parmendash e heshtat në drapërinj.

Kemi nevojë për vëllazërim! Kurrë më shumë se sot. Kemi nevojë të zbulojmë se jemi vëllezër. E se luftërat nuk i quajmë më të drejta - na kujton Papa Françesku. - Kemi nevojë ta  ndërtojmë paqen! Të zgjedhim prijës të paqes! T’i zgjedhim! Ose  rrezikohemi me vetëshkatërrim!

18 shkurt 2022, 14:39