Kazakistani i mbërthyer në darë: grusht i hekurt kundër revoltës për gazin
R.SH. - Vatikan
“Rendi kushtetues u rivendos gjerësisht”. Kassym-Jomart Tokayev, president i Kazakistanit, përfshirë në revoltë, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit e të gazit, kërkoi ndërhyrjen e Rusisë, e cila, më 6 janar, filloi një operacion “peace keeping” (paqeruajtës), ku marrin pjesë Forcat e Vendeve të Traktatit Kolektiv të Sigurisë (CSPO). Si rezultat, në Kazakistan janë dërguar 2.500 ushtarë.
Reagimet e Rusisë e të Kinës
E rreth këtij shteti kyç për prodhimin energjitik botëror, destabilizimi i të cilit do të ndikonte fuqishëm në furnizimet globale, ngrihet edhe mburoja e reagimeve ndërkombëtare. Që nga Rusia tek Kina – kolosë kufitarë me ish-republikën e pasur sovjetike – e madje, deri në Iran, dëgjohet një zë i vetëm. Solidaritet me udhëheqjen e vendit, i cili qenkësh nën sulmin e “aktorëve të huaj” (thotë Teherani), ose të “forcave të huaja” (thotë Pekini).
Prandaj, duhet bërë gjithçka për të rivendosur ekuilibrin në një nga vendet nevralgjike të tregut energjitik botëror – treg, që e kanë zënë ethet nga e marta e deri më sot. Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, njoftoi – pa u përgënjeshtuar nga askush – se dërgimi i njësive “paqeruajtëse” në Kazakistan garantohet “pa ndërprerje” nga një urë ajrore prej 70 avionësh. Fraza i atribuohet ministrit të Mbrojtjes.
4 mijë arrestime e 26 viktima
Fotografia e gjendjes shihet më së miri nga 4 mijë arrestimet e kryera nga autoritetet kazake, nga 26 manifestuesit e vdekur dhe nga 18 të plagosurit (përcaktuar si “banditë”, “militantë të armatosur”, “terroristë”), si edhe nga 18 policët e vrarë gjatë përleshjeve. Ish-kreu i Bankës BTA, Mukhtar Ablyazov, i strehuar në Francë si refugjat politik, deklaroi se është në krye të lëvizjes së protestës e se është gati të kthehet në vend për të kryesuar një qeveri të përkohshme. Por, as që flitet për bisedime ndërmjet palëve, pavarësisht nga ftesa e Bashkimit Evropian për të qetësuar gjakrat. Presidenti Tokayev ishte më se i qartë. Sipas tij, “20 mijë banditë kanë sulmuar Almaty” (qendra ekonomike e vendit). E ftesave për ndërmjetësim, iu përgjigj me urdhrin presidencial “për të shtënë pa paralajmërim e për të vrarë”. Gjithashtu, presidenti falënderoi homologun e tij rus Vladimir Putin dhe atë kinez, Xi Jinping: të parin, për dërgimin e trupave; të dytin, për fjalët në mbështetje të “rivendosjes së rendit pas kaosit”.
Reagimi i SHBA-ve
Duke e ndjekur më vëmendje të jashtëzakonshme situatën, SHBA-të, përmes zëdhënësit të deparatamentit të shtetit, Ned Price, paralajmëruan se “po e ndjekin” gjendjen për të verifikuar abuzimet e mundshme kundër të drejtave të njeriut nga ana e trupave ruse në Kazakistan. E vigjëlojnë edhe mbi veprimet, që mund të krijojnë bazat për “kontrollin e institucioneve të Kazakistanit” nga ana e Rusisë.
Rritet çmimi i karburantit
Tani për tani, çmimet e lëndëve të para minerare dhe të karburanteve në tregjet ndërkombëtare po e ndiejnë mjaft situatën. Në tregjet evropiane dhe britanike, çmimi i gazit është rritur. E, nëse kriza vijon, parashikohet edhe rritja e çmimit të uraniumit, për të cilin Kazakistani është një nga prodhuesit më të mëdhenj të globit. Kështu, kriza humanitare kazake mbërthehet në darët e interesave ndërkombëtare.