Kërko

Gjergj Kastrioti Skënderbeu nё 554-vjetorin e vdekjes

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet. Me Kuvendin e Lezhës më Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar – as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit

R.SH. – Vatikan

Më 17 janar shënohet përvjetori i 554 i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (6 maj 1405 - 17 janar 1468), heroit kombëtar të popullit shqiptar, Atletit të Krishtit, arbënorit e të krishterit të flaktë, sikur e quajtën Papët e Romës.

Si çdo vjet, më datën 17 janar,  populli shqiptar e përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, në ditë e kalimit të tij në amshim. Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e asaj kohe. Kështu, për 25 vjet me radhë, Gjergj Kastrioti e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e pengoi, madje e ndaloi edhe ekspansionin osman drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.

Pastaj duhet përmendur se, me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti vuri edhe themelet e një Shteti Arbër të organizuar – as para tij, as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit.

Pra, në qiellin shqiptar emri i Gjergj Kastriotit ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve, për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin, vlerat dhe  për t’i hapur rrugën e përparimit të mirëfilltë. 

Ipeshkvijtё e Shqipërisë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun

Nё mesazhin e tyre me rastin e 550-vjetori tё vdekjes sё Gjergj Kastriotit,  janar 2018, Ipeshkvijve e Kishёs katolike tё Shqipёrisё, për Vitin jubilar kushtuar Skënderbeut, duke përmendur fjalët me të cilat Papët e Romës e përshkruanin Gjergj Kastriotin dhe veprën e tij, e ftuan popullin të reflektojë për rëndësinë e bëmave të Skënderbeut sot, në ditët tona.

Ja njё fragment nga mesazhi i Konferencës Ipeshkvnore Katolike tё Shqipёrisё i Jubileut kushtuar Skёnderbeut, nё fjalёt e  zëdhënësit tё Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, dom Mark Shtjefni:

Fjalёt e zëdhënësit tё Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, dom Mark Shtjefni

 “550 vjetori i vdekjes së tij është një rast reflektimi rreth ndjenjave të atdhedashurisë dhe sidomos të aspiratave të lirisë së popujve dhe të njeriut si individ. Liria është ndër të drejtat më thelbësore të një populli, të grupeve shoqërore dhe të individëve. 

Thënia lapidare që i atribuohet Skënderbeut në momentin e mbërritjes së tij në trojet arbërore, se lirinë nuk e kishte sjellë, por e kishte gjetur aty, tregon se liria i rrin natyrshëm çdo njeriu dhe çdo populli. Çdokush që lufton për lirinë e një populli në fakt promovon atë çka i përket në thelb natyrës njerëzore dhe që e bën bashkëjetesën njerëzore më të mundshme dhe të bukur.

Ne duam të falënderojmë Zotin që, falë burrave dhe atdhedashësve si Skënderbeu, sot kemi lirinë, kemi një atdhe… Skënderbeu nuk harroi rrënjët e tij shoqërore dhe shpirtërore, as u josh nga pushteti që i jepej. Si i tillë Skënderbeu nuk i përket vetëm një grupi njerëzish, një krahine apo një feje, por të gjithë atyre që e ndjekin lirinë si një aspiratë të brendshme për të cilën ia vlen çdo sakrificë”.

Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, atdhedashurisë, harmonisë e demokracisë. Kështu u shpreh, mes tjerash, imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i  i ndjerë i Tiranë-Durrësit, në një intervistë, realizuar më 17 janar 2007, për redaksinë shqipe të Radio Vatikanit, ta dëgjojmë një fragment:

Imzot Rrok Mirdita në një intervistë të 17 janarit 2007

Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i i ndjerë i Tiranë-Durrësit, në një intervistë, realizuar më 17 janar 2007, për redaksinë shqipe të Radio Vatikanit

Figura, vepra dhe porosia e Gjergj Kastriotit për shqiptarët, në fjalët e historianit te ndjere Prof. Willy Kamsit, Ambasadorit të parë të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë,  mbajtur  më më 17 janar 2007 në Tiranë pranë Universitetit Zoja Keshillit Mire, ta dëgjojmë një fragment:

Gjergj Kastrioti në fjalët e historianit Prof. Willy Kamsit

Figura, vepra dhe porosia e Gjergj Kastriotit për shqiptarët, në fjalët e historianit te ndjere Prof. Willy Kamsit

Ne vijim, Skanderbegu  sipas At Gjergj Fishtës, nga Fjalimi tij në Konferencën e Paqes (1919)

...“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshet mbi shpinë të rosës”.

Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht, edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndodhive dhe te papritunave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar - dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë - kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ndodhë sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Bota mbarë mbështjellej në zi. Të flegrueme droje, shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkambi të thepisun. Mbi krye flakë i shkëlqen përkrenarja me brena qi, tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse dánë ndër sytë e anmikut. Ai asht fatosi i ndimun, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, si stuhi bore që zdrypë prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, u prin shqyptarëve, qi vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.

Të vertetën ta kallëxon çka ndodhi mbas tij. Mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija.

(Shkëputur nga Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes. Marrë në internet)

17 janar 2022, 10:16