Kërko

Presepe lasciamo riposare la mamma Presepe lasciamo riposare la mamma

Shenjtorët e javës 19 - 26 dhjetor

Liturgjia na kujton se Krishtlindja është afër, shenjat e afrimit të saj janë të dukshme nëpër udhët tona, sheshet tona, e edhe nëpër shtëpitë tona. Këto shenja të jashtme na ftojnë ta presim Zotin, që vjen gjithnjë e troket në portën tonë, troket në zemrën tonë, për të na u afruar; na ftojnë t’i njohim hapat e Tij ndër hapat e vëllezërve, që na kalojnë pranë, posaçërisht atyre më të ligshtëve e më nevojtarëve

R.SH. - Vatikan

E diel 19 dhjetor, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të e të fundit të Kohës së Ardhjes, e gjithnjë mё 19 dhjetor, kalendari kishtar përkujton edhe Papët Shenjtër Urbanin dhe Anastasin. 

Nisi, kështu, një nga javët më gazmore të vitit, që i afrohet fundit plot vezullime, premtime dhe shpresa. Zoti vjen rishtas mes nesh, për të na rinuar ne dhe botën!  E Kisha na fton të gjithëve, ta kremtojmë Solemnitetin e Krishtlindjes pa e harruar protagonistin e festës, do të thotë Jezusin Fëmijë. Pra, për Krishtlindje, t’i bëjmë vend Jezusit. Pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji, me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja.

Të hënën më 20 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Filogonin, ipeshkëv. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti është i durueshëm e i pasur me hir. Prandaj njerëzit vijojnë ta kërkojnë në shekuj, por nganjëherë nuk arrijnë ta gjejnë, sepse për ta gjetur, duhet kërkuar ndërmjetësimi i lajmëtarëve të tij, si Shën Gjon Pagëzuesi. Përndryshe njeriu i ngjet atij që duke pasur etje, e kërkon ujin atje ku nuk gjindet. 

Të martёn më 21 dhjetor, kalendari përkujton Shën Pjetër Kanizin, meshtar jezuit e doktor i Kishës dhe  Shën Mikean Profet.  Liturgjia e ditës na kujton se Jezu Krishti është shëlbuesi i vërtetë i njerëzimit e Maria ua dhuroi të gjithë atyre njerëzve që duan e dinë ta presin në zemër.

Të mёkurёn mё 22 dhjetor, kalendari përkujton Shën Françeskёn Kabrini, virgjër, themeluese e misionareve të Zemrës së Krishtit. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti vijon të bëjë mrekulli gjithnjë e për të gjithë, por njeriu i përvujtë është i aftë ta pranojë dhuratën e Hyjit.

Të enjten më 23 dhjetor, kalendari pёrkujton shën Gjonin e Ketit. Liturgjia e ditës na sjell shembullin e këtij shenjti me jetën dhe misionin e tij, na kujton se në rrjedhë shekujsh nuk kanë munguar kurrë lajmëtarët e Zotit, që na ndihmojnë ta njohim më thellë e ta jetojmë më përkushtueshëm fenë tonë. E dita e sotme na kujton edhe se, pas shtegtimit liturgjik njëvjeçar, jemi shumë pranë cakut: “Ta ngrejmë kokën lart, shpëtimi ynë është fare pranë!”.

Të premten më 24 dhjetor, bie Nata e Madhe e Krishtlindjes.
Në këtë Natë të Shenjtë, Kisha na fton ta dëgjojmë sërish realizimin e profecive mesianike për Jezusin dhe falënderojmë Zotin, që vjen përsëri mes nesh. Hyji deshi të bëhej njeri, duke hyrë në historinë konkrete të njerëzimit. Gjenealogjia e gjatë e fisit të Jozefit na dëshmon se Jezusi Zot i përket popullit hebraik e mbarë njerëzimit.

Me 24 dhjetor kremtojmë lindjen e Foshnjës Hyjnore në Betlehem, kremtojmë festën kur Krishti fëmijë rilind në zemrat e njerëzve, në zemrat e atyre që besojnë e të atyre që nuk besojnë, sepse Zoti vjen në botë për të gjithë, duke u sjellë si dhuratë vetveten.

Të shtunёn më 25 dhjetor, do të kremtojmë Lindjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Është Dita e Madhe e Krishtlindjes, Dita e festës së Mishërimit të Zotit kur gjithçka nis përtëritjen; errësira bëhet dritë e Engjëjt mbi Shpellën e Betlehemit këndojnë: “Lumni Zotit në qiej të larta e paqen në tokë njerëzve, që ai i do!”, ndërsa besimtarët rijetojnë mrekullinë e Betlehemit në Meshët e Mesnatës e të Ditës së Lindjes së Shelbuesit të botës, Jezu Krishtit Zot.

Të dielën e ardhshme më 26 dhjetor, Kisha katolike do tё kremtojё solemnitetin e Familjes Shenjte – që në traditë njihet si ‘Konaku Shenjt’. Po më 26 dhjetor kalendari pёrkujton Shën Shtjefnin, martir i parë i krishterimit.

19 dhjetor 2021, 08:49