Kërko

Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb

Al-Tayyeb: “Fratelli tutti, enciklikë e rëndësishme edhe për myslimanët”

Imami i Madh i Al-Azharit flet në mediat e Vatikanit për marrëdhëniet e tij me Papën Françesku: “Që në minutin e parë të takimit tonë pata konfirmimin se ai është njeri i paqes, me humanitet. Enciklika është thirrje për të krijuar një vëllazërim të vërtetë, ku nuk ka vend për diskriminim, për shkak të ndryshimeve në fe, racë, gjini, ose për shkak të formave të tjera të intolerancës”

ANDREA TORNIELLI

“Secili prej nesh zbuloi sintoninë e madhe të shpirtit e të mendjes përballë krizave, që e mundojnë njeriun bashkëkohor...”. Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Muhammad Al-Ṭayyeb, gjatë vizitës së tij në Romë për të marrë pjesë në disa ngjarje të rëndësishme, së bashku me Papën Françesku dhe me krerë të tjerë fetarë, erdhi në studiot e Radio Vatikanit-Vatican Neës dhe iu përgjigj disa pyetjeve mbi marrëdhëniet e tij me Atin e Shenjtë, një vit pas botimit të enciklikës “Fratelli tutti”.

Drejtori ynë editorial, Andrea Tornielli, që realizoi intervistën, i kërkoi fillimisht të tregojë diçka për miqësinë e tij me Papën e për dialogun ndërmjet të krishterëve e myslimanëve.

Zanafilla mund të gjendet në fillim të marrëdhënieve të Islamit me Krishterimin, kur Profeti Muhamet dërgoi në Abisini, ku mbretëronte mbreti i krishterë Negus, shokët dhe ndjekësit e tij të shtypur e të varfër, që kishin pësuar tortura mizore nga paganët në Mekë. Ky mbret i mirëpriti myslimanët, duke u dhënë strehim dhe mbrojtje, kështu, ata u kthyen në gadishullin arabik vetëm pasi shoqëria myslimane fitoi forcë. Prandaj, ishte e vështirë, madje e pamundur, që ata të vuanin nga torturat, ose të braktisnin fenë e tyre. Këto marrëdhënie ndërmjet Krishtërimit dhe Islamit kanë vazhduar për dhjetë shekuj, herë më mirë, herë më keq, por edhe në periudhat më të errëta, siç janë luftërat dhe konfliktet e armatosura, ka pasur dialog. Filozofia mesjetare është e pasur me këtë trashëgimi. Në epokën aktuale, në Al-Azhar është ngritur një komision për dialogun me Selinë e Shenjtë, që takohet një herë në vit në Vatikan e vitin tjetër në Al-Azhar. Veprimtaria e këtij komisioni u ndërpre për një periudhë prej rreth gjashtë a shtatë vitesh, për të filluar përsëri pas zgjedhjes së vëllait të dashur Papa Françesku. Al-Azhari ia uroi papninë e morëm një përgjigje të bukur nga Françesku. Një përgjigje, që na inkurajoi ta rifillojmë lidhjen. Kështu, vendosa të vij për vizitë tek Papa në Vatikan, në maj 2016. Gjatë kësaj vizite, secili prej nesh zbuloi një sintoni të madhe shpirtërore e mendore për krizat, që e mundojnë njeriun bashkëkohor, në veçanti, të varfrit, jetimët, të sëmurët, vejushat, viktimat e luftërave dhe të pastrehët. Që nga ai çast, nuk pati më asnjë hezitim. Që në minutin e parë të takimit me të, pata konfirmimin se ai është njeri i paqes dhe human. Gjërat shkuan mirë dhe vetëm në tri vjet patëm gjashtë Takime të nivelit të lartë. Në të pestin prej tyre, nënshkruam Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor.

Imami i Madh i Al-Azharit, Al-Tayyeb

Cili është, sipas jush, kontributi më i rëndësishëm i enciklikës së Papës Françesku “Fratelli tutti”? A u intereson mesazhi i saj edhe myslimanëve? – kjo, pyetja tjetër e Andrea Tornielli-t

Kjo enciklikë sigurisht që ka rëndësi të madhe, veçanërisht në këtë kohë, si për myslimanët ashtu edhe për jomyslimanët. Mund të them se kjo enciklikë hyn në kuadrin e takimeve tona dhe është frymëzuar prej tyre. Vetë Papa e përmend, në parathënie më duket. Enciklika shkon në drejtimin e dialogut dhe të bashkëjetesës ndërmjet njerëzve: me pak fjalë, është thirrje për të zbatuar parimet morale të feve e për të krijuar një vëllazërim të vërtetë, ku nuk ka vend për diskriminim në bazë të ndryshimeve të fesë, të traditës fetare, të racës, të gjinisë, ose për forma të tjera të intolerancës. Enciklika është e dobishme për myslimanët e, njëkohësisht, edhe për të tjerët, pasi pohon se të gjithë jemi vëllezër. E Kurani u thotë myslimanëve: keni vëllezër dhe jeni të barabartë si njerëz. Themi se njeriu është i ngjashëm, ose i njëjtë me ne dhe është vëllai ynë në humanitet. Pra, mund të jetë vëlla në fe, por mund të jetë edhe vëlla në humanitet. Kjo është qendra e enciklikës “Fratelli tutti”.

Çfarë mund të bëjnë fetë për paqen, respektin, mirëkuptimin e për luftën kundër terrorizmit, i cili e nëpërkëmb emrin e Zotit, përmes Fetë bazohen në parimin e njohjes së ndërsjellë, të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve dhe e shmangin urrejtjen, konfliktet dhe luftërat kur kjo është e mundur. Në Kuranin e shenjtë ka një këshillë të detyrueshme jo vetëm për myslimanët, por për të gjithë, sepse ajeti fillon me “O njerëz”: “O njerëz, ju krijuam nga një mashkull dhe një femër dhe ju bëmë popuj e fise, që ta njihni njëri-tjetrin”. Qëllimi i krijimit dhe larmia në të është për ta njohur njëri-tjetrin. Kjo këshillë është një nga pikat e përbashkëta të të gjitha feve monoteiste. Le të imagjinojmë një botë, që e kthen në thesar këtë këshillë hyjnore dhe bazohet në parimin e bashkëpunimit e të njohjes së ndërsjellë, duke i respektuar ndryshimet si ligj hyjnor, sipas të cilit i krijoi Zoti njerëzit. Besoj vendosmërisht se shoqëria, që zbaton këtë parim në sferat politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore, nuk mund ta ndiejë kurrë veten të detyruar të hyjë në konflikte, ose në luftë me të tjerët. Do të thosha se nuk është e saktë që fetë e zbuluara nga Zoti i Tejetlartë kanë qenë shkaktare të luftërave, sepse ato që njihen si konflikte në emër të fesë janë në të vërtetë konflikte politike, të cilat ia kanë vjedhur emrin fesë, duke e ngarkuar atë me interpretime të korruptuara për fitime e interesa të kësaj bote, që nuk kanë asnjë lidhje, as nga larg e larg, me fenë e vërtetë. Duhet të them se ata, që sot përhapin urrejtje mes njerëzve dhe praktikojnë dhunën e gjakderdhjen në emër të fesë, ose të Zotit, janë mashtrues dhe tradhtarë, pavarësisht se ngrenë lart flamujt e këtyre feve e doktrinave e flasin në emër të tyre.

Imami i Madh i Al-Azharit, Al-Tayyeb, në Radio Vatikan
Imami i Madh i Al-Azharit, Al-Tayyeb, në Radio Vatikan

Në Deklaratën e Abu Dabit për Vëllazërimin Njerëzor flitet për promovimin e barazisë ndërmjet burrit e gruas e për dinjitetin e grave. Ka sinjale shqetësuese, që tregojnë lindjen e fundamentalizmit, i cili nuk e respekton këtë dinjitet. Si mund të luftohet kjo?

Dua të sqaroj para së gjithash se Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor pasqyron ç’mendon edhe Islami lidhur me respektimin e grave dhe respektimin e plotë të të drejtave të saj. Pohoj gjithashtu se askush nuk mund ta privojë gruan nga të drejtat e saj, të cilat u vendosën nga profeti i Islamit, Muhameti, me një fjali të qartë dhe koncize: “Gratë janë të barabarta me burrat”. Askush s’mund të bëjë ndryshe, sepse ne myslimanët, nga Marrakeshi në Xhakartë, si edhe fëmijët tanë në shkollë, e dimë se gratë shkonin të luteshin me profetin në xhaminë e tij, e shihnin profetin dhe ai i shihte, shkëmbenin pyetje me të për fenë dhe për botën. Aishja, gruaja e profetit, nëna e besimtarëve, mori pjesë në mësimdhënie e në politikë: korrigjonte çka i dukej e gabuar në interpretimin e disa ligjeve të Sheriatit nga disa sahabë, shokë të profetit. Këto janë fakte të dokumentuara, të cilat po ua mësojmë studentëve tanë në Al-Azhar. Dua të them se, para kësaj së vërtete, asnjë mysliman besnik i fesë nuk mund t’ua heqë grave të drejtat e garantuara nga Islami. Duhet të themi se devijimet e sotme në këtë fushë, nuk janë veçse fitore e zakoneve dhe rregullave të vjetruara dhe të lashta, të cilat e dëmtojnë ligjin e Islamit. Gjithsesi, për të qenë i sinqertë mbi këtë argument, nënvizoj edhe se duhet të jemi vigjilentë dhe të dallojmë - në shprehjen “të drejtat e grave” - ​​ndërmjet të drejtave të plazmuara nga qytetërimet bashkëkohore duke injoruar moralin fetar dhe ndjenjat e natyrës njerëzore, dhe të drejtave të tjera, të formuluara në shoqëritë ku feja është bazë e qëndrueshme për kulturën dhe mënyrën e jetesës.

08 tetor 2021, 15:16