Kërko

2019.01.09 Sede Onu, Nazioni Unite 2019.01.09 Sede Onu, Nazioni Unite

76-vjetori i Kombeve të Bashkuara. Caccia: OKB-ja ka shmangur situata dramatike

Vëzhguesi i përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB në Nju Jork, me rastin e Ditës së Kombeve të Bashkuara që bie nesër, përkujton themelimin më 1945

R.SH. - Vatikan

Më 24 tetor, si çdo vit që nga 1948, kremtohet Dita ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara. Sivjet bie 76-vjetori. Pothuajse çdo komb në botë është pjesë e OKB-sё, gjithsej 193 vende. Ndër shtetet anëtare të OKB-së është edhe Shqipëria e cila u pranua më 14 dhjetor  1955.

E themeluar më 24 tetor 1945 nga 50 kombe të angazhuara, tё nesërmen pas Luftës së Dytë Botërore, për të ruajtur paqen dhe sigurinë kolektive falë bashkëpunimit ndërkombëtar, Kombet e Bashkuara, të cilat nesër do të mbushin 76 vjet, kanë si objektiv ruajtjen e paqes e tё sigurisë ndërkombëtare, të zhvillojnë marrëdhënie miqësore midis kombeve, të bashkëpunojnë në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare dhe të promovojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe të përfaqësojnë një qendër për harmonizimin e nismave të ndryshme kombëtare.

Me kalimin e kohës, konfliktet ndërkombëtare shpesh janë zëvendësuar nga luftërat civile të karakterizuara nga tensione politike, ekonomike, etnike dhe fetare që kanë shkaktuar kriza të rënda humanitare dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Organizatës i është kërkuar gjithnjë e më shumë të mendojë për formula dhe mjete të reja për t’i përballuar krizat e reja. Madje edhe duke rishqyrtuar vetveten e hipotezuar një reformë që do ta bënte organizatёn edhe më demokratike, më përfaqësuese, më të përgjegjshme dhe më transparente.

Çdo vit përvjetori OKB-sё nderon gjerësinë historike të objektivave të vendosura në vitin 1945, por në këto 76 vite sa rrugё ёshtё bёrё për t'i arritur ato imzot Caccia?

"Unë mendoj shumë, të paktën në kuptimin e shmangies së përsëritjes së përvojës së dy luftërave botërore, me efekte gjithnjë e më shkatërruese e deri edhe me rrezikun e vetë-shkatërrimit me armë atomike", shpjegon Kryeipeshkvi Imzot Gabriele Giordano Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara. “Në shumë raste, Misionet Paqeruajtëse të Helmetёkaltёrve kanë ndihmuar në ndalimin e situatave dramatike dhe rikthimin e shpresës në të ardhmen. Ndihma humanitare në vende të ndryshme është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, duke t’u sjellë lehtësim popullsive në vende qё janё të vështira për t'u arritur.

Shtyllat e Kartës së Kombeve të Bashkuara, paqja, të drejtat e njeriut, zhvillimi, respektimi i detyrimeve ligjore, mbeten ende thelbësore, megjithëse ato duhen zbatuar në një botë me njё zhvillim të shpejtë, për shumë aspekte të reja në krahasim me atë të 76 viteve më parë, kur ishin nënshkruar".

Me qëllimin për të shmangur një konflikt të ri në shkallë botërore, OKB-ja u themelua menjëherë në periudhën e pasluftës mbi hirin e Lidhjes së mëparshme të Kombeve. Ndër objektivat e saj janë mbajtja e paqes dhe e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimi i marrëdhënieve miqësore ndërmjet kombeve, nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe sigurimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore. Objektiva ambicioze, këto, që hasin në pengesa të ndryshme në zbatimin e tyre, "për shkak të, më shumë se të vetë qëndrimit organizatës, të qëndrimit të vendeve individuale”.

Asambleja e Përgjithshme është organi kryesor i Kombeve të Bashkuara. Ai përbëhet nga përfaqësuesit e të gjitha shteteve anëtare, ku secili prej tyre ka të drejtën e një vote. Vendimet mbi çështjet e rëndësishme, siç janë ato të paqes dhe të sigurisë, pranimi i anëtarëve të rinj, dhe çështjet e buxhetit, kërkojnë votën e dy të tretave. Vendimet mbi çështje të tjera arrihen me një shumicë të thjeshtë. Megjithatë vendimet e Asamblesë nuk përbëjnë detyrim ligjor për qeveritë e vendeve anëtare, ato tregojnë opinionit botëror mbi shumicën e çështjeve ndërkombëtare, si dhe autoritetin moral të Botës.

nga Davide Dionisi

23 tetor 2021, 18:42