Kërko

“Doctrina E kërshten” perkthye ne gjuhen shqipe nga Imzot Gjon Nikollë Kazazi  “Doctrina E kërshten” perkthye ne gjuhen shqipe nga Imzot Gjon Nikollë Kazazi

Imzot Gjon Nikollë Kazazi në përvjetorin e vdekjes

Më 5 gusht të vitit 1752 ndërroi ipeshkvi i madh, imzot Gjon Nikollë Kazazi, bariu shpirtëror, teologu e shkrimtari shquar shqiptar, ai që më 1740 zbuloi “Mesharin” e Gjon Buzukut nё Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Si sot më 5 gusht të vitit 1752 ndërroi ipeshkvi i madh, imzot Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752), dëshmitar i Ungjillit, lëvrues dhe kultivues i gjuhës shqipe. Studioi teologjinë dhe filozofinë në Itali, punoi si meshtar, misionar, pastaj si kryeipeshkёv i Shkupit e vizitator apostolik në vise të ndryshme. Më 1740 Imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi “Mesharin” e Gjon Buzukut nё Vatikan.

Bariu shpirtëror, teologu e shkrimtari imzot Gjon Kazazi lindi në Gjakovë, më 1 janar 1702. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet teologjike i filloi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit, pastaj i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe i kreu në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku krahas teologjisë studioi edhe filozofi, gramatikë e retorikë.

Dom Gjon Nikollë Kazazi i nisi studimet kur ishte i ri, 18 vjeç. Në vitin 1727 mori titullin doktor në filozofi e teologji. Po atë vit u shugurua meshtar. Sapo u kthye, kryeipeshkvi imzot Mikel Suma, e emëroi misionar në Prizren. Më pas kaloi nga Prizreni në Gjakovë, për shërbimin baritor, të cilin e kreu së bashku me dom Anton Teodorin.

Me që dallohej për zgjuarsi dhe aftësi të veçantë njerëzore, shpirtërore e intelektuale, imzot Suma e emëroi dom Gjon Kazazin Vikar të Përgjithshëm të kryedioqezës. Pas largimit të imzot Mikel Sumës nga kryedioqeza e Shkupit, ishte dom Gjon Kazazi ai që e drejtoi atë kryedioqezë  nga viti 1737. Me propozimin e kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviqit, imzot Kazazi u emërua vizitator apostolik i kryedioqezёs së Sofjes dhe dioqezёs së Nikopolit, në Bullgari. Me 23 shtator 1743, Papa Benedikti XIV e emëroi imzot Gjon Nikollë Kazazin kryeipeshkëv të Shkupit në moshën 41. Simbolin e ‘Palios’ e mori në Romë, me 16 dhjetor 1743.

Krahas misioni ungjillëzues, baritor në shërbimit të popullit të Zotit dhe në  përforcimin e Kishës së gjallë të Krishtit, imzot Gjon Kazazi kultivoi me pasion e urti edhe aspektin kulturor, posaçërisht shkrimin në gjuhën shqipe. Këtu kishte si qëllim shkrimin dhe botimin në gjuhën e popullit të tij, pra, shqip, të librave me përmbajtje shpirtërore, biblike, si katekizmi, doracakët uratësh, librat liturgjike po edhe gjurmimin e rrënjëve të lashta të kombit të tij shqiptar.

Kështu,  gjatë qëndrimi të tij në Romë, në vitin 1740, imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, botuar ne vitin 1555. Po atë vit, 1743, imzot Gjon Kazazi botoi edhe katekizmin e tij “Doctrina E kërshten”"Breve Compendio della Dottrina Cristiana tradotta in lingua Albanese per l'utilità, e istruzione dei Fanciulli di quella Nazione. Da un Nazionale del Regno di Servia Alunno della S. Congregazione" shtypur ne Romë nga "Stamperia della S. Congregatione de Propaganda Fide" .

Kryeipeshkvi Gjon Kazazi shkoi disa herë në Romë për vizita "ad Limina Apostolorum" tek Papa dhe dikasteret e Selisë së Shenjtë në Vatikan. Prandaj janë me vlerë të madhe kishtare e historike kombëtare edhe relacionet që imzot Kazazi solli apo dërgoi në Vatikan më 1743, 1744 e gjatë viteve tjera, në cilat paraqet e informon Papën dhe Selinë e Shenjtë mbi situatën tejet të rëndës të popullit shqiptar e të krishterëve në trevat shqiptare dhe në Vende tjera si në Bullgari, Serbi asokohe nën sundimin e perandorisë osmane.

Pranë Varreve të Apostujve, në Romë, imzot Gjon Nikollë Kazazi u gjunjëzua për herë të fundit në vitin 1750, sepse kryeipeshkvi i Shkupit ndërroi jetë më 5 gusht të vitit 1752, duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë e Kishës shqiptare, si bari dhe edukator i klerit, mbrojtës i popullit, në historinë e albanologjisë, si zbulues i parë i librit më të vjetër të shtypur në gjuhën shqipe, që njihet deri me sot.

Nga katekizmi i imzot Gjon Kazazit

Lutjet e Mëngjesit

Po të falem o Zot i vërtetë,
e po të bindem,
e po të due me gjith zembër.
Po të falem nderës se më ke kriuom
e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë
prej ndonji mortje së pakujtueshme.
Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija
e po të lutem të më ruojsh
sod e për gjithë herë prej gjith fajesh
e mpkatesh...

05 gusht 2021, 10:13