Sant Eusebio di Vercelli, 2 agosto Sant Eusebio di Vercelli, 2 agosto 

Mё 2 gusht kalendari kishtar kujton shёn Euzebin e Verçelit

Shën Euzebi e drejtoi Kishën e Verçellit me urti e shenjtëri edhe dhjetë vjet pasi u kthye nga internimi. Ia fitoi zemrën të gjithëve me oratorinë e jashtëzakonshme. E jo vetëm sepse fliste mrekullisht mirë, por ajo që ka më tepër rëndësi, sepse shprehte atë që e ndjente në thellësi të shpirtit. E ashtu si kishte jetuar me frymën e Ungjillit, ashtu edhe vdiq.

R.SH. - Vatikan

Mё 2 gusht,  kalendari kishtar përkujton Shën Euzebin e Verçelit, ipeshkvin e parë të Italisë veriore, figurë e ndritur e shekullit IV.

Shën Euzebi, që njihet me atributin “i Verçelit”, gjë që zakonisht tregon vendlindjen, në të vërtetë lindi në Sardenjë nga fundi i shekullit III dhe fillimi i shekullit IV. Emrin Euzeb e mori në Romë ku, si vendosi të kthehej në fenë e krishterë, u pagëzua nga Papa Euzebi. Aty nga viti 345, pasi kishte kryer studimet kishtare, fitoi admirimin e Papës Juli I, i cili e emëroi ipeshkëv të Verçelit. Këtu vendosi të jetonte në kuvend, së bashku me priftërinjtë e tij, duke e lidhur kështu ngushtë ungjillëzimin me stilin e jetës murgare. 

E ky është një nga elementet kryesore të shenjtërisë së tij. Një element tjetër është themelimi nga ana e Euzebit tё një bashkësie meshtarake sipas modelit monastik a murgar. E kjo do të thotë se Euzebi pati ndjekur dhe u pati kërkuar edhe ipeshkvijve të ndiqnin rregullat e jetës murgare, ndonëse jetonin në zemër të qyteteve; u pati kërkuar edhe të merrnin pjesë në zgjidhjen e problemeve të bashkëqytetarëve, por duke pasur në zemër një qytetari tjetër, të ndryshme, atë të Qielli. 

Euzebi ishte shok i ngushtë me Liberin, që më pas do të bëhej Papë. I bashkonte dëshira për ta jetuar deri në fund të fundit Ungjillin. Gjatë veprimtarisë së tij si ipeshkëv i Verçellit, vend që i dha atributin, hasi vështirësi të mëdha aq, sa për qëndrimin e tij të palëkundur, u internua në Azi nga perandori arian Kostanci, së bashku me ipeshkvin e Milanos, Dionizin. Atje u torturua, vuajti nga uria e nga etja por, pati fatin të rikthehehej në selinë e vet Ipeshkёvnore, njëherësh me Dionizin.

Shën Euzebi e drejtoi Kishën e Verçellit me urti e shenjtëri edhe dhjetë vjet pasi u kthye nga internimi. Ia fitoi zemrën të gjithëve me oratorinë e jashtëzakonshme. E jo vetëm sepse fliste mrekullisht mirë, por ajo që ka më tepër rëndësi, sepse shprehte atë që e ndjente në thellësi të shpirtit. E ashtu si kishte jetuar me frymën e Ungjillit, ashtu edhe vdiq. Kur mbylli sytë në qytetin ku ishte ipeshkëv e ku ruhen edhe sot reliket e tij, edhe viti 371 numëronte ditët e fundit.

Sipas traditës, themeloi dy shenjtërore shumë të njohura: atë të Oropës (Biela e sotme) dhe atë të Kreas (Aleksandria e sotme). Shën Euzebi është pajtor qiellor i zonës piemonteze të Verçelit në Itali. Emri i tij vjen nga greqishtja e do të thotë njeri i mëshirshëm, që jeton me frikën e Zotit, ndërsa simbolet e Shenjtit janë shkopi baritor dhe mitra. Shkalla e vërtetë e vlerave, duket sikur na thotë e gjithë jeta e Euzebit, nuk vjen nga perandorët e djeshëm e as të sotëm, por vjen nga Jezu Krishti.

02 gusht 2021, 09:56