L'arrivo a Bari della nave Vlora carica di profughi albanesi nell'agosto 1991 (foto ANSA/LUCA TURI/SIR) asa.jpg L'arrivo a Bari della nave Vlora carica di profughi albanesi nell'agosto 1991 (foto ANSA/LUCA TURI/SIR) asa.jpg

30 vjetori i shqiptarëve në Itali. Nuk erdhën si “pushtues”

30 vite më parë, 20 mijë shqiptarë me anijen Vlora, zbarkuan në brigjet e Italisë, duke tronditur thellë opinionin publik italian e ndërkombëtar. Qytetarët e Shqipërisë, në atë kohë, morën guximin e filluan të mbërrinin në brigjet puljeze, jo si turistë, për të parë Italinë, po si emigrantë, iknin nga Shqipëria në kaos, për të kërkuar një jetë më të mirë. Ishin në ikje nga kthetrat e komunizmit dhe në kërkim të demokracisë së ëndërruar për 50 vjet me radhë.

R.SH. - Vatikan

2 korriku i vitit 1990 është gur kilometrik në historinë e Shqipërisë, pasi shënon sulmin e shqiptarëve të etur për liri e për bukë, pas dimrit të egër  e të gjatë nën regjimin komunist, drejt ambasadave të huaja në Tiranë, me pasojat, që dihen nga të gjithë.

Qytetarët e Shqipërisë, në atë kohë, morën guximin e filluan të mbërrinin në brigjet puljeze, jo si turistë, për të parë Italinë, po si emigrantë, sepse po iknin nga Shqipëria në kaos, për të kërkuar një jetë më të mirë. Ishin në ikje nga kthetrat e komunizmit dhe në kërkim të demokracisë së ëndërruar për 50 vjet me radhë. 

Pavarësisht se emigracioni shqiptar drejt Perëndimit, menjëherë pas rënies së komunizmit, fillon pikërisht në mendësinë, që u shpreh më së miri në atë ditë të nxehtë vere, opinioni publik ndërkombëtar ka më tepër parasysh 27 mijë shqiptarët e ardhur në Brindisi më 7 marsin e një viti më vonë, ose imazhet e njerëzve mbledhur si mizë lisi në anijen e famshme Vlora, e cila zbarkoi në Itali më 8 gushtin e 1991-shit.

Sivjet, Pulja dhe Shqipëria kremtojnë me një sërë veprimtarish, 30-vjetorin e eksodit masiv shqiptar nga dheu amë. Sot, për shembull, doli nga shtypi numri i korrikut i revistës “Scarp de’ tenis” (http://www.blogdetenis.it/), organ i Karitasit Ambrozian në Milano, ku përshkruhen historia e Leonard Berberit, ardhur i vogël në Itali e tani gazetar i “Corriere della Sera”, si edhe integrimi i Anxhela Zenelit, ardhur në Itali me anije peshkimi e, kthyer në Shqipëri në vitin 2020 për një projekt bashkëpunimi me Karitasin.

Nga “pushtues” e “kriminelë”, që konsideroheshin në fillim, narracioni për shqiptarët ka ndryshuar krejtësisht. Prania e tyre në Itali nuk është më risi, është pjesë e jetës shoqërore të Italisë. Shumë emigrantë shqiptarë janë kthyer në vendin e origjinës, për të ndërtuar aty një të ardhme e sot, ata ndiqen edhe nga shumë italianë, të cilët përbëjnë bashkësinë më të gjerë të të huajve në Shqipëri.

Në bashkëpunim me rajonin e Puljes, ku ndodhet edhe njëra nga konsullatat e Shqipërisë e pikërisht në Bari, me konsulle të përgjithshme Gentiana Mburimin, po zhvillohen veprimtari të ndryshme, që shënojnë 30-vjetorin e emigracionit masiv shqiptar. Udha e shqiptarëve  shpresohet të jetë shembull edhe për mikpritjen e integrimin e të bashkësive të tjera të huaja në Itali. Në fund të korrikut, në kuadrin e një festivali, do të flitet pikërisht për emigracionin shqiptar e për Shqipërinë, duke analizuar aspekte të ndryshme, përfshirë rolin e fesë në formimin e identitetit shqiptar.

Ndërkaq, nga 26 qershori, në Lecce, është hapur ekspozita “IntegrAzione… 30 anni dal grande esodo”, me fotografi nga emogracioni shqiptar në Pulja, realizuar nga fotoreporteri e gazetari barez Vittorio Arcieri. Ekspozita, organizuar nga shoqata “Integra onlus”, presidente e së cilës është pikërisht një shqiptare, Klodiana Çuka,  do të niset për në Bari, ku do të hapet nga 20 korriku deri më 10 gusht, për të shkuar më tej në Tiranë (3-15 shtator) dhe në Vlorë (16-30 shtator). Por, do të kthehet sërish në Itali, për të “pushtuar” Romën, nga 25 deri më 30 tetor, dhe Milanon, nga 20 deri më 30 nëntor. Ekspozita, e realizuar me bashkëpunimin e institucioneve të shumta italiane dhe shqiptare, është hapur fillimisht në vitin 2011, në ambasadën e Shqipërisë në Romë, por vijon të jetë mjet për të reflektuar udhën e përshkuar nga emigrantët shqiptarë në Itali.

Në marsin e këtij viti, pikërisht për të përkujtuar eksodin e shqiptarëve, erdhi në Pulja kryeministri Edi Rama. Emblematike, fjalët e ministrit të jashtëm italian, Luigi Di Maio, i cili, duke folur për “pushtuesit” e dikurshëm, nënvizoi: “jemi këtu, për të kujtuar zbarkimet e para të MIQVE shqiptarë, ardhur në Pulja, tashmë para 30 vitesh”. Kjo është historia e emigracionit shqiptar në Itali: nga “pushtues” në “miq”.

02 korrik 2021, 16:47