Kërko

San Gioacchino e Anna San Gioacchino e Anna

Më 26 korrik kalendari kujton Shën Joakinin e Anën, prindërit e Zojës së Bekuar

Kisha radhiti në liturgji përkujtimin e Shën Jakut e të Shën Anës, prindërit e Zojës së Bekuar, si ideale jete e shembull të zakoneve të mira familjare. Joakini ishte bari e, së bashku me gruan e vet, Anën, jetonte në Jerusalem, ku kryente shërbimin priftëror në tempull. Po plakeshin pa fëmijë, kur iu duk papritur një engjëll. I dha lajmin e gëzuar, se së shpejti do t’i lindte një fëmijë.

R.SH. - Vatikan

Kisha kremton më 26 korrik përkujtimin liturgjik të Shën Jakut e të Shën Anës, si ideale jete e shembull të zakoneve të mira familjare.  

Ana e Joakini janë prindërit e Virgjërës Mari, Nënës së Hyjit.  Joakini e Ana nuk patën fëmijë deri në moshë të vonë. Kur u lindi vajza e shumëpritur, vendosën ta quanin Mari: “e dashura e Hyjit”. Njerëz të urtë e të devotshëm, e rritën Nënën e Krishtit me frymën e Shkrimeve të Shenjta dhe e mësuan t’i bindet vullnetit të Hyjit.

Joakini ishte bari e, së bashku me gruan e vet, Anën, jetonte në Jerusalem, ku kryente edhe shërbimin priftëror në tempull. Po plakeshin pa fëmijë, kur Joakinit, që ishte duke punuar në arë, iu duk papritur një engjëll. I dha lajmin e gëzuar, gati të pabesueshëm, se së shpejti do t’i lindte një fëmijë.

Të njëjtin vegim pati edhe Ana. Engjëlli e thirri me emër e i tha: “Ana, Ana, Zoti ta dëgjoi lutjen e ti do të lindësh një fëmijë, për të cilin do të flasë bota mbarë”. Vegimi u bë realitet e atyre u lindi një vajzë, të cilën e quajtën Mari, që do të thotë “e dashur nga Zoti”. Joakini e çoi në tempull, së bashku me dhjetë qengja, dymbëdhjetë viça e po aq keca pa asnjë të metë, sipas ligjit të Moisiut. Maria kaloi disa vjet në tempull, ku u edukua sipas ligjit të Moisiut.

Shën Ana është Pajtore e grave shtatzëna, të cilat i luten të ndërmjetësojë para Zotit për të nxjerr tri hire: së pari, për të lindur pa vështirësi; së dyti, për të nxjerrë në dritë një fëmijë të shëndoshë e së treti, për të pasur qumësht të mjaftueshëm, që ta ushqejnë foshnjën me gjirin e vet. Ndonëse për Shën Anën kemi pak të dhëna në tekstet zyrtare e kanonike, kulti i saj është jashtëzakonisht i përhapur si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. S’ka qytet të madh që të mos ketë një Kishë kushtuar Shën Anës e emri i saj përsëritet në rrugët e rrugicat e qyteteve e të fshatrave, në male e në pyje. E mbajnë mbretëresha e baresha, vajza e plaka, gra të çdo shtrese shoqërore e të çdo profesioni: është një nga emrat më të përhapur në mbarë botën, ashtu si emri i bijës së Anës, Maria. E kjo, sepse Ana mbajti në kraharor atë, që do të ishte shpresa e botës, Nënën Virgjër të Shëlbuesit të njerëzimit. Emri Ana vjen nga hebraishtja Hannah që do të thotë ‘Hir’.

Shën Ana e Shën Joakini nuk kujtohen fare në Ungjijtë kanonikë. Të dhënat e para për ta i gjejmë tek Etërit e Kishës dhe tek Protoungjilli i Shën Jakut (apokrif i shekullit II). Në lindje - festa nisi të kremtohet më 25 korrik që në shekullin VI; më pas u shtri në perëndim, ku kremtohet gjithnjë më 26 korrik.

Dy shenjtorët bashkëshortë nderohen nga përshpirtëria popullore edhe si pajtorë të prodhimeve të ndryshme të kopshtijëve: barishteve, frutave e sidomos hardhive, që në këtë kohë kanë aq shumë nevojë për ujë. Kur bie shi në festën e Shën Anës, përshpirtëria popullore e konsideron si dhuratë qiellore nga Pajtorët.

Ikonografia i paraqet prindërit e Zojës së Bekuar me Bibël në dorë, duke i mësuar Psalmet Bijës së tyre, që ishte zgjedhur të ishte “e bekuar mbi të gjitha gratë!”. Kujtojmë se ashtu siç ka një ditë kushtuar nënave e një tjetër, baballarëve, tani ka edhe një ditë kushtuar gjyshërve. Është 2 tetori, festa e Engjëjve të Rojës, të cilëve u ngjasin aq shumë gjyshërit, kur mbrojnë nipërit. Por edhe 26 korriku është ditë vërtetë e përshtatshme për t’u shprehur gjyshërve mirënjohjen e solidaritetin, duke nderuar kështu urtinë që buron nga vitet e nga flijimet e panumërta për bijtë

Pra, pikërisht në zemër të verës, kur familjet, për të shpëtuar nga vapa e nga zagushia, kërkojnë freski, çlodhje e prehje ndër bjeshkë, liqene e bregdete, duke i lënë pleqtë në shtëpi, vetëm, ose duke i shtruar, në se nuk janë më të zotët e vetes, ndër shtretër spitalesh, ku nganjëherë mbeten për një kohë të gjatë, bie festa e Joakimit e Anës, prindër fatlumë të Zojës së Bekuar e gjyshër të Jezusit, shembull e pajtorë të vatrave familjare e të gjyshërve tanë. Pra, është një ndër ditët e përshtatshme për t’u shprehur gjyshërve tanë mirënjohjen, respektin, solidaritetin, për urtinë e fituar përmes përvojës së viteve e për flijimet, më tepër se gëzimet në jetë, mund të jetë edhe ky 26 korrik. E të mos i braktisim kurrë e për asnjë arsye.

26 korrik 2021, 09:28