Më 22 korrik kalendari përkujton shën Marinë Magdalenë

Shën Maria Magdalenë, nxënëse Jezu Krishtit Zot, e para dëshmitare e të Ngjallurit, grua që mund të quhet ‘apostulle e apostujve’, na mëson t’i kërkojmë Jezusit ndihmë në çastet e ligështisë njerëzore. Ashtu si qe një grua, që i kumtoi burrit të parë fjalët e vdekjes – shkruan Shën Toma i Akuinit– kështu qe një grua, që u kumtoi para apostujve fjalët e jetës tё Krishtit tё Gjallё.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike romake shënon me 22 korrik përkujtimin liturgjik të shën Marisë Magdalenë, nxënëse Jezu Krishtit Zot, e para dëshmitare e të Ngjallurit: grua që mund të quhet ‘apostulle e apostujve’. Shën Maria nga Magdala, e shëruar në shpirt nga Jezusi, nisi ta ndiqte Mësuesin Hyjnor e t’i shërbente me dashuri të madhe (Lk 8,3).

Në fund, kur të gjithë nxënësit kishin ikur, Maria Magdalena ishte aty, tek këmbët e Kryqit të Krishtit, pranë Mësuesit Hyjnor, përkrah Virgjërës Mari, Gjonit e disa grave (Gjn 19,25). Ditën e Pashkëve Jezusi iu duk asaj dhe e çoi për t’i kumtuar nxënësve lajmin se ishte ngjallur” (Mk 16,9; Gjn 20,11-18). Kisha latine zakonisht e kremton së bashku në liturgji të tria gratë me emrin Mari, për të cilat flet Ungjilli: Marinë e Betanisë, motrën e Lazrit e të Martës, Mëkataren e paemër, “së cilës iu fal shumë, sepse deshi shumë”, e Marinë Magdalenë ose prej Magdale, që e ndihmoi dhe e ndoqi Jezusin së bashku me gratë tjera, gjatë udhës së kalvarit deri në kryqëzim.

Emri Mari kujtohet disa herë e në rrethana të ndryshme gjatë tregimit ungjillor e Gregori i Madh ishte i mendimit se bëhej fjalë për një Mari të vetme. Ndërsa janë tri. Shën Mari ishte nga Magdala, qytet i vogël i Galilesë. Në ungjillin e shën Lukës shkruhet kështu për Të: “Ishin me Të (me Krishtin) të dymbëdhjetë apostujt dhe disa gra, që qenë shëruar nga shpirtrat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria e Magdalës, nga e cila kishin dalë shtatë djaj, Gjovana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana e shumë të tjera, që i ndihmonin me pasuritë e tyre”. Ndër ungjijtë, sa herë që përmendet ky grup i nxënësve, Magdalena kujtohet e para, për të treguar nderimin që gëzonte në bashkësinë e parë të krishterë. Ajo pati hirin të ishte dëshmitarja e parë e Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Për Marinë Magdalenë flasin të katër Ungjijtë. Kulti i nderimit të saj u përhap në Kishën e perëndimit sidomos në shekullin XII. E lindur nga Magdala, qytezë peshkatarësh pranë liqenit të Gjenezaretit në Galile. E pranuar ndër nxënësit e Krishtit, qe e pranishme në vdekjen e Tij mbi kryq, dhe në mëngjesin e Pashkëve meritoi të shihte e para Shëlbuesin e Ngjallur (Mk 16,9) dhe e para ju tregojë apostujve për Ngjalljen e Krishtit.

Historia e Marisë nga Magdala na kujton të gjithëve një të vërtetë themelore: dishepull i Krishtit është ai që, pasi provon ligështinë njerëzore e ka përvujtërinë t’i lypë ndihmë, shërohet prej Tij dhe e ndjek nga afër, duke u bërë dëshmitar i fuqisë së dashurisë së tij përdëllyese, e cila është më e fortë se mëkati e se vdekja.

22 korrik 2021, 10:22