Shfrytëzimi i fëmijëve Shfrytëzimi i fëmijëve

OKB: puna e të miturve, për herë të parë, në rritje që prej 20 vitesh

Denoncimi bëhet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Unicef-i, në një raport të titulluar “Puna e Fëmijëve: Vlerësime Globale 2020, prirjet dhe rruga që na pret”, botuar sot, në kadrin e Ditës Botërore kundër punës së të miturve, që kremtohet më 12 qershor.

R.SH. - Vatikan

Numri i fëmijëve që punojnë ka shkuar në 160 milion në të gjithë botën, duke shënuar një rritje prej 8,4 milion në katër vitet e fundit, për herë të parë që prej 20 vitesh. Denoncimi bëhet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Unicef-i, në një raport të titulluar “Puna e Fëmijëve: Vlerësime Globale 2020, prirjet dhe rruga që na pret”, botuar sot, në kuadrin e Ditës Botërore kundër punës së të miturve, që kremtohet më 12 qershor. ILO dhe Unicef ​​paralajmërojnë se edhe 9 milion fëmijë të tjerë janë në rrezik, për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19. Ky shtim bie ndesh me prirjen për rënie, që u shënua në periudhën 2000-2016, kur numri i të miturve, që shfrytëzoheshin për punë u ul me 94 milion vetë.

Fëmijët kryejnë punë të rrezikshme

Raporti sinjalizon rritjen e konsiderueshme të numrit të “fëmijëve-punëtorë” ndërmjet moshës 5 dhe 11 vjeç, të cilët tani përbëjnë më se gjysmën e shifrës së përgjithshme globale. Përveç kësaj, që nga viti 2016, fëmijët e moshës 5-17vjeç, që kryejnë punë të rrezikshme, janë rritur nga 6,5 në 7,9 milion, duke dëmtuar kështu, shëndetin, sigurinë e moralin e tyre. “Vlerësimet e reja janë thirrje për t’u zgjuar. Nuk mund të rrimë duarkryq, ndërsa një brez i ri fëmijësh vihet në rrezik”, deklaron drejtori i përgjithshëm i ILO-s, Guy Ryder, i cili përvijon edhe një rrugëdalje: “Mbrojtja sociale gjithëpërfshirëse u jep mundësinë familjeve t’i mbajnë fëmijët në shkollë, edhe përballë vështirësive ekonomike. Rritja e investimeve në zhvillimin rural dhe në punën me dinjitet në bujqësi është thelbësore. Jemi në një çast vendimtar dhe shumë varet nga mënyra jonë e reagimit. Është çasti për impenjim e energji të reja për kapërcimin e krizës e për thyrjen e ciklit të varfërisë dhe të punës së të miturve”.

Viti ndërkombëtar kundër punës së të miturve

Kujtojmë se viti 2021 është shpallur nga OKB-ja si Vit ndërkombëtar kundër punës së të miturve, për të inkurajuar veprime legjislative dhe politika për parandalimin e për luftën kundër kësaj pune në gjithë botën. Që sot e deri më 17 qershor, zhvillohet e ashtuquajtura “Javë e aksionit”, në kuadrin e së cilës mbahet një Konferencë ndërkombëtare për Punën, ku do të diskutohet mbi vlerësimet e raportit e mbi hapat, që duhen ndërmarrë.

10 qershor 2021, 11:19