Hagë: dёnim me burgim tё përjetshëm për 'kasapin e Srebrenicёs' Mladiç

Gjykata penale Ndërkombëtare e Hagës konfirmoi në apel dënimin e përjetshëm për 'xhelatin e Srebrenicës' Ratko Mladiç. Kasapi i Ballkanit Ratko Mladiç, ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, është fajtor për genocid, vrasje e krime lufte në Srebrenicë, gjatë luftës së Bosnjës si dhe për rrethimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë qytetarë.

R.SH. - Vatikan

Gjykata penale Ndërkombëtare e Hagës konfirmoi në apel dënimin e përjetshëm për 'xhelatin e Srebrenicës' Ratko Mladiç. Kasapi i Ballkanit Ratko Mladiç, ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, është fajtor për genocid, vrasje e krime lufte në Srebrenicë, gjatë luftës së Bosnjës si dhe për rrethimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë qytetarë. Masakra e Srebrenicës ёshtё tragjedia më e rëndë në Evropë pas Holokaustit, e tani ka edhe përgjegjësin e vet. Ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës do tё kalojë jetën e tij në burg.

Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s, që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në nëntor të vitit 1995.

Ratko Mladiç është fajtor edhe për përndjekjen e myslimanëve dhe kroatëve civilë në Bosnje, dhe mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave të Kombeve të Bashkuara. Vendimi i sotëm i apelit shënon edhe përfundimin e ndjekjeve penale të Kombeve të Bashkuara për krimet e kryera në luftën e Bosnjë që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur. Ratko Mladiç, i akuzuar në vitin 1995 nga Gjykata për krime luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë qe strehuar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000. Në maj të vitit 2011 u arrestua në një fermë në Serbinë veriore, pas një periudhe trysnie të Bashkimit Evropian mbi Serbinë që synon integrimet evropiane. Gjyqi kundër tij, u hap në maj të vitit 2012.

Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe ishte gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ajo ngriti akuza ndaj 161 vetave, 90 prej të cilëve janë dënuar. Në mars te vitit 2016-të, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mladiçit, Radovan Karaxhiç, i cili aktualisht po vuan në Britaninë e Madhe dënimin me burgim të përjetshëm nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç, u akuzua në vitin 1999 në kohën e luftës së Kosovës dhe u dërgua në Hagë në vitin 2001. Në vitin 2006 vdiq derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Gjykata përfundoi punën e saj me dënimin e Ratko Mladiçit në vitin 2017, dhe çështjet e mbetura po trajtohen nga një mekanizëm ndërkombëtar i vendosur në ish selinë e gjykatës

08 qershor 2021, 20:45