Monsignor Hindo Monsignor Hindo

Vdiq Imzot Hindo, pranë popullit edhe para avancimit të xhihadistëve

Imzot Hindo ndërroi jetë në Francë pas një sëmundje të gjatë. Kisha siriane e kujton si një bari që gjithmonë qëndroi pranë popullit tё tij.

R.SH. - Vatikan

Ndёrroi jetё, dje në Francë, Imzot Jacques Behnan Hindo, kryeipeshkёv nderi i kryeparkisë siro-katolike të Hassakè-Nisibi, në Sirinë Veri-Lindore, do të kishte mbushur 80 vjeç më 8 gusht. Në fakt, Imzot Jacques Behnan Hindo qe dërguar në Paris për t'u kuruar nga mjekët. "Një njeri i Zotit në kohën e vështirë të luftës", një ipeshkëv qё qëndroi me popullin e tij edhe kur Daesh hyri në qytet, duke dhënë njё dëshmi "për ne të krishterët, madje edhe për priftërinjtë, duke na kujtuar që të mos ikim, po të qëndrojmë me popullin tonë" . Me këto fjalë prekëse e kujton ipeshkvin e ndjerë, për AsiaNews,  Atë Amer Kassar, prift katolik sirian i Kishës së Zojës së Fatimës në Damask.

Imzot Hindo u shugurua meshtar më 1969, u emërua kryeipeshkёv i Hassaké-Sisibi më 1996. U shugurua ipeshkëv një vit mё vonë. Nё vitin 2019 dha dorëheqje për arsye shëndetësore dhe tё moshës. Prelati, kujton AsiaNews, e lartoi kurdoherë zërin e tij në mbrojtje të të krishterëve dhe tё popullsisë siriane. Në të kaluarën luftoi kundër mbylljes së disa shkollave të krishtera në rajonin autonom kurd në veri-lindje të Sirisë që nuk njihet nga Damasku.

Imzot Hindo kujtohet si një figurë me vlera të mëdha, nënvizon At Amer, "luajti një rol ndërmjetësimi e afrimi midis arabëve dhe kurdëve, midis myslimanëve dhe të krishterëve, duke qëndruar gjithmonë në Hassaké, të cilin prelati nuk e braktisi as kur ISIS ishte te portat" dhe duke punuar pёr tё favorizuar dialogun e takimin. Imzot Hindoa ka promovuar edhe shumë projekte për zhvillimin e zonës, përfshirë strehimin për të rinjve, për t'iu kundërvënë, kështu, shpopullimit të zonave të krishtera. Dhe akoma për Caritasin dhe në fushën e arsimit.

08 qershor 2021, 10:36