2020.06.06 San Norberto 2020.06.06 San Norberto

Më 6 qershor kalendari kishtar kujton Shën Norbertin, ipeshkëv

Shën Norberti themeloi në vitin 1121 një Urdhёr të vjetër rregulltar murgëtar, që ju përkushtua ungjillëzimit. Punojë me të gjitha forcat për reformën e klerit e predikonte këmbëzbathur në misionet shëtitëse. Urdhri murgar, të cilin ai e themeloi, shumë shpejt u përhap në Evropë dhe në Palestinë. Prej vitit 1126 qe emëruar ipeshkëv i Magdeburgut. Vdiq më 1134.

R. SH. - Vatikan

Duke folur për shenjtorët, nuk e kemi ndër mend t’ju tërheqim vëmendjen nga e sotmja, në të kaluarën. Përkundrazi, dëshirojmë t’ju nxisim që, duke shkelur në gjurmët e lëna nga shenjtorët, të ecim më të sigurtë drejt atmes qiellore. E Shenjti i sotëm me emrin Norbert, që në gjuhën gjermane do të thotë ‘njeri i shquar, i ardhur nga veriu’, na çon pikërisht në një kohë të largët, që megjithatë nuk na shkëput nga e sotmja.

Shën Norberti është themelues i një urdhëri të lashtë monastik, i cili nisi që në vitin e largët 1112 e iu kushtua edhe veprimtarisë së ungjillëzimit, aq aktuale në ditët tona. Urdhëri, i themeluar nga Norberti, i parapriu një urdhëri tjetër, atij të lëmoshtarëve, që njihen kryesisht me emrin Premostratensë. Ky emër vjen nga lugina franceze Premontré, pranë Laonit, ku kishte zënë vend Shenjti me disa shokë.

Norberti lindi në Ksanten të Gjermanisë, ndërmjet viteve 1080 e 1085. Ishte foshnjë e lindur në gjirin e një familjeje fisnike, që jetonte me salltanet të madh. E edhe ai ashtu nisi të jetonte, ndonëse u bë subdiakon e u vu në shërbim të kryeipeshkvit të Këlnit. Më shumë festa se lutje, më shumë darka e dreka se agjërim. Në këtë atmosferë, karakteristike për shumë klerikë të epokës, megjithë qortimet e vazhdueshme të papëve, u rrit edhe shenjti. E do të kishte vijuar kështu deri në fund të jetës, në se një ngjarje e jashtzakonshme nuk do ta kishte shtyrë të bënte një kthesë edhe më të jashtzakonshme.

Një ditë të stuhishme pranë tij ra një rrufe, duke e lënë pa ndjenja. Provoi shijen e hidhur të vdekjes, dmth të asgjësimit fizik. Ishte një shenjë e qartë, ndoshta paralajmërimi i fundit. Rifilloi atëherë studimet, u shugurua meshtar, nisi të udhëtonte, gjithnjë këmbëzbathur e t’u predikonte të krishterëve Ungjillin e Krishtit. Por më shumë se besimtarëve, u predikonte priftërinjve, me moton: ‘Në se do ta ruash grigjën, gjej bariun e përshtatshëm’. Kështu më 1121 themeloi urdhërin e ri, që shumë shpejt u përhap në të gjithë Evropën e deri në Palestinë. Nga viti 1126 e deri në vdekje qe ipeshkëv i Magdenburgut. Vdiq në vitin 1134 e është shenjt që nga viti 1582. I pranishëm në Martiriologun Romak, Shën Norberti, ipeshkëv ka si simbol shkopin baritor

06 qershor 2021, 17:26