Urime, të gjitha Nënave të botës!

Një përshëndetje e ngrohtë e një falënderim i dalë nga zemra, të gjitha nënave të botës me rastin e Festës së Nënës, që kremtohet sot në shumë vende.

R. SH. - Vatikan

“Nuk jemi jetimë! Të gjithë e kemi një Nënë! Zojën, Kishën, Nënat tona! Nuk jemi jetimë! Jemi bij të Marisë, të Kishës, të Nënave tona”. Këto fjalë, shqiptuar nga Papa në audiencën e përgjithshme të 7 janarit 2015,  na kujtojnë se feja është dhuratë e Shpirtit Shenjt e transmetuar veçanërisht nga nënat!

E fjalët e Papës shoqërohen edhe me urimet e Familjes së Vatican News e të Radio Vatikanit drejtuar të gjitha nënave, në të gjitha gjuhët!

“Të dashura Nëna - pati shtuar Papa gjatë audiencës së përgjithshme - faleminderit, faleminderit për çka jeni në familje e për çka i jepni Kishës e botës”.

Nëna, faleminderit për dhuratën e jetës e të fesë

Janë Nënat ato, që na e dhurojnë jetën dhe na e transmetojnë fenë. Feja është dhuratë. Nuk mund të studiohet. Studiohen gjërat e fesë, por me studim nuk mund të arrish kurrë tek feja. Feja është dhuratë e Shpirtit Shenjt, është dhanti, që  shkon përtej çdo përgatitjeje. E kjo dhuratë kalon përmes prehërit të nënave, punës së bukur të tyre në gjirin e familjes! Po pse feja transmetohet veçanërisht nga gratë? Thjesht sepse ajo, që na e solli Jezusin, ishte grua. Ai deshi të ketë një nënë: ndaj edhe dhurata e fesë kalon nëpërmjet nënave, si Jezusi nëpër Marinë. Përmes nënave, që jo vetëm na e dhurojnë fenë, por edhe na e ruajnë që të mos zbehet kurrë,  e na e ushqejnë, që të na shoqërojë gjithë jetën!

Faleminderit Nëna! E gëzuar festën!

09 maj 2021, 11:24