2021.01.18 PADRE PATTON CANA 2021.01.18 PADRE PATTON CANA

Toka Shenjte: atë Patton, “si Shën Jozefi, konkretë e ëndrrimtarë”

Nga Toka Shenjte, atë Patton na fton të jemi “si Shën Jozefi, konkretë e ëndrrimtarë, me zemër të hapur për misteret e Zotit. E të mos trembemi, kur ndodhemi para situatave të reja e të paparashikuara gjatë jetës”.

R.SH. - Vatikan

“Nga Shën Jozefi, zdrukthëtari, mund e duhet të mësojmë të mos  frikësohemi  kur ndodhemi para situatave të reja e të paparashikuara gjatë jetës e edhe  gjatë thirrjes sonë. Duhet të ndriçohemi nga fjala e Zotit, që  na ndihmon ta kuptojmë në mënyrë të thellë çka mendja jonë njerëzore rrezikon ta shikojë si problem të pazgjidhshëm". Sipas Rojtarit të Tokës Shenjte, i cili të shtunën kremtoi një Meshë për kujtim të “pajtorit” e “ndërmjetësit”  të të gjithë punëtorëve, Shën Jozefi na propozon një program të vërtetë jete.

Në homelinë e tij, Rojtari i Tokës Shenjte, atë Françesk Patton nënvizoi dy karakteristika “në dukje kontradiktore” të Shenjtit: konkretësinë dhe aftësinë për të ëndërruar. “Konkretësinë e shikojmë në mënyrën aktive me të cilën i përballon problemet dhe situatat e reja, si kur merr vesh se Maria është shtatzënë, ashtu edhe kur i duhet të gjejë një vend ku të lindë Krishti Fëmijë në Betlehem a të ikë në Egjipt, për t’u rikthyer, më pas, në atdhe”.

Konkretësia, sipas atë Patton, është edhe fryt i zanatit, që ushtron. Si zejtar, është mësuar t’ua marrë masat sendeve e t’i  realizojë në përkim me shërbimin, që do të kryejnë. Por - vijon predikatari - konkretësi nuk do të thotë thatësi ndjenjash. Të matësh, kur bën punë dore, do të thotë edhe të kesh durim të madh. E kështu puna bëhet edhe shkollë dashurie e durimi. Të mëson se “nuk mund të ketë dashuri, pa angazhim, pa durim, pa besnikëri e pa qëndrueshmëri”. Pastaj Jozefi është edhe njeri që di të ëndërrojë - shpjegoi Rojtari i Tokës Shenjte - gjë që do të thotë ta kesh mendjen e zemrën të hapur për kuptimin e jetës e, sidomos, për misterin e Zotit.

Pikërisht sepse është ëndrrimtar, Jozefi “i jeton me besim e konkretësi edhe ndryshimet që i vinë nga Zoti në rrethanat e ndryshme të jetës. Kështu, kur mirëpret Marinë dhe Birin e Zotit që ka në kraharor, në shtëpinë e tij, e po kështu edhe kur niset për Egjipt, i përshtatet menjëherë kushteve të vështira të njeriut në kërkim të punës, gjë që na kujton menjëherë  punëtorët, të cilët jetojnë e punojnë në botën tonë të globalizuar.

Shën Jozefi - përfundoi atë Patton – “na mëson t’i përgjigjemi në mënyrë konkrete  situatave si dhe vështirësive, duke i përballuar një nga një, me durim, pa na lëshuar kurrë zemra”.

03 maj 2021, 11:39