2021.04.30 un mese con maria 2021.04.30 un mese con maria

“Një muaj me Marinë”: kthimi i Takashi Paolo Nagai

Kardinali Angelo Comastri e përqendron meditimin e sotëm tek figura e mjekut japonez Takashi Paolo Nagai që, duke parë sytë e nënës në shtratin e vdekjes, afrohet tek krishterimi. Me këtë reflektim, Hirësia e Tij vijon ciklin me 31 pjesë të emisioneve, që po e shoqërojnë telespektatorin në zbulimin e devocionit për Virgjërën Mari gjatë gjithë majit, muajit të cilin tradita e Kishës ia kushton Zojës, nismë e Telepaces, realizuar nga Vatican News.

R.SH. - Vatikan

Kardinali Angelo Comastri kujton jetën e Paolo Takashi Nagai-t, mjek japonez, i mbiquajtur “Shën Urakami”, që shpëtoi mrekullisht i gjallë nga bombardimet mbi Japoninë gjatë Luftës II Botërore. Në çastin kur lëshohej bomba atomike mbi Nagasakin, më 19 gusht të vitit 1945, doktor Takashi   punonte në spital. Do të kish vdekur, nëse nuk do ta mbronin nga efekti i shpërthimit, muret e laboratorit të radiologjisë, të ndërtuara me beton arme. Pavarësisht nga plagët e rënda, vijoi t’i kushtohet me gjithë shpirt  mjekimit të njerëzve të shpëtuar mrekullisht nga pasojat e bombës, e nuk u kujdes fare të ruhej prej rrezatimeve atomike, që më pas, do t’i shkaktonin leuceminë. E edhe vdekjen. U shua më 30 prill 1951, duke shtrënguar në duar Rruzaren. E dëshmitarët vijojnë të flasin akoma sot, për haraçin që pagoi ky njeri shembullor.

Feja, gurrë pavdekësie

Comastri kujton edhe të kaluarën e këtij burri të madh: një herë shintoiste, pastaj ateiste e më pas akoma, edhe materialiste, që nisi t’i afrohej kristianizmit nësa vijonte studimet për mjekësi. Para se sytë e nënës të nguleshin mbi sytë e tij, duke shënuar përfundimisht kthesën. Ai shikim - do të kujtonte më pas -  më  fliste. Më thoshte se shpirti nuk vdes. Se vijon të jetojë.  E që nga ai çast, nis të meditojë për  jetën dhe vdekjen. Bindet për pavdekësinë e shpirtit. Merr pjesë në një Meshë Krishtlindjeje, i nxitur nga një grua, që më pas do të bëhej shoqja e jetës. Quhej Midori Moriyama. Prania e saj, këngët e besimtarëve, lutjet e tyre, atmosfera gati-gati qiellore e asaj nate të madhe, e bindin përfundimisht se feja mund të jetë burim, në të cilin gjindet qetësia, e pavdekësia!  

25 maj 2021, 09:29