Në Vatikan po punon Grupi për “shkishërimin e mafieve”

Në Komisionin, krijuar pranë Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, bëjnë pjesë imzot Pennisi, Giuseppe Pignatone, don Luigi Ciotti e Rosy Bindi. Vittorio V. Alberti, koordinator, shpjegon në Vaticannews: “Duam të jetë e qartë se nuk mund t’u përkasësh mafieve e të bësh pjesë në Kishë”.

R.SH. - Vatikan

“Për të nderuar Rosario Livatinon, gjykatësin e parë të lum në historinë e Kishës, që e ushtroi guximshëm profesionin, duke e parë si mision laikal, pranë Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, u ngrit një grup pune për “shkishërimin e mafieve”, me synim, thellimin  e temës,  bashkëpunimin me ipeshkvijtë e botës, promovimin dhe mbështetjen e nismave”. E komunikon këtë sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, në përkim me ceremoninë e lumnimit, në Argrixhento të Italisë, të gjykatësit sicilian, vrarë nga mafia më 1990. Nisma është një hap i ri i impenjimit të Dikasterit, kryesuar nga kardinali Turkson, që  pati krijuar, në gusht 2018, një rrjet global ndërkombëtar kundër korrupsionit, kriminalitetit të organizuara  dhe mafieve.

Vetmia e frika, terren pjellor për mafiet

Në paragrafin e 28-të të enciklikës “Fratelli tutti”, Papa Françesku thekson se “vetmia, frika e pasiguria e një mori njerëzish, që ndjehen të braktisur nga sistemi, krijojnë terren pjellor për mafiet”. Në tekst Françesku nënvizon edhe se këto të fundit imponohen, duke e paraqitur veten si “mbrojtëse” të të harruarve, ndërsa ndjekin interesat e tyre kriminale.  Pohimi na kujton një rrezik të nënvleftësuar edhe nga kriza shoqërore-ekonomike e krijuar nga pandemia.

Mafiozët nuk janë në bashkim me Zotin!

Nga thirrja historike për kthimin e mafiozëve, shqiptuar nga Gjon Pali II në Luginën e Tempujve të Agrixhentos, në maj 1993, pasuar nga përkufizimi i mafies “udhë e vdekjes”, nga Benedikti XVI, në Palermo, më 2010, arrijmë tek “shkishërimi” i mafiozëve nga Papa Françesku, në Sibari të Kalabrisë, më 2014. Papa e quajti ‘ndraghetën” “adhurim i së keqes e përçmim i së mirës së përbashkët”, duke shtuar edhe se “mafiozët  nuk janë në bashkim me Zotin, sepse të  shkishëruar”.

09 maj 2021, 14:08