VATICAN-RELIGION-POPE-ANGELUS-REGINA COELI VATICAN-RELIGION-POPE-ANGELUS-REGINA COELI

Mianamar: arrestohet një meshtar, në vijën e parë të ndihmës për të shpërngulurit

Në Mianamar arrestohet një meshtar i dioqezës Banmaw, në shtetin Kachin, ku Kisha është në vijën e parë të ndihmës për të shpërngulurit.

R.SH. - Vatikan

Një meshtar i dioqezës Banmaw, në shtetin Kachin të Mianmarit, u arrestua nga forcat e sigurimit të shtetit. Lajmin e jep agjencia katolike e informimit mbi Kishat në Azi, Ucanews. Atë Labang Lar Di - ky emri i rregulltarit të arrestuar - po udhëtonte nga Banmaw në Myitkyina më 13 majin e kaluar, kur ushtarakët e ndaluan për t’ia kontrolluar kartën e identitetit dhe cellularin. Më pas - sipas burimeve të Kishës vendase, cituar nga  Ucanews -  e çuan në shtabin e përgjithshëm të ushtarakëve, sepse - pohuan - kishin nevojë t’i drejtonin disa pyetje. Meshtari duhet të bënte një udhëtim prej një dite ndërmjet Banmaw e Myitkyina, prandaj ishte nisur shumë heret. Ndoshta ushtarakët dyshuan se mund të kishte fotografuar me celullar të shpërngulurit e brendshëm, mbasi në famullinë e tij është një nga kampet e tyre.

Lajmi përhapet në mbarë botën

Një sivëlla i rregulltarit të dioqezës së Banmaw, duke folur për Ucanews, pohoi se, me sa duket, forcat e sigurimit interesoheshin për këto kampe, ndaj e arrestuan. E ky arrestim u krye pikërisht kur bëhen gjithnjë më të  ashpra ndeshjet ndërmjet ushtarakëve dhe Ushtrisë për Pavarësinë e Kachin(Kia). Kriza shkaktoi ikjen e 5 mijë vetëve nga shteti i Kachin e njerëzit e kishës janë tejet e angazhuar në ndihmat humanitare për të shpërngulurit, që strehohen në ndërtesat kishtare e manastiret. “Po komunikojmë me ushtarakët, duke u bërë thirrje që ta lirojnë sivëllain së shpejti” pohoi rregulltari në Ucanews.

Thirrja për lirimin e meshtarit po shtegton nëpër botë përmes mjeteve shoqërore të komunikimit e shumë njerëz, nga të katër anët, po ngrenë zërin për lirimin e tij sa më të shpejtë.

Sulm i ushtarakëve mbi kishat

Në prill, ushtarakët hynë në kishat e shtetit Kachin e edhe në të paktën pesë kisha katolike të  dioqezës së Pathein, në deltën e Irrawaddy. Shteti Kachin, në veri të vendit, gjatë një gjysëm shekulli diktaturë, pësoi më shumë sulme ushtarake, të cilat u ridukën edhe në  dhjetëvjeçarin e fundit. Në këtë shtet banojnë më se dy milionë vetë, shumica të krishterë (edhe pse në statistikat zyrtare figurojnë vetëm 40%). Ndërmjet tyre, 120 mijë janë katolikë.   

17 maj 2021, 16:11