Rezultatet e konfliktit në Gaza Rezultatet e konfliktit në Gaza

Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme: t’u njihen të drejtat palestinezëve

“Mjaft më dhunë. Nëse dëshirojmë një paqe të qëndrueshme e afatgjatë, u duhen dhënë palestinezëve të drejat e mohuara”. Kjo është thirrja e Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme, pas gjendjes së krijuar në Rripin e Gazës

R.SH. - Vatikan

Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme (MECC) u bën thirrje “vendimmarrësve” të botës dhe të gjitha forcave të interesuara të ndërhyjnë shpejt në Jeruzalem, të mbrojnë të drejtat e palestinezëve dhe të ndalojnë padrejtësitë kundër tyre. “Këta njerëz kanë të drejtë të kenë një jetë të denjë, të sigurt dhe të begatë”, shkruhet në deklaratën e sotme të Këshillit, pas përleshjeve ndërmjet palestinezëve dhe forcave izraelite të rendit në Jeruzalem.

Protestat filluan pasi u njoftua shpërngulja e familjeve palestineze nga lagjja e Sheh Xharrah, afër Qytetit të Vjetër, ku do të vendosen kolonë izraelitë. Për Këshillin e Kishave të Lindjes së Mesme, duhet ndalur pushtimi i tokave palestinezve dhe popullsisë i duhet njohur liria, dinjiteti dhe të drejtat e plota, në mënyrë që në Tokën Shenjte të arrihet një paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë. “Dhuna sjell vetëm dhunë, urrejtja sjell vetëm më shumë urrejtje, diskriminimi racor shkakton veç revolucion dhe ekstremizmi bën të lindë ekstremizëm i ri - pohon Këshilli. – Privimi nga të drejtat sjell vetëm revolta, prandaj, rrugëdalja nga ky cikël shkatërrimtar është njohja e të drejtave për të gjithë”. Për Këshillin e Kishave të Lindjes së Mesme, ky hap duhet bërë sa më shpejt që të jetë e mundur, pa mëdyshje.

 Ndërkaq, ndërsa vazhdojnë protestat, të cilat kanë shkaktuar viktima të shumta e, ndërsa vijon hedhja e raketave nga të dyja palët, ndërmjetësues egjiptianë po punojnë për të arritur një armëpushim ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, në Rripin e Gazës. Deri tani, pa ndonjë rezultat të dukshëm.

12 maj 2021, 12:13