Deir al-Surian: shpëtimi i dorëshkrimeve të krishtera

Që prej 20 vitesh, një fondacion britaniko-egjiptian punon për shpëtimin, ruajtjen dhe restaurimin e njërit prej koleksioneve më të rëndësishme dhe më prestigjioze të dorëshkrimeve të lashta: tekste të krishtera me vlera të jashtëzakonshme historike, ruajtur fshehtas me shekuj

R.SH. - Vatikan

Deir al-Surian është njëri nga manastiret më të vjetër të botës, themeluar në shekullin VI pas Krishtit, sipas një hipoteze, që mbështetet nga shumë studiues. I kushtohet Shën Marisë Nënë e Zotit e është një nga katër manastiret, që i mbijetuan erozionit, i cili shkatërroi rreth 600 të tjerët, ndërtuar ndërmjet shekujve III dhe VI. Në vite, Deir al-Surian, që ndodhet në Shkretëtirën Nitria, afër Aleksandrisë, në Egjiptin e Poshtëm, kaloi në dorën e bashkësive të ndryshme murgare nga Lindja dhe nga Etiopia, por sidomos nga Siria.

Pamje nga manastiri Deir al-Surian (foto: Angelica Tarnowska)
Pamje nga manastiri Deir al-Surian (foto: Angelica Tarnowska)

E fati i tij është i lidhur me tre emra. Mateu, Abrahami dhe Teodori: këta janë tre murgjërit sirianë, të cilët, në shekullin IX, patën për detyrë të krijonin bibliotekën e parë në këtë vend, të destinuar për të ruajtur dorëshkrime të krishtera. Në shekullin X, ajo u pasurua me 250 dorëshkrime, që abati Moisiu nga Nisbi pati sjellë nga një udhëtim 5-vjeçar në Bagdad. Që nga ajo kohë, manastiri Deir al-Surian vazhdon të ruajë shkrimet më të vjetra të krishtera në gjuhën kopte, siriake, arabe dhe etiope, si edhe veprat e Etërve të parë të Kishës, si ato të shën Gjon Gojartit dhe të shën Gregorit të Nisës.

Janë dorëshkrime unike, të jashtëzakonshme, që kanë mbetur “sekrete” për një kohë shumë të gjatë, derisa në shekujt XVIII dhe XIX disa nga veprat u vodhën nga vizitorët; disa, iu dhuruan Papës Klementi XI e tani ndodhen në Bibliotekën e Vatikanit, ndërsa disa të tjera kanë përfunduar në Bibliotekën Britanike. Për të ndaluar këtë hemorragji, murgjërit e Deir al-Surian e mbyllën bibliotekën dhe e vulosën. Për më se një shekull, ajo u harrua nga bota, derisa filloi puna e restaurimit në vitet ‘90 të shekullit të kaluar.

Dorëshkrimet e Der al-Surian në Vatikan

Fragmentet e dorëshkrimeve nën dysheme

 E, ja historia! Bibliotekari Abouna Bigoul po shkonte në “kip”, në kullën katrore të fortifikuar të manastirit, kur sheh nën dyshemenë, që po shembej, për shkak të restaurimit, disa fragmente dorëshkrimesh. Disa prej tyre ishin në gjendje të mjerueshme, pasi kishin kaluar shekuj nën hapat e murgjërve. Abouna Bigoul është prift bibliotekar, prandaj, absolutisht i vetëdijshëm për vlerën e vëllimeve të koleksionit, por nuk është ekspert dhe nuk di t’i restaurojë ato faqe të çmuara. Kështu, prifti ortodoks i shkruan Elisabeth Sobczynski-t, eksperte në Londër: “Zonjë, kemi zbuluar fragmente dorëshkrimesh shumë të vjetra në rrënojat e një dhome sekrete, dyshemeja e së cilës është shembur. Studiuesit, që punuan për afresket e kishës sonë, më dhanë emrin tuaj. A mund të vini për të na ndihmuar? Unë jam vetëm bibliotekar, nuk di çfarë të bëj… ”.

Elisabeth lexon e rilexon atë mesazh, e befasuar që i kishin shkruar asaj. Shkon në Egjipt dhe takon bibliotekarin në manastirin e tij, në shkretëtirë.

Restaurimi i një dorëshkrimi në Deir al-Surian (foto: Angelica Tarnowska)
Restaurimi i një dorëshkrimi në Deir al-Surian (foto: Angelica Tarnowska)

Fillimisht, Këshilli i manastirit nuk ka besim. Elisabeth pret me ditë pa parë libër me sy, por më në fund, në ditën e pestë, bibliotekari i jep një tufë me çelësa. Së bashku i afrohen derës së bibliotekës. Abouna Bigoul thyen vulat, dera hapet, duke ngritur një re pluhuri dhe, Elisabeth zbulon një thesar: “Ishte çast unik në jetën time”, do të thotë më vonë ajo, “një emocion i pashembullt”: 1.200 vëllime e lënë shtang. Në vitin 2005, e tërheq në veçanti, një fragment, që mban datën: “nëntor 411”.

Plotësonte përsosurisht faqen e fundit të një vëllimi, që kishte përfunduar në Bibliotekën Britanike - një dorëshkrim i çmuar, që përmban tekste të lashtësisë greke në gjuhën siriake. Në atë faqe të fundit kishte një listë me emrat e të krishterëve të persekutuar dhe të vrarë nga një mbret persian. Lista ishte hartuar me urdhër të ipeshkvit sirian Maruta për të nderuar kujtimin e martirëve. Në fund të faqes, në fragmentin e gjetur në Deir al-Surian, Maruta shkruan emrin e tij dhe datën. Ky “nënshkrim” e bën faqen tekstin më të vjetër të krishterë me datë të caktuar. E si ky episod ka edhe shumë të tjerë. Vetë zbulimi i dorëshkrimeve është histori më vete, ndërsa çka përmbahet në to është historia e njerëzimit, historia, në të cilën secili prej nesh është pjesë e pandashme.


“Levantine Foundation”

Elisabeth Sobczynski magjepset krejtësisht. Por ka mjete të kufizuara. E vetme, s’mund të bëjë tjetër, veçse të ushqejë pasionin dhe kureshtjen e saj. Por do të dëshironte që kjo trashëgimi e çmuar letrare dhe kristiane T’u transmetohej brezave të ardhshëm. Nuk mund të lejonte që të prishej aty njëri nga dy Ungjijtë më të lashtë sipas Gjonit, i plotë, i përkthyer në gjuhën kopte. Për ruajtjen e tij duhen fonde. Prandaj, Elisabeth themelon “Levantine Foudantion”, i cili merr mbështetjen e Princit Karl të Mbretërisë së Bashkuar. Donatorët gjenden menjëherë e fushata e ruajtjes së dorëshkrimeve mund të fillojë.

Biblioteka e re e Deir al-Surian (foto: Angelica Tarnowska)
Biblioteka e re e Deir al-Surian (foto: Angelica Tarnowska)

 Deri më sot, janë trajtuar 130 dorëshkrime dhe 300 fragmente, veçanërisht falë bujarisë së British Council dhe të Departamentit Britanik për Dixhitalin, Kulturën, Mediat dhe Sportin, që e mbështesin “Levantine Foudantion”, duke i dhënë mundësinë të restaurojë 22 Kode, gjatë dy viteve të fundit. Jo të gjitha veprat kanë nevojë të trajtohen, por qindra prej tyre duhet të kalojnë nëpër duart e ekspertëve të ekipit të restauratorëve, përfshirë në këtë aventurë. Vitin e kaluar, për shkak të pandemisë, puna u pezullua, por duhet të rifillojë më 2022. Elisabeth duhet t’u kërkojë sërish donatorëve të financojnë fushatat e ardhshme e, sigurisht, pandemia nuk do ta ndalë...

03 maj 2021, 12:00