2021.02.01 San Francesco dona il mantello a un povero. Si tratta di una delle ventotto scene del ciclo di affreschi delle Storie di san Francesco della Basilica superiore di Assisi, attribuiti a Giotto. 2021.02.01 San Francesco dona il mantello a un povero. Si tratta di una delle ventotto scene del ciclo di affreschi delle Storie di san Francesco della Basilica superiore di Assisi, attribuiti a Giotto.

Asizi: 800 vjet më parë, takimi i Shëna Ndout me Shën Françeskun

Të shtunë, më 29 maj nga Kuvendi i Shenjtë i Asizit, drejtpërdrejt në streaming, nga ora 16.00, transmetimi me titull: “Zoti më dhuroi një vëlla”. Në orën 19,00, lutja dhe ekspozimi i bustit relikuar të Shën Andout.

R.SH. - Vatikan

Filluan nismat françeskane kushtuar takimit të Shën Françeskut me Shën Andoun, 800 vjet më parë. Takim i jashtëzakonshëm, që shënoi një kthesë, edhe kjo e jashtëzakonshme, në udhën e françeskanizmit.  Me këtë rast,  në Sallën e shtypit të Kuvendit Shenjt të Asizit, të shtunë, më 29 maj,  duke nisur nga ora 16.00,  do të mbahen një serë takimesh me titull: “Zoti më dhuroi një vëlla. Françesku i Asizit e Ndou i Padovës, 800 vjet pas Kapitullit të rrogozave - apo rrëgostave”. Në orën 19.00, në Bazilikën e Epërme të Shën Françeskut, imzot Domenico Sorrentini, kryeipeshkëv i Asizit, do të kryesojë lutjen vëllazërore para bustit të Shëna Ndout.

Një ngjarje, që la gjurmë të thella në histori

Përkujtohet, kështu, një ngjarje që ndodhi më 30 maj 1221, kur Françesku i Asizit u takua me Antonin, që aso kohe nuk ishte ende i Padovës. Kishte dalë nga deti, pas mbytjes së varkës me të cilën lundronte nga Portugalia, në drejtim të Afrikës, për të shkelur mbi gjurmët e martirëve të parë Françeskanë, misionarë në Marok. Dilte në breg, pikërisht kur përgatitej  Kapitulli i parë, apo mbledhja e parë e madhe, e  shokëve të Françeskut, me emrin e çuditshëm i rrgostave, sepse të ulur mbi rrogoze në Kishën e Shën Marisë së Engjëjve, sot një nga Kishat më në zë françeskane, brenda mureve të së cilës ruhet Porciunkola, ku u mblodhën françeskanët, pa u shkuar as mend se që aty do të niseshim për  të shkelur në të katër anët e botës. Edhe në Shqipëri.

Do të kujtohet, të shtunë, pikërisht bukuria e takimit të dy njerëzve të dashuruar me Zotin, që vijojnë ta frymëzojnë jetën e mijëra burrave e grave vullnetmira. Në orën 19.00, në Bazilikën e Epërme të Shën Françeskut, do të kremtohet një lutje vëllazërore, para bustit të Shën Andout të Padovës, së cilës do t’i prijë kryeipeshkvi i Asizi-Nocera-Umbra – Gualdo-Tadino, Imzot Domenico Sorrentin.

Takimi i lutjes do të jetohet në praninë  e 200 vetëve e do të transmetohet në streaming drejtpërdrejt në Facebook në @sanfrancescoassisi e @fratidisantantoniodipadova.

Nisma bën pjesë në programin e projektit «Antonio 20-22»  me rastin e pëvjetoreve antoniane.

Takimi i mrekullueshëm

Këto dy figura të jashtëzakonshme të krishterimit jetuan në të njëjtën kohë, edhe pse për pak vite: nga viti 1202, deri më 1226. Po a u takuan personalisht? Po, u takuan, në tre çaste, që lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e të dyve.

Dy herë u takuan në rrethana kolektive: më 1221 Antoni mori pjesë në Kapitullin e Rrogozave, në Asizi, ku pa për herë të parë Françeskun; ndërsa më 1224 - sipas gojëdhënës - Françesku iu duk mrekullisht në Kapitullin e Arles, ndërsa Antoni po u predikonte mahnitshëm fretërve  mbi temën e Kryqit.

Më e rëndësishme eshtë pjekja e tretë e dy Shenjtorëve, në gjurmët e të cilëve do të ecnin, më pas, mijëra njerëz, e jo vetëm të krishterë.  Ndërmjet viteve 1223 e 1224 Françesku i dërgoi Antonit një biletë, përmes së cilës e autorizonte t’u mësojë vëllezërve të tij teologjinë, por duke pasur kujdes që të mos ua cënonte kohën e lutjes fretërve të tij,  programi i të cilëve përmblidhej në dy fjalë: “sy - e gjunjë”. Sy për të studiuar – e gjunjë për t’u lutur. Kështu Shën Françesku i hapi Sh’na Ndout, që asokohe ishte një farë Antoni nga Portugalia, rrugën për t’u bërë predikatar, mësues teologjie e mrekullibërës,  të cilin do ta ndiqte pas mbarë bota. Jo prej vitesh, por prej shekujsh! 

27 maj 2021, 09:29