Viktima të përdhunës Viktima të përdhunës 

Në Paksitan, dy infermiere të krishtera akuzohen për blasfemi

Dy gra të reja akuzohen për blasfemi në Pakistan, ku vijon të jetë në fuqi një ligj, të cilit i kundërvihen shumë njerëz në vende e në botë. Komisioni kombëtar për drejtësinë e paqen, udhëhequr nga ipeshkvi i Faisalbadit, po përpiqet të ndërhyjë për t’i shpëtuar dy gratë, që mund të dënohen me burgim të përjetshëm, në shpëtofshin gjallë nga sulmet e fanatikëve.

R. SH. - Vatikan

Dy infermiere të krishtera, të kërcënuara me vdekje nga turma e fanatikëve, tani janë në burg me akuzën se fyen Kuranin, krim i cili dënohet nga neni 295-B i Kodit penal edhe me burgim të përjetshëm. Ngjarja - sipas njoftimit të agjencisë Ucanews - ndodhi mëngjesin e 8 prillit. Sipas disa kolegëve të spitalit civil të qytetit, Newish Urooj, nxënëse në shkollën për infermierë, shkuli nga një dollap një  sticker, që përmbante një citim nga Kurani, domethënë, nga Profeti Muhamet. Gjë që u quajt dhunim. Infermierja tjetër, Mariam Lal, “bashkëpunoi” me të, duke e futur stickerin në xhep. Të zëna me dorë në të, të nesërmen, kur arritën në punë, të dyja gratë u sulmuan fizikisht dhe u paditën për blasfemi. Lindi menjëherë pyetja: “a do të ishin paraqitur të nesërmen në punë, nëse do ta ndjenin veten fajtore?”. Duke e ditur ç’i gjen, në një vend ku vdekja të zë pritë akoma për ‘krime’, të shlyera kahmot nga listat penale të botës? Arritja e policisë i shpëtoi nga një rrezik më i madh, në se mund ta quajmë kështu arrestimin e tyre të menjëhershëm. Tani ndodhen në komisariat, ku dje shkoi t’i vizitonte një delegacion meshtarësh e anëtarësh të Komisionit kombëtar për drejtësinë e paqen, kryesuar nga ipeshkvi i Faisalabad, imzot Indrias Rehmat.

Raste të shumta qëndrimesh të padenja

Ky i Newish Urooj e Mariam Lal është rasti i fundit, në një listë të gjatë viktimash të ligjit mbi blasfeminë, që përveç dënimit me burgim të përjeshtshëm, parashikon edhe atë me vdekje, në ato raste që shikohen si fyerje të Profetit Muhamet, të Islamit a të Kuranit. Ligj ky, që pushtoi kronikat botërore me rastin e Asia Bibit,  e liruar pasi u mbajt padrejtësisht  për vite e vite në burg, pa marrë parasysh denoncimin e pakicave fetare në vend. Por deri më sot të gjitha përpjekjet për ta modifikuar Kodin penal, shkuan kot! E  arrestimet, fyrjet, dhunimet, rrënimi i jetëve vijon…

11 prill 2021, 13:59