Migrantët e Rrugës Ballkanike Migrantët e Rrugës Ballkanike

Me pranverën, rritet numri i refugjatëve në “rrugën ballkanike”

Atë Stanko Perica, drejtor i Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët në Evropën Jug-lindore, nga Bihaçi: “Kampet janë të mbipopulluara, por qeveria boshnjake nuk ndërton të tjerë, madje, popullsia kërkon të mbyllen edhe ekzistueset”. Alternativa e vetme për këtë migrim “çnjerëzor”, nënvizon ai, “janë korridoret humanitare”

R.SH. - Vatikan

Po vjen pranvera në Bihac dhe në 5 kampet e refugjatëve rreth qytetit boshnjak, në kufi me Kroacinë, përveç 8.000 migrantëve, të cilët kanë kohë që presin të hyjnë në Evropën e “të pasurve”, të tjerë vijnë nga Serbia. Problemi është se kampet janë të mbipopulluara, shpjegon atë Stanko Perica, drejtori kroat i Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët në Evropën Jug-lindore (Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi), i cili shpjegon se kështu, po shtohet numri i refugjatëve, që jetojnë “në gjendje të keqe, në pyll, ose në ndërtesa të braktisura, duke kërkuar ndihmë”.

Atë Stanko Perica rrëfen një refugjat në Bihaç
Atë Stanko Perica rrëfen një refugjat në Bihaç

Mbërrijnë në Bihaç nga Greqia, përmes Serbisë

Atë Stanko flet për situatën dramatike të më se 16.000 refugjatëve në të ashtuquajturën “Rruga Ballkanike” (të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin(IOM), viti 2020), në një video të transmetuar të martën, gjatë paraqitjes së Raportit 2021 nga Centro Astalli, zyra italiane e Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët. Ai kujton se qeveria boshnjake e ka të vështirë të administrojë fluksin e migrantëve, që mbërrijnë nga Greqia, përmes Serbisë (ku sipas IOM-it, në vitin 2020, kaluan pothuajse 40 mijë refugjatë).

Shpërndarja e ushqimeve dhe e ilaçeve gjatë këtij dimri  në Bihaç
Shpërndarja e ushqimeve dhe e ilaçeve gjatë këtij dimri në Bihaç

Më se 2 mijë vetë jashtë kampeve të refugjatëve

Pas hapjes së kampit “famëkeq” të Vučjak-ut, një ish-depozitë mbeturinash disa kilometra nga kufiri kroat, pa ujë dhe energji elektrike, atë Perica shpjegoi se në vitin 2020, pas një zjarri, që shkatërroi kampin e ri të refugjatëve në Lipa, disa qindra migrantë, mbetën pa strehim. Sot janë pothuajse 2.000 dhe Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët i ndihmon “me ushqime, ujë, rroba, këpucë, ilaçe, integratorë për të forcuar imunitetin, që dëmtohet nga ushqimi i keq”. “U ngarkojmë celularët - thotë atë Perica – u shpërndajmë karikatorë dhe panele diellore që të kenë së paku energji elektrike dhe dritë gjatë natës. Kemi 18 ndërmjetësues kulturorë, që flasin gjuhën e migrantëve. Prej tyre, e dimë se çfarë kanë nevojë dhe përpiqemi t’ua lehtësojmë vuajtjet”.

Vullnetarët e Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët ndihmojnë në përpiilimin e dokumenteve, Bihaç
Vullnetarët e Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët ndihmojnë në përpiilimin e dokumenteve, Bihaç

Atë Perica: familjet e ndara nga kufiri kroat

Për Vatikan News, atë Stanko Perica shpjegon se s’është ndërtuar ndonjë kamp i ri për 2.000 refugjatët, që enden në pyjet përreth Bihacit, as për ata që vazhdojnë të mbërrijnë nga Serbia:

Me ardhjen e pranverës, gjendja bëhet gjithnjë e më dramatike. Nuk ka më vend në kampet e refugjatëve, që janë mbipopulluar, por ka edhe presion nga vendasit, që kërkojnë mbylljen e kampeve ekzistuese. Gjithashtu, mbërrijnë migrantë të rinj nga Serbia dhe ata, që janë të pranishëm në Bosnjë, nuk mund ta kalojnë kufirin me Kroacinë. Kështu, numri i refugjatëve që jetojnë jashtë kampeve, në kushte të këqija, në pyll, ose në ndërtesa të braktisura, në kërkim të ndihmës, rritet gjithnjë e më shumë. Kufiri me Kroacinë është i mbyllur, por njerëzit arrijnë ta kalojnë pas shumë përpjekjesh. Ka shumë familje, që ndahen: gratë shkojnë vetëm me fëmijët, ndërsa burrat rrinë në Bosnjë. Disa kanë arritur ta kapërcejnë kufirin vetëm pasi kanë provuar çdo ditë, për 7 muaj me radhë. Në Velika Kladuša (në veri të Bosnjës, në kufi me Kroacinë), nuk mund të jepet asnjë lloj ndihme, sepse shteti boshnjak i do migrantët në kampet e refugjatëve dhe nuk i lejon organizatat humanitare të veprojnë në atë zonë. Në të ardhmen, duhet menduar më shumë për këtë lloj migrimi çnjerëzor. Shembull i mirë janë korridoret humanitare, përmes të cilave, njerëzit e persekutuar arrijnë ligjërisht në një shtet e merren në ngarkim nga individë, organizata, ose famulli.

27 prill 2021, 08:30