Vaksinimi kundër malaries në Afrikë Vaksinimi kundër malaries në Afrikë

Malaria, projekt i mjekëve Cuamm në Sudanin e Jugut

Me rastin e Ditës Botërore të Malaries, shoqata “Mjekët me Afrikën CUAMM” njofton mbi përhapjen e kësaj sëmundjeje në Afrikë dhe mbi projektin e saj të parandalimit dhe të diagnostikimit në Sudanin e Jugut. Drejtori, don Dante Carrano: “Malaria trajtohet në qendrat shëndetësore periferike”

R.SH. - Vatikan

Malaria ende vret qindra mijëra njerëz çdo vit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se gjatë vitit 2019, në gjithë botën ka pasur 229 milion raste me këtë sëmundje dhe 409 mijë viktima. Tashmë e harruar në Perëndim, kjo sëmundje është akoma e rrezikshme në Afrikë, ku regjistrohen 94% e infeksioneve. Në vitin 2020, me përhapjen e pandemisë Covid-19, sipas denoncimit të Fondit Global për luftën kundër HIV-it, Tuberkulozit dhe Malaries, diagnostikimi i malaries u ul me 31% e kjo do të thotë se viktimat do të shtohen, pasi nuk do të kenë mundësinë të trajtohen si duhet. “Është një nga ato patologji që, së bashku me tuberkulozin dhe HIV-in, po përhapen me shpejtësi në gjithë kontinentin afrikan – thotë në mikrofonin e Vatican News, don Dante Carrano, drejtori i shoqatës “Mjekët me Afrikën CUAMM” – pavarësisht se kjo është një patologji, për të cilën dimë gjithçka nga këndvështrimi mjekësor, mund të trajtohet e të parandalohet”.

Projekti i CUAMM në Sudanin e Jugut

Objektivi i projektit të ri të ojq-së në Sudanin e Jugut është përmirësimi i gjendjes, duke filluar nga fshatrat e ish-shtetit të Amadit. Gjatë vitit 2020, Sudani i Jugut pati 331.000 raste me malarie dhe 243 vdekje; 128.000 vetë prej të sëmurëve ishin fëmijë nën moshën pesë vjeç e 114 prej tyre humbën jetën. “Po mbështesim pesë spitale, pesë rrethe - vazhdon don Dante - në një nga vendet më të varfra dhe më të brishta në botë. U japim njerëzve informacion dhe rrjeta kundër mushkonjave, që përhapin malarien, pastaj, bëjmë teste të shpejta për diagnostikimin e saj, duke ndihmuar laboratorët, aty ku ka të tillë e, së fundi, e trajtojmë sëmundjen. I bëjmë të gjitha këto në bashkëpunim me autoritetet lokale, në mënyrë që në fund të projektit, këto veprimtari të mbahen në këmbë me forcat vendore”.

OBSH: të çrrënjoset malarja në 25 vende të tjera, brenda vitit 2025

Pak ditë më parë, në prag të Ditës Botërore kundër Malarjes, që u kremtua më 25 prill, Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërmori një nismë të re, të ashtuquajturën E-2025. Në listën e mëparshme prej 17 vendesh, nën ombrellën e OBSH-së, u shtuan edhe 8 shtete të tjera, që ende s’kanë arritur ta zhdukin sëmundjen: Guatemala, Hondurasi, Panamaja, Republika Dominikane, Koreja e Veriut, Sao Tome-e-Principe, Tajlanda dhe Vanuatu, në jug të Paqësorit. Deri në fund të vitit 2020, 24 vende arritën ta ndalin transmetimin e malaries për të paktën 3 vite me radhë. 11 prej tyre, OBSH-ja i deklaroi të lira nga sëmundja. Ndërkaq, vaksina e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit dhe e eksperimentuar në Burkina Faso në 450 fëmijë, duket se ka një efikasitet prej 77%. Objektivi është që brenda vitit 2025, të deklarohen të lira nga malaria edhe 25 vende të tjera.

26 prill 2021, 12:07