Vatican News

Klima: Save the Children, “710 milion të mitur në rrezik”

Sipas organizatës ndërkombëtare “Save the Children”, rreth 710 milion fëmijë dhe të rinj jetojnë në 45 vende, që ndodhen në rrezik, për shkak të ndryshimeve të klimës.

R.SH. - Vatikan

“Vlerërohet se 710 milion fëmijë jetojnë në 45 vende, me rrezikshmërinë më të lartë, për shkak të ndryshimit të klimës. Përmbytje, thatësira, uragane dhe ngjarje të tjera të skajshme, që kanë të bëjnë me motin, do të ndikojnë tejet thellë në jetën e fëmijëve më të varfër dhe në atë të familjeve të tyre. Të miturit mund të vuajnë nga mungesa e ushqimit, nga sëmundjet dhe nga probleme të ndryshme, si mungesa, ose rritja e niveleve të ujit e, madje, edhe nga ndonjë kombinim i këtyre faktorëve”. Këtë deklaron organizata ndërkombëtare “Save the Children”, në prag të Ditës Botërore të Tokës, që kremtohet çdo vit, më 22 prill. Sipas statistikave të publikuara me këtë rast, në gjithë globin, qindra milionë të mitur jetojnë në zona ku ndryshimet e klimës po ndikojnë thellësisht në jetën e tyre. Pasojat e krizës së prodhimit ushqimor, sipas organizatës jo qeveritare, “do të çojnë në mungesën e ushqimit në nivel lokal dhe në rritjen e çmimeve, me efekte shkatërruese për familjet më të varfra”.

Gjendja më e vështirë në Afrikë

Analiza e “Save the Children” vë në dukje se 70% e vendeve më në rrezik ndodhen në Afrikë. “Pasojat e ndryshimit të klimës po e përkeqësojnë situatën në Jemen, ku konflikti tashmë ka shkaktuar mungesa të mëdha ushqimi, duke lënë miliona fëmijë me rrezikun e urisë; fëmijët në Bangladesh kanë probleme, për shkak të përmbytjeve, cikloneve dhe ngritjes së nivelit të detit; malaria dhe ethet hemorragjike mundojnë fëmijët dhe adoleshentët në Republikën Demokratike të Kongos”. “Shtimi i ngjarjeve të skajshme atmosferike mund të çojë në rreziqe të reja për shëndetin, aty ku sistemi shëndetësor është i mbingarkuar”, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Rreziku është i madh edhe për fëmijët e tjerë

“Ndërsa të gjithë fëmijët preken nga ndryshimi i klimës, ata që jetojnë në varfëri, konflikt, ose në zona në rrezik urie a katastrofash, do të vuajnë më shumë, sepse kanë më tepër vështirësi në plotësimin e nevojave të tyre themelore. Por edhe vendet, që konsiderohen me rrezik të ulët, përballen me kërcënime, si zjarret në pyje, përmbytjet, thatësirat dhe ngjarje të tjera të motit”. “Save the Children” kërkon “veprime drastike për t’u siguruar që fëmijët dhe familjet e tyre janë në gjendje të përballojnë pasojat e krizave aktuale dhe të ardhme, shkaktuar nga ndryshimet e klimës”.

19 prill 2021, 14:09