Manifestimi i riders në Nju Jork (21.04.2021) për të kërkuar më shumë të drejta në punë Manifestimi i riders në Nju Jork (21.04.2021) për të kërkuar më shumë të drejta në punë

Dita për Sigurinë në Punë: punonjësit shëndetësorë, më të prekurit nga pandemia

Sot kremtohet Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, themeluar nga OKB-ja. Në një vit të karakterizuar nga koronavirusi, infermierët mbeten kategoria më e rrezikuar, ndërsa ekspertët vënë në dukje edhe dëmet psikologjike të të ashtuquajturës “smartworking”

R.SH. - Vatikan

Gjatë një viti pandemie, çështjet e kujtuara nga Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, që kremtohet sot nga OKB-ja, janë bërë edhe më të ndjeshme. Kjo ditë kremtohet së bashku me Ditën ndërkombëtare të përkujtimit të punëtorëve të vdekur, ose të lënduar a të sëmurë gjatë punës. Në botë, kujton Organizata Ndërkombëtare e Punës, janë veçanërisht në rrezik punonjësit e shëndetësisë, por edhe gjendja e të tjerëve është vështirësuar, për shkak të pandemisë. 136 milion punonjës jetojnë çdo ditë me rrezikun për t’u infektuar nga Covid-19. 14% e pozitivëve me koronavirus, në gjithë botën, janë mjekë, infermierë, ose punonjës të tjerë shëndetësorë e kjo shifër arrin në 25% në Evropë. 7 mijë, viktimat botërore, prej të cilave, 2500 vetëm në kontinentin amerikan.

Gjendja në Shqipëri

            Nëse shohim gjendjen në Shqipëri, ajo renditet e fundit në rajonin e Evropës Juglindore, përsa i përket kapaciteve shëndetësore në klinika, spitale e qendra të kujdesit shëndetësor (raport i Bankës Botërore, 2020), me më pak se 3 shtretër çdo 1000 banorë, gati gjysma e mesatares rajonale. Gjithashtu, sistemi vuan nga mungesa e mjeteve bazë mbrojtëse për personelin shëndetësor. Masat e marra kundër koronavirusit i shkaktuan dëme ekonomisë, duke shtuar papunësinë, por edhe duke vënë në rrezik jetën e kategorive të caktuara punonjësish. Përveç atyre shëndetësorë, në raportet e publikuara në Shqipëri, vihet në dukje qëndrimi i mbajtur sidomos ndaj punonjësve të “call center”-ave, atyre të industrisë së tekstilit e këpucëve dhe të minierave, që qëndruan hapur edhe gjatë karantinimit të plotë të popullsisë, vitin e kaluar. Pa masat mbrojtëse të përshtatshme, shpesh, vendet e punës u bënë vatra infeksioni me koronavirus. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për punonjësit e shërbimit e të pastrimit. Përveç kësaj, nëse në vende të tjera numri i të aksidentuarve në punë gjatë pandemisë është ulur, në Shqipëri ka mbetur i lartë. Sipas një raportimi të Inspektoriatit të Punës, vetëm në 6 muajt e parë të vitit të kaluar janë regjistruar 78 aksidente në punë, nga të cilat 16 kanë përfunduar me vdekje. Sektorët më të prekur janë: ndërmarrjet prodhuese (20), minierat (16) dhe ndërtimi (13).

Dëmet psikologjike të pandemisë

         Përveç problemeve shëndetësore të lidhura ngushtë me virusin, pandemia ka shkaktuar edhe dëme psikologjike, të cilat vështirë të kuptohet ç’pasoja do të kenë në të ardhmen. Një e pesta e punonjësve shëndetësorë në botë ka pasur simptomat e ankthit e të depresionit, ndërsa 65% e kompanive të anketuara nga Organizata Ndërkombëtare e Punës raportojnë se punonjësit e tyre kanë pasur vështirësi gjatë punës në shtëpi, gjatë së ashtuquajturës “smartworking”.

Smartworking nuk është “punë e dorës së dytë”

Sidomos sindikatat katolike nënvizojnë se puna në shtëpi synon të marrë parasysh nevoja të veçanta të punonjësve, por, për shkak të pandemisë, ajo u bë e domosdoshme. Edhe në këtë fushë ka pasur vështirësi dhe abuzime, si për shembull, lidhja e vazhdueshme e punonjësve me kompiuterin, pa respektuar orarin e punës e të drejtën për t’u shkëputur e për t’iu kushtuar familjes e veprimtarive personale gjatë ditës. Gjithashtu, me mbylljen e kopshteve e të shkollave, barra e kujdesit për fëmijët është rënduar e në disa vende, prindërve nuk u është njohur e drejta për të marrë leje, kur kanë fëmijë të vegjël në shtëpi, ose të moshuar me probleme. “Smartworking”, nënvizojnë sindikatat, nuk është punë e dorës së dytë, por si për gjithë të tjerat, duhen vendosur norma, që parashikojnë të drejtat e detyrat e punonjësit.

Më shumë siguri për të padukshmit

         Edhe më vendimtar, në këtë fazë të pandemisë, është zbatimi i protokolleve të sigurisë në punë, sidomos në vende të mbyllura, ku, siç denoncon Organizata Ndërkombëtare e Punës, mundësitë për infektim me koronavirus janë gati 19 herë më të larta në krahasim me vendet e punës në ajër të pastër. Hapa të rëndësishme janë bërë për standartizimin e mbrojtjes së punonjësve, por gjithnjë, është e nevojshme një aleancë me punëdhënësit për t’u siguruar të gjithëve maksimumin. Një aspekt i veçantë janë “të padukshmit”. Është fjala për njerëz, që punojnë në shtëpitë e të tjerëve, në ndihmë të të moshuarve, ose në ndihmë të familjeve për mirëmbajtjen e shtëpisë, por edhe për ata që kryejnë punë ditore, për ata që shpërndajnë pako, të cilëve u është shtuar puna gjatë pandemisë, nganjëherë, me rrezikun për t’u infektuar më lehtë, ose për t’u shfrytëzuar më rëndë.

28 prill 2021, 12:34