Selia e parlamentit evropian në Strasburg Selia e parlamentit evropian në Strasburg

70 vjet më parë, ideja e paqes në Evropë: lindi Bashkësia Evropiane e Qymyrit dhe Çelikut

Të nesërmen e një Lufte II Botërore me pasoja katastrofike, krerët më të shndritur të kontinentit të vjetër nënshkruan traktatin, që lidhte gjashtë vende për prodhimin e lëndëve të para thelbësore për industrinë e luftës. Për të përjashtuar mundësinë e luftrave të tjera, lindi Bashkësia Evropiane e Qymyrit dhe Çelikut. Nuk ishte thjesht marrëveshje ekonomike, por akti themeltar i një strukture institucionale pararendëse e Bashkimit Evropian

R.SH. - Vatikan

Më 18 prill 1951 u nënshkrua Traktati i Parisit, duke themeluar Bashkësinë Evropiane të Qymyrit dhe Çelikut, me iniciativën e politikanëve francezë Jean Monnet dhe Robert Schuman, të kancelarit gjerman Konrad Adenauer dhe të kryeministrit italian Alcide De Gasperi. Qëllimi ishte të bashkohej prodhimi i dy lëndëve të para të rëndësishme në një Evropë me gjashtë vende: Belgjika, Franca, Gjermania Perëndimore, Italia, Luksemburgu dhe Hollanda. Pas Deklaratës historike të Robert Schuman-it në vitin 1950, lindja e Bashkësisë ishte hapi fillestar i procesit federal evropian. Ishte një hap vendimtar dhe i guximshëm, siç shpjegon ekonomisti italian Paolo Guerrieri, profesor në universitete të ndryshme ndërkombëtare.

Hapej horizonti i integrimit evropian

Guerrieri kujton se propozimi për krijimin e Bashkësisë Evropiane të Qymyrit dhe Çelikut, menduar nga Jean Monnet dhe njoftuar nga Robert Schuman, që atëherë ishte ministër i jashtëm i Francës, u pranua shpejt nga të gjitha vendet, që ratifikuan Traktatin në më pak se një vit. Ai hyri në fuqi më 23 korrik 1952. Në fakt, kjo Bashkësi ishte hapi pioneristik drejt Traktatit të Romës të vitit 1957, me të cilin u themelua Bashkimi Ekonomik Evropian, që u kthye në Bashkim Evropian në vitin1992. Guerrieri thekson se pikërisht me rastin e lindjes së Bashkësisë Evropiane të Qymyrit e Çelikut më 1951, shtetet anëtare nënshkruan edhe një sërë protokollesh dytësore mbi privilegjet dhe imunitetin e Bashkësisë, mbi statutin e Gjykatës së Drejtësisë dhe të Këshillit të Evropës. Ishin forma embrionale të Bashkimit të ardhshëm Evropian.

Vendime ekonomike si strategji politike

Zgjedhja e sektorit të qymyrit dhe çelikut, vijon Guerrieri, u justifikua nga shumë faktorë: së pari, vendndodhja e depozitave kryesore të këtyre elementeve, që shtrihej gjerësisht në kufirin ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, (pellgu i Ruhrit, Alsazës dhe Lorenës), zonë konfliktesh të përgjakshme në të kaluarën. Përveç kësaj, objekti i marrëveshjes ishte burimi themelor për prodhimin e armëve dhe të materialeve luftarake, prandaj, parandalonte një armatosje të fshehtë për të gjitha kombet e përfshira. Pas aspektit thjesht ekonomik, shpjegon ekonomisti, qëndronte dëshira për t’i bashkuar armiqtë e vjetër, të tmerruar nga Lufta II Botërore, duke kontrolluar lëndët e para të luftës. Në thelb, çdo shtet hiqte dorë nga një pjesë e sovranitetit të vet, gjë e paimagjinueshme deri atëherë. Kjo e bëri Bashkësinë një lloj organizmi mbikombëtar. Barrierat doganale u hoqën e mallrat filluan të qarkullonin lirisht. Ky treg i lirë u hap më 18 shkurt 1953 për karbonin e më 1 maj për çelikun. Përveç Francës e Gjermanisë, ishin të interesuar edhe shtetet e Benelux-it dhe shtetet kufitare me dy vendet kryesore.

Refuzimi i Britanisë së Madhe

Gjatë bisedimeve paraprake e, edhe pas një viti, në çastin e hyrjes në fuqi të Traktatit, Londra refuzoi, për të hyrë në këtë marrëveshje vetëm në vitin 1973, gjithnjë duke mbajtur një status të veçantë. Procesi i rishikimit të këtij vendimi filloi që në kohën e kryeministres Margareth Thatcher, për të përfunduar në vitin 2016 me referendumin në favor të Brexit, pra, të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Kremtimet, duke parë drejt së ardhmes

Dje e sot, Bashkimi Evropian kremton përvjetorin e themelimit të bërthamës së parë të vet. Dje, ministrat e jashtëm dhe zv.sekretarët për Punët Evropiane të gjashtë vendeve themeluese nënshkruan një deklaratë, me të cilën kërkojnë një marrëveshje ambicioze për klimën në Evropë, të barabartë e gjithëpërshfirëse për shtetet anëtare, të tillë që ta bëjë Evropën qendër të diplomacisë ndërkombëtare përsa i përket klimës dhe enrgjisë së pastër. Sot, në orën 13.00, bashkëpresidentët e komitetit ekzekutiv, në një konferencë shtypi në Bruksel, paraqesin platformën e re dixhitale të Konferencës për të ardhmen e Evropës. Ky plan është nisur nga institucionet e Bashkimit Evropian më 10 mars 2021 për të projektuar një Evropë në lartësinë e kohrave. Platforma dixhitale është një hapësirë shumëgjuhëshe online për të mbledhur kontributet e qytetarëve, të cilët do t’i japin Komisionit Evropian ide për planet e së ardhmes.

19 prill 2021, 10:31