Mons Zef Oroshi, nё pёrvjetorin e vdekjes

Mons. Zef Oroshi prift, teolog, intelektual e atdhetar me shpirt e zemër të madhe. Një jetë e tërë në shërbim e në mbrojtje të popullit e të kishës, të vendlindjes e të thesarit kombëtar: ky me pak fjalë qe meshtari misionar, dom Zef Oroshi.

R.SH. - Vatikan

Mё 15 mars kujtojmё pёrvjetorin e kalimit nё amshim tё Mons Zef Oroshit, i cili si sot, më 15 mars të vitit 1989 ndërroi jetë në New York. 

Mons Zef Oroshi (1912-1989) prift, teolog biblist, intelektual e atdhetar i shquar, një jetë e tërë në shërbim dhe në mbrojtje të popullit e të Kishës, të vendlindjes e të thesarit kombëtar, qe themelues dhe udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare "Zoja e Kёshillit tё Mirё" (Zoja e Shkodrës) për diasporën shqiptare në New York. 

Më 15 mars 1989, në prag të festës së Shën Jozefit, në një nga spitalet e Bronx-it në Nju-Jork, në moshën 74 vjeçare, nga një sëmundje e gjatë dhe e pashërueshme, kaloi në jetën e pasosur meshtari shqiptar mons Zef Oroshi. Ky meshtar i përkushtuar, tërë jetën ia kushtoi Zotit e popullit, qe punëtor i palodhur në shërbim të Fesë e të Atdheut. Me besimtarët katolike të gjithë shqiptarët e detyruar të jetojnë në SHBA si emigrantë, dom Zef Oroshi ndau me ankthet, dhimbjet, por edhe qëndresën e shpresat.

Qe bashkatdhetar i nderuar i diasporës shqiptare në SHBA, atdhetar e antikomunisti i vendosur, fetari i bindur dhe i përkushtuar në misionin e tij meshtarak. Mbrojti e kultivoi vlerat ungjillore, vlerat burrnore e kukturore të bukura shqiptare në demokracinë më të madhe të botës, në shoqërinë e lirë siç ishte e është ajo amerikane. Dom Zef Oroshi themeloi  bashkësinë e parë katolike shqiptare dhe hapi Kishën katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork të SHBA-së, për diasporën shqiptare të përbërë  nga emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi.

Ashtu sikurse dje edhe sot komuniteti i madh shqiptaro amerikanë ruan kujtime të pashlyera për njeriun me zemër të mirë, meshtarin e përkushtuar për trinomin shumë shekullor Fe – Atdhe – Përparim, sikurse e thirrshin të gjithë dom Zef Oroshin, sepse ai ishte shumë i thjeshtë e i dashur me të gjithë bashkëatdhetarët e tij, pa dallim feje dhe krahine dhe me amerikanët me të cilët ai kishte kontakte të vazhdueshme.

Dom Zef Oroshi, lindi më 23 nëntor 1912, në vendin ku jeta dhe dielli lindte e perëndonte në hapësirën krenare të Sarajave të Gjonmarkut të Mirditës, aty ku në oborrin e Kishës së Abacisë së Oroshit e kaloi fëmijërinë dhe në shkollën e saj e mësoi për herë të parë abetaren e gjuhës së ëmbël shqipe.

Pas mësimeve fillestare, Zef Oroshi vijon studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Një ndër mësuesit më të dashur që e deshti dhe e mbajti afër gjithnjë ishte poeti i njohur Dom Ndre Mjedja. Më 1937 shkon në Romë ku vijon studimet e larta të filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor ‘Urbaniana’ të “Propaganda Fides” dhe më 23 mars 1940 shugurohet meshtar e kthehet në Shqipëri . Në Atdhe si meshtar i ri shërbeu si sekretar i Abatit të Mirditës Mons. Frano Gjinit , po kështu shërbente si meshtar në bashkësinë Kishtare në Ungrej.

Me 1951, ndërsa po kremtonte Meshën Shenjte në Kishën e Ungrejt të Lezhës, njerëz të regjimit komunist, anti-fetar e anti-shqiptar, hyjnë në Kishë për ta arrestuar, por me ndihmën e besimtarëve kaloi nga dera e pasme e Kishës dhe u arratis në mal, ku qëndroi tetë muaj në një dimë të egër. I kërkuar e rrezikuar me jetë kudo nga forcat e sigurimit komunist, meshtari i guximtar Pagëzoi me dorën e tij fëmijën e fundit në Atdheun e pushtuar nga komunistët dhe u detyrua të largohej…

Po në këtë vit dom Zefi në pyllin e Molungut në fashatin Berzane, papritmas e duke rrezikuar me jetë, kremtoi Meshën e Mundimeve të Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar, të Dielën e Larit, me dafina, për 14 luftëtarët e lirisë, të cilët kishin vendosur të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut kundër vendosjes së regjimit komunist e ateist në Shqipëri.

Pasi detyrohet të ikën nga vendlindja, dom Zef Oroshi kalon në Jugosllavi, e këtu në fillim  regjistrohet për të vazhduar studimet në Beograd, por më pas kalon në Itali, ku mbaroi doktoratën në teologji e histori, duke studiuar nga afër veprimtarinë e Kishave katolike në Irlande gjatë shekullit 12-të. Gjatë veprimtarisë së tij meshtarake në Romë dom Zef Oroshi punoi me emigracionin shqiptar që largohej nga vendlindja për të shpëtuar nga persekutimi i regjimit komunist, e ndihmoi ata që të pajiseshin me dokumente dhe leje për ato shtete ku dëshironin të shkonin, sipas rregulloreve e ligjeve të kohës, në Shtetet demokratike si Italia e vende të tjera.

Dom Zef Oroshi studiues i pasionuar i Biblës

Dom Zef Oroshi qe studiues i pasionuar i Biblës, Shkrimit të Shenjtë. Përktheu në gjuhën shqipe “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujvet” nga Besëlidhja e Re. Këtë vepër të rëndësishme e tejet të nevojshme për bashkësinë katolike shqiptare, dom Zef e shkroi, siç pohon në parathënie “ per dobì shpirtnore e morale të lexuesavet, dhe nji ndihmesë e përvujtë gjuhës shqipe”. Në këtë kryevepër të tij, sikur pohon në hyrje at Zef Valentini, dom Zefi në vazhdim me traditën e nisur që me dom Gjon Buzukun e të tjerë “njij të tillës punë ka dashtun me i u vù, me pregatitjen shkencore të nevojshme e me njaq ndihmë librash sà duhen, përkthyesi i ynë. Ai (dom Zefi) çështjen prej anës së vet e preu tue zgjedhun nji gjuhë të përbàme me elementa mjaftë të përdoruna e të kuptueshme për çdo shqiptàr, veç rrallë e me arsye tue kërkuem ndonji shprehje të veçantë e cila, por, mund të kuptohet mjaftë lètas, nemose tue mbajtë kontekstin para sysh. Po shka mà fort na gëzon – në nji kohë si e jona kùr gjithkund kërkohet rindërtimi i njaj gjuhe të përbashkët, ekumenike, ndër krahina të ndryshme të Kështenimit, sidomos kùr piqen në nji kòm të vetëm – àsht se ketë përkthim, jo mà pak e ndoshta dishka mà tepër se përkthimin gegërisht të Kristoforidhit mund ta kuptojë çdo shqiptàr, gegë a toskë, latin o bizantin, e se prandej ai mundet m’u bà truesë e vegël nierzore e hyjnore shoqnimi. Përkthimi ka dalë, për sà mund të gjikohet në temel të dijenìs së soçme të Dhiatës së Ré, i përpikët. Besoj se edhé mjaftë i gjashëm me stilin e origjinalit”.

Pikë referimi pёr diasporën shqiptare

Në aspektin kishtar e fetar dom Zef Oroshi bashkëpunoi me të gjithë meshtarët e rregulltarët shqiptarë të diasporës si dom Prenk Ndrevashaj, edhe ai meshtar i diasporës shqiptare në Detroit të SHBA-së, me françeskanin at Adrea Narkaj, me bashkëpunëtorin e ngushtë e ndihmësin, dom Rrok Mirdita, që më 1993 emërohet kryeipeshkëv i Tiranës. Në fushën atdhetare e kulturore dom Zef Oroshi bashkëpunoi shumë me shkrimtarin prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, atë Zef Valentinin, dom Prek Ndrevashen e shumë personalitete tjera.

Përveç veprës së përmendur 'Kater Ungjijt dhe Punet e Apostujve”, dom Zef Oroshi përktheu në gjuhën shqipe një doracak me uratë Visarthi Shpirtnuer”, “Ungjillin e Shen Mateut” si dhe drejtoi për shumë vite revistën "Jeta Katholike Shqiptare”.

Me ardhjen e tij ne SHBA në vitin 1962, pa humbur kohë dom Zef Oroshi nisi punën për afrimin dhe bashkimin e komunitetit shqiptar në SHBA e posaçërisht në Nju Jork, duke krijuar së pari Lidhjen Katolike Shqiptare në Amerikë dhe pas shtatë vitesh arriti që Natën e Shenjtë të Krishtlindjes së vitit 1969 me kremtimin e Meshës së Shenjtë të përuronte Kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë, atë të “Zonjës së Shkodrës” .

E vërtetë dom Zef Oroshi luftoi shumë për mbrojtjen dhe organizimin e bashkësisë shqiptare të diasporës, pa dallim e pa përjashtim, pati marrëdhënie vëllazërore me Kishën ortodokse shqiptare të themeluar nga peshkopi shqiptar Fan Noli, me bashkësinë islame shqiptare të diasporës amerikane dhe me të gjithë ata që vepronin për të mirën e kombit shqiptar e për Atdhe.

Më tepër për jetën dhe veprimtarinë meshtarake e atdhetare të dom Zefi Oroshi, përveç shkrime të shumta, janë shkruar edhe disa libra: “Mons. dr. Zef Oroshi – një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, jetëshkrim, New York, 2009;  “Vigan në Krisht e Vatan 2003, nga nga Zef Pergega; “Një jetë i përgjuar” (NeW York, 2020), e cila përbën Dosjen e plotë të Sigurimit të shtetit komunist për meshtarin mirditor mons. dr. Zef Oroshinnga Shtëpia Botuese Volaj, Shkodër; 4 libra monografikë kushtuar dom Zef Oroshit nga studiuesi Tomë Mrijaj etj.

15 mars 2021, 11:36