Zbulimi i fragmenteve biblike në Izrael Zbulimi i fragmenteve biblike në Izrael

Fragmente biblike gjatë gërmimeve në Izrael, thesar unik

Datojnë 2.000 vjet më parë dhe janë shkruar kryesisht në greqisht, duke nxjerrë në dritë pjesë të teksteve të dymbëdhjetë profetëve të vegjël. Vlera dhe historia e këtij zbulimi të jashtëzakonshëm nga ana e Autoritetit të Antikiteteve të Izraelit, në fjalët e Marcello Fidanzio-s, profesor i Ambientit Biblik në Fakultetin e Teologjisë së Luganos dhe drejtor i Institutit të Arkeologjisë dhe Kulturës së Trojeve Biblike

R.SH. - Vatikan

Është zbulimi arkeologjik më emocionues dhe më i bujshëm i rrotullave biblike, gjatë 60 viteve të fundit. Në Shkretëtirën e Judës, territor që shtrihet ndërmjet Izraelit dhe Cisjordanisë, falë gërmimeve të Autoritetit të Antikiteteve të Izraelit, dolën në dritë fragmente të reja të rrotullave biblike, që datojnë 2 mijë vjet më parë. Veprat e gjetura janë shkruar kryesisht në greqisht dhe përmbajnë pjesë të dymbëdhjetë profetëve të vegjël, në veçanti të Zakarias dhe Nahumit. U zbulua edhe një depo monedhash të rralla nga koha e Bar-Kokhba, udhëheqësit hebre të revoltës kundër romakëve, ndërmjet viteve 132 dhe 135 pas Krishtit; një skelet fëmije 6.000 vjeçar, ndoshta femër, mbështjellë me pëlhurë dhe mumifikuar; si edhe një shportë e madhe e paprekur, që daton 10.500 vite më parë, ndoshta më e lashta në botë.

Shporta antike e zbuluar në Izrael, krejtësisht e paprishur
Shporta antike e zbuluar në Izrael, krejtësisht e paprishur

 Është pjesë e trashëgimisë së shpellave të shkretëtirës së Judës gjatë revoltave të mëdha anti-romake të popullit hebre. Vatican News i kërkoi një mendim për këtë zbulim tejet të rëndësishëm Marcello Fidanzio-s, profesor i Ambientit Biblik në Fakultetin e Teologjisë së Luganos dhe Drejtor i Institutit të Arkeologjisë dhe Kulturës së Trojeve Biblike.

 “Gjatë dy revoltave - tregon Fidanzio - disa refugjatë u strehuan në shpella, sepse u përndoqën nga romakët. Në këtë rast po i referohemi një shpelle me një emër dramatik, quhet Shpella e Tmerreve”. Pse ky emër? “Këtu, vdiqën nga uria dhe etja rreth 40 burra, gra dhe fëmijë. Në këtë vend, gjatë arratisjes së tyre, ata sollën disa nga objektet e tyre më të çmuara: sende, mjete të jetës së përditshme dhe tekste të shkruara, dokumente dhe tekste biblike”. Misioni i fundit arkeologjik i Autoritetit të Antikiteteve të Izraelit, i cili filloi në vitin 2017, nxorri në dritë 20 fragmente të vogla të rrotullave biblike.

Skeleti 6 mijë vjeçar i zbuluar në Izrael
Skeleti 6 mijë vjeçar i zbuluar në Izrael

Vlera e zbulimit

Është një zbulim i rëndësishëm sepse, shpjegon Drejtori i Institutit të Arkeologjisë dhe Kulturës së Trojeve Biblike të Luganos, “pas zbulimeve të mëdha të viteve 40 dhe 50, veçanërisht në Qumran dhe në Shkretëtirën e Judës, nuk ndodh më asgjë e ngjashme lidhur me tekstet biblike. Gjetje me një rëndësi të tillë ringjallin emocionin e pionierëve”. Është një trashëgimi, që askush nuk e imagjinonte se ekzistonte, “një faqe e re në historinë e gërmimeve arkeologjike”. Tani, profesionistët po diskutojnë nëse kjo është faza e fundit e një sërë zbulimesh apo, përkundrazi, po hap mundësi të reja kërkimore.

“Është diçka që i apasionon jashtëzakonisht studiuesit e Biblës”, pohon Fidanzio, “por u intereson edhe izraelitëve, të cilët nënvizojnë se këto kërkime lidhen me identitetin e tyre, me historinë e pranisë së tyre në tokën e Izraelit. Prandaj, jo rastësisht, Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit i ka dhënë rëndësi të veçantë fushatës së gërmimeve. “Deri tani - shton studiuesi i Luganos - zbulimet më të mëdha janë bërë gjatë gërmimeve klandestine”. Në këtë rast, ky rezultat u arrit “me gërmimet e kryera nga Autoriteti për Antikitetet, i cili bëri të mundur ruajtjen e teksteve biblike, të shportës me kapak që daton 10.500 vjet më parë, mbase më e lashta e gjetur deri tani, ose të skeletit të kësaj vajze, mbështjellë me pëlhurë liri, që daton mbi gjashtë mijë vjet më parë, tejet prekës”.

Pjesë të zbulimit arkeologjik në Izrael
Pjesë të zbulimit arkeologjik në Izrael

Periudhë historike tejet interesante

Por çfarë i shton ky zbulim njohurive mbi Biblën? “Jemi para fragmenteve të vogla, pra, para një numri të kufizuar rreshtash të tekstit të Besëlidhjes së Vjetër, shkruar në greqisht. Janë dëshmi e asaj, që studiuesit e quajnë “rrjedhshmëri tekstuale”, koha kur teksti i Biblës nuk ishte ende i qëndrueshëm dhe unik. Në fakt, vetëm më vonë Shkrimet e Shenjta u kanonizuan, u fiksuan dhe, pastaj, u transmetuan me besnikëri deri në ditët tona”. Fragmentet e Shpellës së Tmerreve përfaqësojnë një çast edhe më themeltar e, falë tyre, mund të kuptojmë një nga etapat, që çoi në tekstin përfundimtar.

“Këto zbulime na paraqesin një çast historik jashtëzakonisht interesant: atë kur Bibla merr formën e saj”. Ndërmjet shumë karakteristikave, që dolën në dritë nga studimi i fragmenteve, vërehet një detaj: në tekstin grek, katër shkronjat e pashqiptueshme të emrit të Zotit janë shkruar në gjuhën paleo-hebraike, shkrimi i lashtë, që përdorej në kohën e Tempullit të parë të Jeruzalemit (deri në vitin 586 para Krishtit). “Që në atë kohë, ashtu si në rrotullat e përdorura në kohën e Jezusit, kishte një respekt të madh për Emrin e Zotit, i cili nuk shqiptohej. Shkrimi i tij, duke përdorur një alfabet tjetër, - përfundon Fidanzio - është një strategji skribale, që synon ta nxisë lexuesin ta përqendrojë vëmendjen në ato shkronja. Pra, në një pikë në tekst, që kërkon respekt dhe qëndrim shenjt”.

17 mars 2021, 12:16