Colline, fiori, prato Colline, fiori, prato 

Dita e Poezisë: duke kërkuar Fjalën e bukur, në vetmitë e pandemisë

Sot, 21 mars, kremtohet Dita Botërore e Poezisë. Ditë që na fton të shkelim në shtigjet e poezisë botërore e shqipe, për të gjetur një çast prehjeje. Në atmosferën e ankthit, që ka pushtuar botën, e cila, megjithatë, vijon t’i këndojë jetës!

R.SH. - Vatikan

Sot, 21 mars, kremtohet Dita Botërore e Poezisë, me vështrimin ngulur tek Nobeli për Letërsinë, dorëzuar poeteshës Glück dhe tek kremtimet për Danten. Festë krejt e veçantë, kjo e sivjetmja, në një atmosferë vetmie, në të cilën duket sikur edhe Fjala poetike i druhet pandemisë. Ndërsa poezia mund t’i japë një ndihmesë të jashtëzakonshme njeriut të tronditur, në përpjekjen për të hyrë në misteret e jetës e të përtejetës.

Duke rënë  ndërmjet vlerësimit të Louise Glück Nobel 2021 për Poezinë  - e shtatëqind vjetorit të vdekjes së Dantes, kjo Ditë e nxit lexuesin t’i bëjë vetes një mori pyetjesh, ndërmjet të cilave, e para “Ç’ vlerë ka leximi i poezisë?”. Pasuar nga një varg të tjerash, si “kush janë poetët më të mëdhenj, që e kënaqin dhe e pasurojnë shpirtin njerëzor sot, kur vijon të varfërohet gjithnjë më shumë, i kapërthyer siç është nga frika e vdekjes? Në  botë e në vendin tonë? A lexohet poezia? Glücke, për shembull? Cilët -  a cili - është Poeti, që lexohet më shumë sot nga shqiptarët? Lexohet Dante? A është e lehtë t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve? Pa përpjekjen e zakonshme për  t’u nisur nga botimet dhe vlerësimet e botës - por nga leximet e njerëzve të zakonshëm, të panjohur, që gjejnë te poezia ngushëllim përballë vështirësive të jetës, guxim ndërmjet lotëve e ëmbëlsi kur e sotmja të pikëllon e kur e vetmja pyetje që të vjen në buzë, del nga kapakët e Hamletit të Shekspirit: “Të rrosh e të mos rrosh, kjo është çështja!”.

Atëhere të vjen në ndihmë Dante, shtatëqind vjetorin e vdekjes së të cilit e kremtojmë sivjet, që të merr poetikisht për dore e të shoqëron nga honet e hatashme të Ferrit - në dritën e Parrizit, ku  soditet Froni i Zotit rrethuar nga drita e amshuar.

E edhe poezia shqipe që, sipas listave botuar në shtyp, numëron më se 50 poetë, pa marrë parasysh se nga këto lista përjashtohen krejtësisht Etërit e saj. Bogdani, për shembull. Autor i Kozmogonisë mahnitëse e i Sibilave, që zënë kryet e vendit  edhe në poezinë botërore. Për të mos kujtuar të tjerë. E edhe Pater Gjergj Fishta, që çuditërisht shumë shpesh nuk figuron fare në listat e poetëve shqiptarë. Moskujtim i cili i mbyll vlerat e poezisë shqipe në një hark kohe prej disa dhjetëvjeçarëve, ndërsa ajo shtegton në shekuj. Mjafton ta zbulojmë, e ta lexojmë.

Ta shfletojmë, pra, poezinë! Do të na bëjë ta harrojmë pandeminë, për shembull, leximi i terzinës së parë të Këngës XXI shkëputur nga “Parrizi”1 që na çon në një vend, ku plotësohet çdo dëshirë:

“O çetë e zgjedhun, për darkë t’madhe e ftueme

Te Qengji i bekuem, q’ju ushqen aq mirë,

Sa çdo dëshirë ju asht e plotësueme,…”

Ja pra, një gurrë, nësa kërkojmë Fjalën e bukur, në vetmitë e pandemisë. Gurrë që i freskon zemrat njerëzore prej më se shtatëqind vjetësh. Duke i hapur para një mori currilash, që ta shuajnë etjen për jetën!

1 Dante Aligieri, Parrizi, Kënga XXIV, 1-3, Argeta - LMG 2009

21 mars 2021, 14:32