Besëlidhja e Lezhës së 2 marsit 1444 mbajtur në Katedralen e Shën Kollit
R.SH. - Vatikan
Më 2 mars te vitit 1444 në Kishës katedrale të Shën Kollit, në Lezhë, aty ku sot gjendet edhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja apo Kuvendi i Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, gjatë periudhës së mesjetës e të tërë historisë kombëtare, ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar të popullit shqiptar.
Pra, sot kujtojmë datën 2 mars të vitit 1444, kur për herë të parë në historinë e Shqipërisë, që nuk quhej ende me këtë emër, një Katedrale e vogël-simbol i madh në historinë e Kombit, në fasha asokohe, do t’i shikonte për herë të parë prijësit e trojeve shqiptare të bashkuar rreth një elteri: elterit të Zotit e të Kombit
Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, menjëherë pas kthimit nga Turqia, për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një kuvend të gjitha principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmit otoman. Pikërisht, realizimi i bashkimit të të gjithë princave shqiptarë në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut përbën edhe njërën ndër idetë më të mëdha e novatore të tij.
Në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak.
Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman. Kuvendi realizoi Besëlidhjen e madhe shqiptare, që i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbërit, ku u farkëtua shpirti i arbërve dhe identiteti ynë kombëtar .
Po t'i referohesh dokumentacionit historik kuvendi i Besëlidhjes nuk u mbajt rastësisht në qytetin e Lezhës, i cili në atë kohë ishte në zotërimin e Venedikut. Kjo ngjarje e rëndësishme u zhvillua në këtë qytet, pasi Lezha nuk përfaqësonte kryeqendrën e principatave dhe në këtë mënyrë shmangeshin grindjet e mundshme dhe krijohej ideja e barazisë. Kjo është cilësuar nga shumë figura të asaj kohe edhe si një nga veprimet diplomatike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kuvendi u mbajt në Lezhë, duke ditur faktin se Lezha me anë të pushtetit venedikas do të shërbente edhe si faktor përkrahje në Evropë, pasi një nga idetë me të mëdha të Lidhjes ishte integrimi i Shqipërisë në Evropën perëndimore.
Besëlidhja e Lezhës përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së mesjetës te popullit shqiptar, prandaj 2 marsi i vitit 1444 nuk është thjeshtë një datë, është një mesazh, aq më tepër në një realitet që priret gjithnjë më shumë ta lexojë me indiferencë historinë, të harrojë mësimet që vijnë prej saj, të jetojë vetëm për të sotmen e të mohojë të djeshmen e largët e të afërme, e aq më keq, të nesërmen, duke harruar se nuk mund të ndërtohen njëra pa tjetrën.
2 marsi 1444 është mesazhi bashkimi në një, për Atdheun, që ka nevojë më shumë se kurrë t’i shikojë të gjithë bijtë e vet të ndershëm një mendjeje dhe një zemre, që jetojnë e punojnë për të mirën e përbashkët, për të mirën e të gjithëve. Të mbledhur rreth një elteri të vetëm, siç ishte ai i Katedrales-Kështjellë e simbol.