Latifa ibn Ziaten dhe Antonio Guterres Latifa ibn Ziaten dhe Antonio Guterres

Latifah Ibn Ziaten dhe Guterres fituesit e Çmimit Zayed 2021 për Vëllazërimin Njerëzor

Njoftimi u bë gjatë një konference virtuale për shtyp. Nesër, 4 shkurt, çmimi do të dorëzohet gjatë takimit në internet për kremtimin e Ditës së parë Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor, në të cilën do të marrin pjesë edhe Papa dhe Imami i Madh i Al-Azharit

R.SH. - Vatikan

Një nënë me 5 fëmijë, themeluese e një shoqate për rininë dhe paqen, që mban emrin e djalit të saj, Imad. I riu humbi jetën, për shkak të një akti terrorist. Një grua, që diti ta shndërrojë dhimbjen e saj në ndihmë për të rinjtë. Asaj, Latifah Ibn Ziaten, si edhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, i jepet çmimi Zayed 2021, si mirënjohje për impenjimin e vazhdueshëm në favor të vëllazërimit njerëzor, frymëzuar nga Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar dy vite më parë në Abu Dabi. Çmimi e merr emrin nga themeluesi i Emirateve të Bashkuara Arabe, i ndjeri Sheh Zayed, i cili pati promovuar vlerat e bashkëjetesës paqësore.

Emrat e fitimtarëve të vitit 2021, shpallur sot në një konferencë virtuale për shtyp, u zgjodhën nga një juri e pavarur, ndërmjet kandidatëve nga 30 vende. Dhënia e “Çmimit Zayed për Vëllazërimin Njerëzor” është pjesë e kremtimeve të nesërme për Ditën e parë Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor. Papa dhe Imami i Madh i Al-Azharit do të marrin pjesë virtualisht në kremtimet, që do të transmetohen nga Vatican News, drejtpërdrejt, duke filluar nga ora 14.30 (sipas orës evropiane). Pikërisht nesër, bie 2-vjetori i nënshkrimit të Dokumentit historik për Vëllazërimin Njerëzor, nga të dy krerët fetarë, në Abu Dabi.

Latifah dhe harmonia shoqërore ndërmjet brezave dhe origjinës

Latifah Ibn Ziaten, themeluese e shoqatës “IMAD pour la jeunesse et la paix", është me origjinë nga Maroku. Kur ishte 17 vjeç, në vitin 1977, u zhvendos në Francë. Një nga djemtë e saj, Imad, hyri në regjimentin e parë të parashutistëve francezë dhe u vra afër Tuluzës, më 2012. Më vonë, gruaja e kërkoi vrasësin e djalit, Mohammed Merah, për të kuptuar se ç’e shtyu ta kryente atë vrasje. Ai takim i dha mundësinë të hynte në botën e një të riu, që ndihej i braktisur dhe nuk ishte integruar kurrë plotësisht në shoqëri. Kështu, themeloi shoqatën e që nga fillimi i veprimtarisë së saj, Latifah udhëton nëpër gjithë Francën për të treguar këtë histori e për të takuar të rinjtë. Shpreson të ndihmojë në ruajtjen e “harmonisë shoqërore” ndërmjet brezave, si edhe ndërmjet francezëve e migrantëve.

Guterres dhe beteja e vërtetë, ajo kundër Covid-19

António Guterres, politikan me origjinë nga Portugalia, është sekretari i nëntë i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Gjatë vitit të kaluar, kur e gjithë bota u përfshi nga pandemia e koronavirusit, Guterres e ngriti zërin disa herë, duke bërë thirrje për “armëpushim global anembanë botës, në mënyrë që të përqendroheshim bashkërisht në betejën e vërtetë: atë kundër Covid-19”.

Informacione mbi çmimin

“Zayed Award për Vëllazërimin Njerëzor” i është dhënë për herë të parë Papës Françesku dhe Imamit të Madh të Al-Azharit, pas nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, në vitin 2019. Më vonë, u mor vesh se Papa Françesku e dhuroi krejt shumën e çmimit për popullin Rohingya të Mianmarit. Në përvjetorin e parë të nënshkrimit të Dokumentit, shehu Abdullah bin Zayed Al Nahyan njoftoi se ky çmim do të jepej çdo vit.

03 shkurt 2021, 16:49