António Guterres  e Latifa Ibn Ziaten António Guterres e Latifa Ibn Ziaten 

Latifa Ibn Ziaten e Guterres, fitues të Çmimit Zayed 2021 për Vëllazërimin Njerëzor

Latifa Ibn Ziaten e Antonio Guterres, fitues të Çmimit Zayed 2021 për Vëllazërimin Njerëzor. Skicë-portret.

R. SH. - Vatikan

Dy skica, për dy portrete, që këto ditë ishin në qendër të vëmendjes së botës, e cila kërkon me etje vëllazërim e paqe. Guterres e Latifa Ibn Ziaten, fitues të Çmimit Zayed 2021 për Vëllazërimin Njerëzor.

Guterres: Solidaritet, për të fituar mbi të këqijat e botës

Pamjet e shkatërrimeve të luftës, të heksodit, të katastrofave ambientale  ishin në sfond të figurës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterrez. Juria e zgjodhi për ta vlerësuar lart “angazhimin e tij të kahmotshëm për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, për lidershipin guximtar, për aftësitë në ndërtimin e urave e në krijimin e kushteve të nevojshme  njerëzve, që kanë nevojë për mjekime, duke e mbrojtur shëndetin e  tyre”.  Fituesi i parë  i Çmimit të parë vijon, prej vitesh, të ecë në një rrugë të shtruar me gjemba, me dhimbje, me vështirësi, duke u prirë drejt dritës njerëzve të dalë nga errësira e duke ua kthyer besimin e humbur.

“Është çmim edhe për punën që bëjnë çdo ditë Kombet e Bashkuara - shpjegon Guterrez - për promovimin e paqes e të dinjitetit njerëzor. Jetojmë në kohë të vështira, të kërcënuar nga pandemia, në kohë ndryshimesh klimatike, kërcënimesh, luftërash, ekstremizmi, dhune, diskriminimi, posaçërisht fetar. Për Sekretarin e OKB-së, këto sfida mund të përballohen, duke i dhënë njerëzimit “shtytjen drejt unitetit dhe dialogut për paqen” e duke e siguruar se “solidariteti do ta fitojë betejen shekullore për paqe e vëllazërim”.

Latifa: “Të gjithë, vëllezër!”

Të prek thellë në shpirt buzëqeshja e Latifes Ibn Ziaten, nënës që iu shua i në prehër i biri, vrarë nga duar krimnale, por që diti ta shndërrojë dhimbjen në forcë. U bë, kështu, prijëse për shumë fëmijë e të rinj në Francë, ku  krijoi Shoqatën “IMAD pour jeunesse et la paix” (Imadi për rininë e paqen). Imadi ishte i biri i vrarë gjatë një sulmi terrorist. “Kur e pashë ashtu të gjakosur, duke dhënë shpirt - kujtoi- m’u duk sikur kisha marrë flakë e po digjesha e tëra. Por më pas e pashë tim bir në ëndërr tri herë.  Më foli e më tha: “Nënë, ngreju! Kam nevojë për ty”. Kështu e shndërrova dhimbjen në angazhim; humbjen e djalit, në mesazh paqeje e  bashkëjetese. “Ndjehem shumë e nderuar që më jepet ky çmim - thekson. Humba një bir, por sot fitova një mori bijsh. Jam nëna e dytë për të vegjlit që i shpëtova ndër burgje, në shtëpitë e tyre, në shkolla, që të mos binin në kurthin e urrejtjes e të hakmarrjes. Nëse jemi të aftë për t’i shembur muret e zemrave tona, mund t’i shembim edhe muret e urrejtjes - përfundoi e prekur thellë Latifa -  e do  gjejmë vend në shoqëri e do të jemi të gjithë vëllezër”.

05 shkurt 2021, 13:59