Amanda Gorman Amanda Gorman 

Amanda Gorman: poezia është gjuha e pajtimit

Potesha e re amerikane, që mahniti Amerikën me poezinë e saj, recituar në ceremoninë e përurimit të presidentit Joe Biden, reflekton me mediat vatikanase për rëndësinë e edukimit, forcën e poezisë dhe lëvizjet e lindura nga angazhimi i të rinjve.

R. SH. - Vatikan

Me poezinë e saj, pohuan mediat amerikane, ia rrëmbeu skenën edhe vetë presidentit Joe Biden. Vetëm 22 vjeçare, Amanda Gorman ishte poetesha më e re, që recitoi në ceremoninë e fillimit të misionit të presidentit të SHBA-ve. Me “The Hill WE Climb” (Kodra ku ngjitemi) e reja katolike afro-amerikane emocionoi Amerikën dhe botën, duke i folur për ëndrrën e realizueshme të njerëzimit “të shëruar”, që e gjen shpresën në dhimbje, nuk dorëzohet e nuk bëhet dëshmitar pasiv i konflikteve e i përçarjes. Në këtë intervistë me mediat vatikanase, Amanda ndalohet posaçërisht tek forca e poezisë, parë si udhë pajtimi, në një kohë polarizimesh, duke nënvizuar sa urgjente është të investohet në edukim, për t’ia ndryshuar faqen e plakur botës e për t’i dhuruar një ardhmëtri më të mirë të rinjve”.

Papa Françesku, në shumë raste, ka nënvizuar sa e rëndësishme është të ndërtosh ura, të dialogosh e të punosh guximshëm për pajtimin. Ju mendoni se Poezia mund të ndihmojë për të shëruar plagët e hapura në zemër të botës sonë, gjithnjë të trazuar nga ndjenja aspak poetike?

“Absolutisht po. Poezia është gjuha e pajtimit. Shpesh na kujton rrugën për të qenë më të mirë si dhe vlerat tona të përbashkëta. Prej këndej, u frymëzova për të shkruar The Hill We Climb, duke  e pyetur veten ‘Ç’ gjë, që nuk mund ta bëjë proza, mund ta bëjë kjo poezi, që propozova, këtu e tani?’. Poezia ka një forcë të veçantë. Ajo shenjtëron, pastron, drejton çka është e shtrembër, edhe në mes të  sherreve më të mëdha”.

Mendohet shpesh se me poezi merret vetëm elita intelektuale, ose njerëzit me moshë të shkuar. Ç’dëshironi t’u thoni të rinjve, që u frymëzuan nga Ju e që e vlerësojnë poezinë tuaj, krijuar në një moshë kaq të re?

“Mëkat që poezia mësohet ndër shkolla si të ishte pronë e një elite intelektuale, të plakur, të zbardhur nga dëbora e moteve. Po ka edhe më keq. Shpesh mendohet se poezinë e lexojnë vetëm meshkujt, ndërsa në të vërtetë poezia është gjuha e popullit. Në ndryshim të vazhdueshëm, është art që u përket të gjithëve, jo vetëm një grupi të zgjedhur. Prandaj u bëj thirrje të rinjve: kemi nevojë për zërat tuaj, për historitë tuaja. Mos kini frikë! Merreni në dorë pendën!”.

Kur ishit e vogël, ju kishit një difekt në shqiptim, të cilin e ndreqët e bota sot ju admiron edhe për rrjedhshmërinë e fjalës. Asaj fjale, që mund t’ia ndryshojë shpirtin botës! Sa rëndësi, ka, sipas jush, edukimi për ta ndryshuar botën tonë?

“Edukimi është gjithçka. Jam bijë mësuesi, kështu e kam marrë gjithnjë tepër seriozisht edukimin tim. E kam kuptuar që e re se dituria është forcë. Është armë në luftën për jetën! Për njerëzit e shtypur, mund të jetë një nga mjetet më të rëndësishme të “zanatit”, me të cilin fitohet buka e përditshme! E ndryshohet bota. Duhet ta vëmë në diskutim, duhet t’i bëjmë pyetje botës e vetes, duhet ta kemi parasysh gjithë harkun e historisë e të shikojmë si e ku lidhet me të sotmen. Nuk kam dyshim se shumë lëvizje të mëdha shoqërore do të lindin në klasat e shkollave. Për të krijuar poezi, por edhe, e sidomos, për të luajtur  rolet e tyre në skenën  e historisë botërore”.

13 shkurt 2021, 15:24