Flamuri i BE-së Flamuri i BE-së

Nova Gorica dhe Gorizia, simbol i Evropës së bashkuar

Titulli i Kryeqytetit Evropian të Kulturës 2025, dhënë bashkarisht dy komunave ngjitur, sllovene dhe italiane, të jetë shembull për një Evropë të popujve, të vetëdijshme për rrënjët e saj. Imzot Carlo Maria Redaelli, kryeipeshkëv i Gorizia-s, i përshkruan të dyja qytetet si simbol bashkëjetese, pavarësisht nga plagët e historisë

R.SH. - Vatikan

Në fund të vitit 2020 u caktua Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2025. Kësaj radhe ky titull u shkoi dy komunave ngjitur, përmes të cilave kalon kufiri ndërmjet Italisë dhe Sllovenisë: Gorizia dhe Nova Gorica. Vetë presidenti italian, Sergio Mattarella, e kujtoi këtë fakt me krenari në fjalimin e fundvitit, duke vënë në pah vlerat e bashkëjetesës dhe të respektit reciprok, që duhet të shërbejnë si shembull edhe në një Evropë shpesh të përshkuar nga pretendimet nacionaliste. I të njëjtit mendim, presidenti slloven Borut Pahor, që, duke përmendur projektin “Go! Borderless” (Shko! Pa kufij!) uroi që procesi i bashkëpunimit të thellohet në frymën e “Dy Gorizie-një qytet”.

Shembull vëllazërimi për Evropën

“Sigurisht, kufiri mund të jetë element ndarës, por edhe mundësi për t’u takuar”. Imzot Carlo Maria Redaelli, kryeipeshkvi i Gorizia-s, në një intervistë për Vatican News, kujton natyrën shumëkulturore të qytetit, udhëkryq i takimit ndërmjet italianëve, sllovenëve, gjermanëve dhe hebrenjve. “E thashë edhe në homelinë e 1 janarit - shpjegon Imzot Redaelli - duke kujtuar enciklikën e bukur të Papës Françesku ‘Fratelli tutti’”. Vëllazërimi, për të cilin duhet të jemi shembull në Evropë, nuk do të thotë të heqësh dorë nga identiteti, përkundrazi”. Kujtesa dhe falja janë dy fjalë, që marrin kuptim të veçantë për bashkësitë e këtyre territoreve të plagosura rëndë nga historia. Kujtojmë se këtu kalon një kufi i vështirë për t’u përcaktuar, ndërmjet dy vendeve, që u ndeshën edhe gjatë Luftës II Botërore. Gorizia italiane formon një zonë urbane të integruar edhe nga pikpamja administrative me komunat sllovene të Nova Gorica dhe San Pietro-Vertoiba. Territori i qytetit slloven Nova Gorica, ndërtuar, si qyteti italian, përgjatë lumit Isonzo, ishte pjesë e komunës së Gorizia-s deri në vitin 1947, kur Istria dhe një zonë e madhe e Venezia Giulia-s iu dhanë Jugosllavisë, pas Traktatit të Parisit.

Evropa gjen thelbin e saj të bashkimit në përvojën e Gorizia-s, vijon imzot Redaelli. Si mund të harrohet që Aquileia e bukur ndodhet në kryedioqezën e Gorizia-s, djep i krishterimit për gjithë rajonin verilindor, falë edhe shumë njerëzve, që erdhën këtu nga larg, duke përhapur mesazhin e Ungjillit. E prej kohësh tashmë, të dyja bashkësitë bëjnë veprimtari të përbashkëta e takohen vazhdimisht për ta kaluar jetën, pa kufirin, që i ndan.

Titulli i Kryeqytetit Evropian të Kulturës (ECOC)

Caktimi i Kryeqytetit Evropian të Kulturës filloi në vitin 1985, me nismën e Melina Merkouri-t, në atë kohë ministre greke e kulturës, duke u bërë një nga projektet më të njohura të BE-së. Në fakt, Kryeqytetet Evropiane të Kulturës nxjerrin në pah pasurinë e larmisë kulturore evropiane dhe i japin një horizont të ri historisë dhe trashëgimisë së përbashkët. Titulli u jepet çdo vit dy qyteteve, në dy shtete të ndryshme, anëtare të BE-së. Për vitin 2025, së bashku me Nova Gorica dhe Gorizia, të cilat u paraqitën si një e vetme, me një projekt të përbashkët ndërkufitar, u vendos që qyteti tjetër të jetë ai gjerman Chemnitz, afër kufirit me Republikën Çeke, i ndarë pas Luftës II Botërore dhe i riemëruar Karl Marx Statdt nga regjimi komunist i Republikës Demokratike të Gjermanisë.

08 janar 2021, 13:26