Kërko

Vatican News
Kroaci: Karitasi i Zagrebit Kroaci: Karitasi i Zagrebit 

Tërmeti në Kroaci, Nunci në zonat e dëmtuara: askush të mos ndjehet i braktisur!

Lëkundje të reja në Kroacinë, që vijon të tronditet nga tërmeti qysh më 29 dhjetor. Kërkohet mbështetja e Caritas Kroacia për t’u çuar ndihma popullsive, posaçërisht në zonat fshatare.

R. SH. - Vatikan

Dhjetë ditë pas tërmetit, që rrënoi zemrën e Kroacisë, vijojnë lëkundjet e tokës. Një lëkundje e re prej 3,8 ballësh u regjistrua në zonën e Petrinja-s, qyteti rreth 50 kilometra larg Zagrebit, shkatërruar nga lëkundja e fuqishme prej 6,4 ballësh e 29 dhjetorit, që shkaktoi vdekjen e shtatë vetëve, plagosjen e 30 të tjerëve e dëme të pallogaritshme. Ishte më i forti,  i regjistruar në këtë zonë gjatë 140 vjetëve të fundit. Autoritetet  vendosën ta mbyllin  qendrën e qytetit për arsye sigurie, nga frika e lëkundjeve të reja, të fuqishme.

Projekti Karitas

Caritas Internationalis bën thirrje për mbledhjen  e ndihmave, rreth 880.000 euro, që nevojiten për t’u krijuar strehë e kushte dinjitoze jetese njerëzve, të cilët humbën gjithçka. “Njerëzit jetojnë të tmerruar,  gjithnjë në pritje të lëkundjeve të reja, gjatë të cilave mund të humbasin edhe jetën. E kjo situatë vijon në një zonë me shtrirje prej 2000 kilometrash katrore. Pikërisht këtu, rreth 200 vullnetarë të Karitasit, vijojnë të shpërndajnë ushqime e kite higjienike, ndërsa hartojnë edhe plane me afat të gjatë. “Duam t’i ndihmojmë njerëzit të rindërtojnë shtëpitë, e bashkësitë” – thekson zëvendës drejtoresha e Karitas Kroacia.

Projekti Caritas, që do të zgjasë tetë muaj, do të ndihmojë fillimisht 200 familje, duke i furnizuar me parafabrikate e edhe me ndihma financiare e teknike, në mënyrë që të mund t’i ndreqin banesat e tyre të dëmtuara. Shumë bujq të zonave fshatare, të dëmtuar nga lëkundjet, duan të rrinë pranë tokave e bagëtive të tyre, kështu flenë në kullat e sanës, ose mbi gërmadhat e shtëpive të tyre. Karitasi Kroacia synon t’i ndihmojë pikërisht këta njerëz,  që të mund të jetojnë të sigurt e me dinjitet.

Vizita e Nuncit Apostolik

Zonat e dëmtuara nga tërmeti u vizituan edhe nga Nunci Apostolik në Kroaci, imzot Giorgio Lingua, i shoqëruar nga ipeshkvi i Sissak - dioqeza më e dëmtuar nga tërmeti, imzot Vlado Kosic. Përfaqësuesi i Papës, si vizitoi edhe qendrën e shpërndarjes së Karitasit dioqezan, si u takua me vullnetarët e me drejtorin e Karitasit, atë Fabian Svalin, e quajti  angazhimin e  tyre “shenjë shprese, që ndihmon për të kuptuar  se rrënja e njeriut është gjithë e mira”. Në vijim të vizitës, nunci me ipeshkvin  shkuan edhe në zonën e katedrales së rrënuar të Sisak.

08 janar 2021, 15:49