2020.05.23 Unità dei Cristiani 2020.05.23 Unità dei Cristiani 

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve: çka ёshtё e kur lindi

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve është nismë ndërkombëtare lutjeje ekumenike kristiane, lindi mё 1908 e kremtohet çdo vit ndërmjet 18 e 25 janarit. Është tetëditësh lutjeje, domethënë, zgjat tetë ditë. Tetëditëshi i parë, në formën e këtij të sotëm, lindi me nismën e dy ministrave, që shkëmbenin letra me njëri tjetrin: anglezit Spencer Jones, anglikan dhe Paul James Francis Watson, episkopalian, domethënë, anglikan amerikan.

R.SH. - Vatikan

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve është nismë ndërkombëtare lutjeje ekumenike kristiane, që kremtohet çdo vit ndërmjet 18 e 25 janarit. Është tetëditësh lutjeje, domethënë, zgjat tetë ditë.

Nuk është diçka e re, që bashkësitë e ndryshme kristiane të mblidhen e të luten për bashkimin: janë mbledhur gjithnjë e gjithnjë edhe janë lutur, por, veç e veç. Ndërsa aty nga fundi i shtatëqindës e në vijim të tetëqindës, u vërejtën disa nisma lutjeje me këtë ndjet, posaçërisht ndërmjet bashkësive protestante e anglikane. Në fillim autoritetet katolike i shikuan me shumë dyshim, madje edhe i ndaluan. Tetëditëshi i parë, në formën e këtij të sotëm, lindi me nismën e dy ministrave, që shkëmbenin letra me njëri tjetrin: anglezit Spencer Jones, anglikan dhe Paul James Francis Watson, episkopalian, domethënë, anglikan amerikan.

Në vitin 1907, i nderuari Paul James Francis Watson propozoi që, më 29 qershor të çdo viti, të caktohej një ditë lutjeje për kthimin e unitetit ndërmjet anglikanëve dhe të gjithë ndjekësve të Krishtit, në bashkim me Selinë Romake. Një vit më pas, Watson e zgjeroi idenë, duke propozuar që dita e lutjes së përbashkët, të bëhej javë, tetëditësh lutjesh, “për t’i lypur përvujtërisht Zotit rikthimin e të gjitha deleve në vathën e Shën Pjetrit, të vetmit Kryebari”. E pikërisht atë vit (1908) lindi zyrtarisht Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, që do të bëhej, pastaj, traditë ekumenike.

Paul James Francis Watson vendosi ta niste Tetëditshin në ditën e festës së Dëshmisë së Shën Pjetrit (variant protestant i Katedrës së Shën Pjetrit) e për ta përfunduar me festën e Kthimit të Shën Palit. Që asokohe këto dy data (18 e 25 janar), shënuan fillimin e Tetëditshit në botën anglikane. Në mjediset katolike nisma u miratua shprehimisht nga disa Papë (Piu X, Benedikti XV), por jo si lutje e përbashkët me të krishterët e tjerë. Katolikëve u drejtohej ftesa të luteshin “për kthimin e disidentëve, në gjirin e Romës”e vetë Watson, i kthyer ndërkohë në fenë katolike romake, e quajti “Chair of Unity Octave”, për të theksuar lidhjen ndërmjet bashkimit të të krishterëve e parisë së Papës.

Në mjediset protestante lëvizja ekumenike “Faith and Order” (Fe e Kushtetutë) në vitin 1926 propozoi një tetëditësh, që të niste ditën e Rrëshajëve (tradicionalisht, ditë e themelimit të Kishës së Krishtit).

Sot kjo periudhë vijon të shfrytëzohet për tetëditshin, në disa vende protestante. Në vitin 1941 lëvizja “Faith and Order” e ndryshoi përsëri datën e Javës protestante, me qëllim që të përkonte me atë të katolikëve. Më 1948, me themelimin e Këshillit Ekumenik të Kishave, Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve u përhap gjithnjë më shumë në Kishat e botës mbarë.

Ishte Koncili II i Vatikanit ai, që i hapi rrugën thellimit të ekumenizmit, duke krijuar, më 1966, Këshillin Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, me dëshirën e Papës Gjoni XXIII. Nisi kështu edhe krijimi i grupeve të punës, për përgatitjen e materialeve ndihmëse, duke përfshirë edhe dy organizma ekumenike laike: Federatën Botërore të Shoqatave të Krishtera të Rinisë Mashkullore (YMCA) dhe atë Femërore (YWCA). Sot, materialet ndihmëse botohen në gjuhë të ndryshme dhe ruhen në faqen e internetit të Këshillit Ekumenik të Kishave dhe në atë të Selisë së Shenjtë, në sektorin e Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve.

18 janar 2021, 10:21