Gjermani, Laschet presidenti i ri i CDU-së. Kryeipeshkvi Koch: bashkësia, në qendër

Delegatët e Kongresit të 33-të të Bashkimit Demokristian - partia, që me Angela Merkel, po e qeveris Gjermaninë që prej 16 vitesh - zgjodhën në krye të tyre, me votim dixhital, 59-vjeçarin Armin Laschet, guvernator të Landës së Nordrhein-Westfalen. Në fillim të takimit, në një videomesazh, kryeipeshkvi i Berlinit kujtoi rëndësinë e fjalës “kristian” në emrin e partisë

R.SH. - Vatikan

Në Gjermani, u zgjodh, me votim dixhital, presidenti i ri i Bashkimit Demokristian (CDU), partia e kancelares Angela Merkel. Ai është guvernatori i Landës së veriut Nordrhein-Westfalen, Armin Laschet, 59-vjeçar, zgjedhur në kongresin e 33-të të partisë, që e parapëlqeu në krahasim me rivalin e tij, 65-vjeçarin Friedrich Merz, avokat që shpesh, është shprehur kundër politikës së migracionit të kancelares.

Votim dixhital, që duhet konfermuar me postë

Për arsye ligjore, vota dixhitale, e para në historinë e partisë së themeluar nga Adenauer në qershor 1945, duhet të konfirmohet me postë. Rezultati zyrtar do të shpallet të premten. Laschet zë vendin e Annegret Kramp-Karrenbauer, në krye të partisë që nga viti 2018, kur e mori detyrën nga Angela Merkel. Më 26 shtator të këtij viti, Gjermania do të votojë për të zgjedhur kancelaren e re, pasardhësen e Merkelit, e cila nuk do të rikandidohet pas 16 viteve të qeverisjes së vendit. Kandidati më i akredituar, tani për tani, është pikërisht Laschet.

Videomesazhi i kryeipeshkvit të Berlinit, Koch

Në fillim të kongresit të CDU-së, të premten mbrëma, kryeipeshkvi i Berlinit, Heiner Koch, në një videomesazh, u kujtoi pjesëmarrësve në votim rëndësinë e fjalës “kristian” në emrin e partisë. I krishteri, nënvizoi ai, punon gjithnjë për bashkësinë e bashkësia është “në qendër të imazhit të krishterë të Zotit dhe të imazhit të krishterë të njeriut”.

“Të bashkuar, i përngjajmë Zotit”

Njerëzit, vijoi ipeshkvi, janë të varur nga njëri-tjetri, askush nuk e ka “vizionin e së përgjithshmes” e “asnjë qenie njerëzore nuk mbahet, nuk lind e nuk vijon nga vetvetja”. Imzot Koch përfundoi duke theksuar se për fenë e krishterë “Zoti është bashkim, marrëdhënie: teologjikisht, themi Trini. Ky është imazhi i Zotit, që mbajmë në zemër ne, qeniet njerëzore: e pikërisht për këtë, jemi shëmbëllim i Zotit”.

Mesazh, edhe nga ipeshkvi luteran Petra Bahr

Edhe ipeshkvi i Kishës Ungjillore Luterane të Hanoverit, Petra Bahr, u drejtoi një mesazh 1.001 delegatëve, shumica e të cilëve morën pjesë në kongres, në mënyrë dixhitale, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

18 janar 2021, 13:18