Kërko

Dita e Kujtesës. Të Drejtët, liria dhe qëndresa e së mirës

Të Drejtët ndër Kombe janë dëshmitarë të lirisë dhe të shpresës në terrin e ideologjisë totalitare. Ndër ta, edhe Shqipëria, mund të mburret sot, në Ditën e Kujtesës së Holokaustit, se asnjë hebre nuk u dorëzua, pavarësisht nga ligjet antiracore të vendosura nga nazistët.

R.SH. - Vatikan

E gjithë bota kremton sot Ditën e Kujtesës për të mos harruar viktimat e Holokaustit. 27 janari u caktua për këtë qëllim me anë të rezolutës 60/7 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 1 nëntor 2005. Pikërisht më 27 janarin e vitit 1945 trupat e Ushtrisë së Kuqe, që merrnin pjesë në ofensivën Vistula-Oder në drejtim të Gjermanisë, çliruan kampin e përqendrimit të Auschëitz-it.

Liria e pamohueshme

E bashkë me viktimat – rreth 6 milion,vetëm hebrenj, për të mos llogaritur miliona të tjerët - kujtohen edhe ata, që nuk u mposhtën para kërcënimeve të nazizmit, që vepruan heroikisht duke rrezikuar jetën e tyre, pa ndonjë interes personal, për të shpëtuar qoftë edhe një hebre të vetëm nga tërbimi nazist i Shoah-ut. Ishin njerëz, që e konsideronin lirinë si të drejtë të pamohueshme e të mirën, si të patjetërsueshme. Tashmë, janë ata, që njihen si “të Drejtë ndër Kombe”, nderim i lartë, dhënë nga Memoriali zyrtar i Izraelit, Yad Vashem, që nga viti 1962. E këta njerëz nuk janë të rëndësishëm vetëm për hebrenjtë, pasi përballë përpjekjeve nazifashiste për ta shpërfytyruar etikën, kulturën dhe qytetërimin evropian, dëshmuan se e mira ka forca për t’i bërë ballë së keqes e për të farkëtuar një qëndresë, që e ndihmoi kontinentin e vjetër të rimëkëmbet shpirtërisht pas Luftës II Botërore. Njerëz “të zakonshëm”, ditë për ditë e pa u ndalur, shpëtuan jetë, por edhe nderin e dinjitetin e Evropës.

Një nga çertifikatat, që u jepen të Drejtëve ndër Kombe
Një nga çertifikatat, që u jepen të Drejtëve ndër Kombe

Rasti i Shqipërisë e i Norbert Joklit

Ndër ta, “E Drejtë ndër Kombe” është edhe Shqipëria. Gjatë Luftës II Botërore, numri i hebrenjve në vend u dhjetëfishua, për shkak se shumë hebrenj gjermanë e austriakë gjetën strehim, si kushërinj a si punëtorë në familjet, që i fshehën e ndanë me ta bukën e përditshme. Emblematike, përpjekja e françeskanëve shqiptarë e sidomos e atë Gjergj Fishtës për të shpëtuar albanologun e famshëm, Norbert Jokl. Për të u krijua një punë si bibliotekar me një pagesë prej 600 frangash. Atë Gjergj Fishta i pati shkruar Mëkëmbësit Francesco Jacomoni me një letër datuar 23 shtator 1939, ku i kërkonte të ndërhynte për ta lejuar Joklin të transferohej në Shqipëri. Vetë Jokli pati kërkuar edhe nënshtetësinë shqiptare. Por as atë Gjergj Fishta, as të tjerët që u përfshinë në këtë çështje, si profesori nga Padova, Carlo Tagliavini, e madje, edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Galeazzo Ciano, nuk arritën t’i siguronin lejen për të shkuar në Shqipëri. Jokli u arrestua dhe u dërgua në kampet e përqendrimit. Një shembull tjetër është fizikani i madh Albert Einstein, protagonisti i teorisë së relativitetit, që mundi të shkojë në SHBA-të me pasaportën shqiptare, e cila iu dha pas qëndrimit të tij në Pogradec.

UNESCO, rrjetet shoqërore, kundër negacionizmit

Ndërkaq, sot, UNESCO njofton një sërë nismash për të luftuar negacionizmin e antisemitizmin, gjatë një ceremonie ku marrin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Vetë organizmi i OKB-së për mbrojtjen e kulturës, Kongresi Botëror i Hebrenjve dhe Facebook kanë bashkëpunuar për të siguruar që postime, të cilat mohojnë Holokaustin, ose përmbajnë deklarata kundër hebrenjve, të mos përhapen në rrjetet shoqërore. Që sot, Facebook do t’i drejtojë përdoruesit që kërkojnë lajme mbi Shoah, në faqen e internetit www.aboutholocaust.org përgatitur nga UNESCO dhe Kongresi. Gjithashtu, UNESCO vijon programin global për njohjen e Holokaustit, me të cilin bashkohen vazhdimisht qeveri nga e gjithë bota. Sot, në listën e vendeve, që e mbështesin, u shtua edhe Kanadaja. Po UNESCO mbështet ekspozitën e fotografit Luigi Toscano në Paris, me portretet e më se 200 të mbijetuarve nga persekutimi nazist, që mund të shihet deri më 12 shkurt. Është ekspozita më e madhe botërore, të cilën e kanë parë tashmë miliona njerëz.

27 janar 2021, 11:28