At Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871- Shkodër, 30 dhjetor 1940) At Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871- Shkodër, 30 dhjetor 1940) 

Portret i Atë Gjergj Fishtёs nga shkrimtari dom Lazër Shantoja

Për ta kujtuar Atë Gjergj Fishtën (Fishtë, 23 tetor 1871- Shkodër, 30 dhjetor 1940) në 80-vjetorin e kalimit në amshim, zgjodhëm Portretin e Fratit pikturuar nga shkrimtari i madh dom Lazër Shantoja, ende i pavarr, po jo i pa vepra... Si kjo, që pikturon Fishtën, portret i denjë dalë nga penda e një të Madhi, për një Gjeni!

R.SH. - Vatikan

Për ta kujtuar Atë Gjergj Fishtën (Fishtë, 23 tetor 1871- Shkodër, 30 dhjetor 1940) në 80-vjetorin e kalimit në amshim, zgjodhëm Portretin e Fratit të zhvorrosun, pikturuar nga shkrimtari i madh dom Lazër Shantoja, ende i pavarr, po jo i pa vepra... Si kjo, që pikturon Fishtën, portret i denjë dalë nga penda e një të Madhi, për një Gjeni!

Kujtime Françeskane:

“Ça po më don frati, moj babë!! Ishte em vlla qi kthehej prej shkollës së Fretenvet. Kishte kërkue të gjitha shkollat e qytetit e n’asnjanën nuk kishte mujtë me xanë vend. Tash e kishte gjetë! Kishte gjetë Fravoriston (kështu e quejshim na fëmijtë Fra Evariston) qi e donte mirë! Shkolla e Fretenvet! Uh sa shtyp të keq pat n’at kohë pa shtyp kjo shkollë françeskane. Një shkollë për malsorë e fëmijë të vorfën…Për fëmijë me brakesha të shkyeme e kambëzbathun…Teneqe, ajo shkolla e Gjuhadolit! Nuk ishte aspak aristokratike! E mbandej! Shkollë ku mësohej shqip! A ke ç’ndien! Po ç’ nevojë kanë fëmijtë shqiptarë me xanë shqip?”.Paj shqip ata flasin se të bâjnë dita me nanën e babën! Ku duen me shkue ata me gjuhën shqipe! Ajo gjuhë nuk të çon përtej Shën Gjinit, jahu! Gjuhë të hueja na lypen! Kështu flitej n’at kohë në Shkodrën t’onë.

          Kur qe… N’at shkollë aq të përbuzun kumboi nji emën. Nji emën i madh, qi e mbushi, qi e sundoi, qi e naltoi dhe vûni në fron shkollën shqipe dhe gjuhën shqipe në Shqipní.

          Ish-famullitari i Gomsiqes, At Gjergj Fishta!

          At ditë e at ditë shkollën e Fretenvet dhe Françeskanët e Shqipnís mbarë i rrethoi shkëlqimi i një symboli të rí, symboli i krenís me qênë e me u quejtun shqiptarë, symboli i pavarsís kombëtare! Ça kishin qênë e ça kishin bâmun Padër Toma, Padër Françeskja e tjerë plot për Fé, nisen të jenë e t’a bâjnë At Fishta e tuba e shokve të tij për Atdhé.

          Shkolla shqipe! At Fishta!

          Kujtime françeskane… 

           I jam avitun ne e parë me nji ndjenjë frike At Gjergjit t’onë. Ai kishte mërrîjtë në kulmin e Parnazit, e un po u argtojshem në fund të tij me ndonji guralec të latuem prej ujit qi gurgullonte nga kroni i zanavet shqiptare. Këndojshem “Lahutën”, më pëlqejshin “Anxat”, u kenaqshem me “Mrizin”, dilshe mendsh prej gzimi kur këndojshem “Rrokull botës” e “Rrokull Shqipnís”e kronikën e përmujshme e të pamujtëshme të numravet të parë të “ Hyllit të Dritës”! Kush mundet me shkrue si ky? Thojshem atëherë e thom prap sod. At Fishta nuk mund të ndiqet e as duhet të ndiqet. Ai asht e do të mbetet i vetëm. Sikur të tânë të mëdhajt! Çdo imitim i artit të tij duhet të dalë me doemos nji karikaturë. Koha më ka dhanë arsye. Të gjithë ata qi janë mundue me na dalun “Fishta”, të gjithë pa përjashtim, kanë dështue. Kanë mujtë me i vjedhun Fishtës nji frazë, me i marrun uha nji trajtë, me ba rrugë der diku mbi falsrigën e shkrimevet të tija, por asnji nuk ka mujtë me mbërrîjtë der tu palci i stilit të tij. Fishta vetë bile kur në ndonji rasë âsht mundue me dalun likuret të tij, mos me qênë ma Fishta i parë, por me ngjeshun armë qi nuk ishin të tijat, na del i mangët dhe i vogëlsuem.

          Shum âsht shkrue e shum do të shkruhet gjithnji mbi artin fishtjan. Në rasën e 60-vjetorit të tij qe botue dhe nji numër i veçantë i “Hyllit të Dritës” në nderim të Poetit tonë kombëtar. Nder gjith ato shkrime nuk e këndova kurrkund të shenjuem e të theksuem meritimin ma të madh t’artit të tij. Kuj i ra në mend at herë me na thanë se Fishta shkruente mirë shqip, krejt shqip, vetëm shqip? E pra Goetheja tjetër lavd nuk dijti me i dhanë vetes por kët: “Ich kann ein bisschen gut Deutsch Schreiben!”- Un dij të shkruej pak si mirë gjermanisht.

          Shkrimet e Fishtës kanë erë toke shqiptare. Shpirtit të shqiptarit veshi i Fishtës i ka nxjerrë jonat ma të hollat, ma t’imtat, ma të thellat, ma t’ambëlat. Jonat qi përbâjnë jetën karakteristike të popullit t’onë të vjetër. Âsht malsori, âsht mali, âsht gjaku shqiptar qi flet e shungullon e shkumbëzon ndër vargjet e Fishtës. E vargu i tij të trandë e të molisë.

          E shoh sod Fishten plak…(mos të na ndigjojë, pse e urren kët fjalë!) me nji shkop të trashë në dorë, tue ngrehë nji kambë rrëshqanë, mbi qafzën e murrët të zhgunit shêjin e nji akademiku. M’a kande por ma fort kur e shoh ndejun. Sodis kështu ma mirë të tanë hijen qi lëshon trupi e ma fort shpirti i tij. Un nuk kam pamun ende nji shtat e nji fytyrë ma mikelanxheleske se shtatin e fytyrën e Fishtës s’onë. Nji model i denjë për Buonarrottin e pavdekshëm. E tue e kqyrun kët model-fenomen i ligjës së kundërtësivet - më ve mendja tu At Gjergji n’intimitet. E shoh kah lot spathish me mue në qelën e Sheldís, e shoh tue kuvendë në shoqní të vëllazenvet e të miqvet të vet, e shoh në dritën e kandilit të vojit të gurit kah farkon bashkë me mue (qoftë për at herë!) ma të famshin ditiramb politik të letersís shqipe…

          Ah At Gjergj Fishta!

          Kujtime!...

Ky, porteti i Fishtës, që megjithatë, kemi shumë  ç’t’i shtojmë, 80 vjet mbasi ua la trashëgim penden (simbolike, se e vërteta s’dihet ku përfundoi, bashkë me kujtimet e tjera fishtiane) françekanëve e nxanësve të tyne. Në pritje që nga “ajo pendë” të dalin kryevepra të reja, me moton e pandryshueshme “Për Fe e Atme”.

30 dhjetor 2020, 10:42