Krishtlindja Krishtlindja 

Krishtlindja sipas këngës: “Ti ulesh prej Parrizit”

Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons de Liguori improvizoi në një Kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: “Ti zbret nga yjet’. Kënga u përkthye shumë shpejt edhe në gjuhën shqipe, nga një përkthyes që kishte cilësi të përafërta me krijuesin e saj, nga meshtari e poeti i madh, Dom Ndre Mjedja.

R.SH. - Vatikan

Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons Maria de’ Liguori improvizoi në një Kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: “Ti ulesh prej Parrizit’, përshtatur në gjuhën shqipe nga dom Ndre Mjedja.

Është një nga këngët më të ëmbla të Krishtlindjes, të cilën e pëlqente shumë edhe kompozitori i famshëm italian, Gjuzepe Verdi, ne vijojmë ta këndojmë si lutje, sepse u frymëzua pikërisht nga dëshira e Themeluesit të Redentoristëve, autorit të shumë veprave asketike e dogmatike, rrëfyesit, muzikanit, kompozitorit, dijetarit të madh, Shën Alfonsit, për t’ia predikuar Ungjillin çdo krijese, edhe me tinguj muzikorë. Prandaj pa këtë himn Krishtlindja do të kishte diçka mangut.

Kënga u përkthye shumë shpejt edhe në gjuhën shqipe, nga një përkthyes që kishte cilësi të përafërta me krijuesin e saj. E cili nga studiuesit e letrave shqipe e di se përkthyesi i himnit të dytë të Krishtlindjes, pas ‘Stille Nacht’, është meshtari e poeti i madh, Dom Ndre Mjeda, i shtyrë nga e njëjta dëshirë: ‘t’ia predikonte Ungjillin çdo krijese?’. Ja këtu më poshtë kënga në përkthimin e Mjedës: 

Ti ulesh prej Parrizit

Ti ulesh prej Parrizit,
O Zot e Mbret lumnie,
E n’ tokë vjen me u bâ nieri
Vetëm prej dashtënie:
Aq i dashtun je për né
Sa n’ një shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
Unë s’e kam dijtë se ti ne
T’ shkretët na don kaq shumë.
Për ty, që rruzullimin,
Gjithmbarë e ke krijue,
S’janë gjetë as shtëpí, as petka
E zjarmi t’ ka mungue.
Tash asht dimën, akull, borë,
Me qindrue njashtu asht zor.
O djalë i shkretë!
Prej së ftoftit ti po dridhe,
Po dridhe e po bërtet!
O Biri i të Naltit Zot,
Ti pate gjithë lumninë,
Por deshtas e ke lanun
E kapë ke vorfëninë;
Pra pse kjanë e pse gjimon,
Kurrkush ty s’ po t’ ankon:
Ti don me m’ m’sue
Se pa durim nuk mundet
Kurrkushi me u shëlbue.
Ne disha gja, ti fshanë
E kján, o bukurí,
Përse si duhet nieri,
S’ ta din gjithë atë dashtëní;
Vesht e mora, unë i ngrati,
Se at’ mundim ta nep ty m’kati;
O m’kat i mallkue!
Por, ti, o Zot, m’ fal!
M’ fal se jam pendue!
Ti flén përmbi atë grazhd,
O i lumi djalë plot hír.
Por zemrës me marrë gjumë
I del fort punë e vështirë.
Zemra e jote pse po l’ngon?
Natë e ditë çka po mendon?
Unë tjetër s’po mendoj
Veçse me dekë për nierin,
Me dekë që ta shëlboj!
Me lé e me dekë për mue,
Dashtënia t’ ka shtërnguemun:
E vetë, pa dashtë, o Jezu,
Si mundemi me rrnuemun?
Shpresa e eme, o Virgjina Mrí,
Me dashtë Krishtin n’se nuk e dí,
Ty t’ kjosha true:
M’ m’so gjithmonë me e dashtun,
Me e dashtë e me e lavdue!

Krijim i Alfons Maria de Liguorit; përshtatur në gjuhën shqipe nga dom Ndre Mjedja. Marrë në oficen “Visari shpirtnuer”.

25 dhjetor 2020, 17:35