Vatican News
2019.12.20 Presepe giapponese, parrocchia di Narashino  2019.12.20 Presepe giapponese, parrocchia di Narashino  

Krishtlindja dhanti e Hyjit për të gjithë njerëzit

Krishtlindja është e kremtja e dhantisë që Zoti i dhuron të gjithë njerëzve, kështu që gëzimi i tyre të shkëlqejë si drita ndër terrinat e natës e të jetës. Hyji na dhuron një shenjë dashurie; na bën dhanti gjënë më të çmuar, më të rëndësishme, më të bukur: Birin e Tij të dashur ! Pra, Jezu Krishti është dhantia e Hyjit! Kjo dhanti është prova më e madhe e dashurisë që ka për ne Ati ynë që është në Qiell.

R.SH. - Vatikan

Çdo ditё po i afrohemi  Krishtlindjes, e edhe përgatitjen shpirtërore nё kёtё kohë tё Ardhjes, në udhën drejt Betlehemit, vendit ku Jezu Krishti lindi, për të kremtuar denjësisht festёn e takimin tonё me Emanuelin, Zotin-me-ne.

Të gjithë e dinë se Krishtlindja është e kremtja e dhantisë që Zoti i dhuron të gjithë njerëzve, të gjithë banorëve të Tokës, kështu që gëzimi i tyre të shkëlqejë si drita ndër terrinat e natës e të jetës. Hyji na dhuron një shenjë dashurie; na bën dhanti gjënë më të çmuar, më të rëndësishme, më të bukur: Birin e Tij të dashur ! Pra, Jezu Krishti është dhantia e Hyjit! Kjo dhanti është prova më e madhe e dashurisë që ka për ne Ati ynë që është në Qiell.

Betlehemi, drejt të cilit po shtegtojmë, për ta takuar e pranuar Hyjin që Mishërohet, Hyjit që vjen në kohë e në histori, ndodhet ndër malësitë e Judesë; është qyteti ku lindi Davidi, bir barinjsh, që do të bëhej mbreti i madh i Izraelit. Është edhe qyteti i etërve të Shën Jozefit. Ndryshon shumë nga Jerusalemi, kryeqyteti krenar që ndodhet 7 kilometra më në veri të vendit.

Jezusi që lind është shpëtimtari i njerëzimit. Fjala shpëtimtar apo shëlbues, përdorej shumë në atë kohë të largët. E do të përdorej edhe më vonë, deri në ditët tona e në ditët që do të vijnë... Njerëzit kërkonin, kërkojnë, do të kërkojnë një shpëtimtar... Edhe perandori romak asokohe quhej “Shpëtimtari”! Po Jezusi nuk është Perandor. Nuk është shpëtimtar njerëzor! Ai është Mesia, është Zoti!
 
E grazhdi? Të gjithë e dinë se ç’do me thënë grazhd: është vendi ku vihet ushqimi për bagëtitë. Po grazhdi për të cilin po flasim është simbolik, është shtrati i parë i Jezusit, që lindi i varfër ndërmjet të varfërve.

Jezusi i posalindur do ta pushonte shtatin në një grazhd, sepse për të vend tjetër nuk u gjet. Barinjve u jepet pikërisht ky shenj, që të mund ta njohin Zotin: “Do të gjeni një fëmijë që prehet në një grazhd”. E ata shkuan dhe e gjetën.

Po sot, ku ndodhet, që të mundemi ta takojmë edhe ne, që të mundemi ta adhurojmë ? Miq, vëllezër e motra, të shpejtojmë hapin udhës së Betlehemit! Dhantia e Hyjit po vjen përsëri në një grazhd: afrohuni e do ta takoni rishtas Birin e Hyjit, lindur në varfëri. Krishtlindja është për çdonjërin prej nesh.



16 dhjetor 2020, 10:03