Patriku ekumenik i Kostandinopojës,  Bartolomeu Patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu 

Bartolomeu: me shekullarizimin, Krishtlindja e ka humbur ngjyrën

Në Mesazhin kushtuar Krishtlindjes, Patriku ekumenik i Kostandinopojës ndalet tek kuptimi i mishërimit nga ana e një Zoti, që nuk i zhduk fatkeqësitë, por e bën njeriun më njeri. Të shumta, mendimet kushtuar njeriut, që vuan nga koronavirusi; e pasur, analogjia ndërmjet personelit mjekësor dhe klerit: “këmishat e tyre të bardha” janë njëlloj simbol i flijimit e i shpirtit të shërbimit.

R.SH. - Vatikan

Niset nga rrethanat e krijuara prej pandemisë, që po jetojmë, e nga pasojat e masave kufizuese shëndetësore edhe mbi jetën kishtare, mesazhi për urimet e Krishtlindjes i Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu.

Me shekullarizmin, Krishtlindja e ka humbur ngjyrën

“Relacioni më intim i popullit të krishterë me Krishtin, nuk preket nga kushtet e jashtme, të ndryshme, në të cilat kremtohet Krishtlindja 2020”. Me këtë saktësim e hap Patriku Bartolomeu mesazhin e Krishtlindjes, në të cilin nënvizon  se “në shoqërinë e shekullarizuar, Krishtlindja e ka humbur ngjyrën, është bërë festë e konsumizmit, kremtohet sipas mendësisë e shijeve të botës”. Më pas thekson se “festa e krishterë e Lindjes së Krishtit  është akt rezistence përballë shekullarizimit të jetës dhe ligështimit a vdekjes  së  vetëdijes të misterit”.

Nderim për njeriun

Patriku ankohet se “në mishërimin e Logos  zbulohet përmbajtja, objektivi e qëllimi i jetës njerëzore” e shton se “Zoti, më se i përkryer, ekziston si njeri i përkryer, që të mund të ekzistojmë në mënyrën e Zotit”. Duke cituar një tekst të Atanasit të Madh, rikujton kuptimin e mishërimit: “Njeriu – sipas shprehjes së thellë të Shën Gregorit Teolog - është zot i përmbyllur, i gjallë i hyjnuar”. E ky është nderi më i lartë për njeriun - saktëson Bartolomeu - që i jep jetës së tij një vlerë të pashoqe. Në Krishtin, të gjithë njerëzit janë të thirrur për t’u shëlbuar. Në dritën e këtyre  fitoreve, hyn në lojë çka Bartolomeu e quan përmbysje në fushën e antropologjisë, në hjerakinë e vlerave, në vlerësimin e parimeve morale. “Që aso kohe kushdo e prek njeriun, çon dorë kundër vetë Zotit”. E më pas, Patriku nënvizon: “Krishtlindja është e gjithë jeta hyjnore-njerëzore e Kishës, në të cilën  Krishti  jeton vazhdimisht si Ai që ishte, është e do të jetë”. “Ai, që është në krahët e Nënës, është po Ai, që është në gjirin e Atit”, siç shkruan Nikola Cabasilas.

Këmishat e bardha të mjekëve e të kltrit, simbol i shërbimit për të tjerët

“Festojmë Krishtlindjen, duke u lutur për vëllezërit tanë të sëmurë, që janë në rrezik jete” - mendimi i Bartolomeut nuk mund të mos shkojë tek ata që kalojnë netë dhembjesh. Patriku shpreh admirimin e tij për vetmohimin  e mjekëve dhe të infermierëve, si dhe të gjithë atyre që kontribuojnë për ta përballuar pandeminë. I përgëzon ata, që e shikojnë të sëmurin si person të shenjtë e jo si numër, si rast, si send. Ndërsa ai vetë i shikon “këmishat e bardha të mjekëve me të njëjtin sy si shikon rasot e bardha, duke menduar se flasin vetë për mohimin e vetvetes, në shërbim të vëllait, në kërkim të tjetrit” me përkushtim të plotë për atë që vuan.

E thekson akoma se “Krishtlindja  është e gjithë jeta hyjnore-njerëzore e Kishës, në të cilën Krishti jeton vazhdimisht si Ai që ishte, është e do të jetë”.  

25 dhjetor 2020, 17:01