CHRISTMAS-SEASON/ADVENT CHRISTMAS-SEASON/ADVENT  

24 mendime për Kohën e Ardhjes: dita e V e Kohës së Ardhjes!

Kalendari shpejton drejt fundit të vitit 2020. Sytë tanë, të lodhur nga lotët e kësaj kohe të vështirë, tashmë bredhin nëpër vezullimet e dritave të festës, ndezur në të katër anët e globit. Është koha e pandemisë! Por edhe e Pritjes së Zotit. Kohë besimi e ngushëllimi! Është dita e pestë e Kohës së Ardhjes. E enjtja. Zoti po vjen përsëri! Të zgjohemi…

R.SH. - Vatikan

“Errësira, që u dynd mbi ne, na vuri në gjumë. Na mbështolli aq, sa gati e harruam Dritën, e vetmja që mund të na shpëtojë!

Ta zgjedhim e të nisemi në udhët e ndriçuara prej saj: t’i hapim sytë, të zhvishemi nga çdo gjë, që na e pengon hapin drejt Shpellës së Betlehemit! T’i lëmë shpresën e dashurinë ta pushtojnë botën. Ta shërojnë botën!”.

Erdhi koha për t’ia hapur zemrën Zotit e dhuratave të Tij. E kështu duhet të jetë i gjithë viti. Sepse Krishtlindja është vetëm në zemrën e njeriut, që e shpërndan festën në ajrin e gjithësisë!

E atij, që e përhap në mbarë botën jehonën e këngës, e cila tingëllon si ftesë lartuar drejt qiellit të ftohtë, kërcënues të dhjetorit, duke ia rithyer kaltërsinë e ngrohtësinë e humbur të pranverës. Drita afrohet e zemra njerëzore lutet:

“Eja, na mbush me dritën  e mirë,

Eja, të presim e të lutemi fort,

Me ty mbi tokë s’do të ketë më errësirë

E as rrebesh, as sëmundje, as mort!”.

03 dhjetor 2020, 09:56