Vigjilja e “Election Day” në SHBA-të: fiton Trump apo Biden?

Me ide të ndryshme për taksat dhe krizën klimatike, dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë kanë propozime të ngjashme në fushën e politikës ndërkombëtare dhe të ekonomisë së SHBA-ve. Më 3 nëntor, parashikohet pjesëmarrje e jashtëzakonshme në votimet për zgjedhjen e presidentit amerikan.

R.SH. - Vatikan

Ditë votimi nesër, 3 nëntor, në SHBA-të. Kandidati republikan, presidenti aktual Donald Trump, sfidohet nga kandidati i demokratëve, Joe Biden, në zgjedhje, ku parashikohet të marrin pjesë më se 150 milion vetë, siç nuk ndodh prej kohësh. Më se 90 milion kanë votuar tashmë përmes postës, me procedurën e “votimit paraprak”. Pavarësisht nga sondazhet e fundit, të cilat dëshmojnë avantazhin e Biden, megjithëse me një diferencë, që është zvogëluar javën e fundit, bën përshtypje ekstremizimi i debateve politike dhe fenomeni i lajmeve të rreme: në tre muajt e fundit janë raportuar 6.000 faqe me “fake news”. Kisha Katolike në SHBA-të vijon të bëjë thirrje që të ruhet përmasa e dialogut.

Kush vendos për presidentin?

Në SHBA-të, zgjedhja e presidentit, në të vërtetë, nuk është e drejpërdrejtë. Votojnë të gjithë, por ata që vendosin janë 538 të ashtuquajturit “Zgjedhës të Mëdhenj”, të cilëve u takon detyra për të caktuar njeriun, që do të ngjisë shkallët e Shtëpisë së Bardhë. Vendimtare, disa shtete si Florida, Arizona dhe Ohajo. Edhe gjatë zgjedhjeve të fundit, në vitin 2016, kandidatja e demokratëve, Hillary Clinton, pati marrë 3 milion vota më shumë se Trump, por nuk fitoi. Pandemia, ekonomia dhe çështja raciale, ndër temat e nxehta të debatit politik, që do të përcaktojnë presidentin e ri të SHBA-ve.

Propozimet për koronavirusin dhe shëndetësinë

Përsa i përket pandemisë, presidenti aktual Trump është shprehur gjithnjë kundër detyrimit për të mbajtur maska, duke ua lënë vendimin për përdorimin e tyre e për testet diagnostike çdo shteti individualisht. Trump, madje, ka folur edhe për një dalje të mundshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ka mbajtur qëndrim kundër reformës shëndetësore të Barack Obama-s, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë t’i japë fund. Gjithsesi, akoma nuk ka paraqitur asnjë plan alternativ.

Programi i kandidatit demokrat parashikon qëndrime diametralisht të kundërta me ato të Trump. Biden synon ta bëjë të detyrueshme përdorimin e maskave në gjithë vendin, si edhe t’i administrojë diagnostikimet në nivel qendror, duke shtuar numrin e tamponeve. Sfiduesi demokrat, pa dyshim, është në favor të “Obamacare”, projektin e të cilit dëshiron ta vazhdojë dhe natyrisht, nuk ka ndërmend të dalë nga OBSH-ja.

Qëndrimet për taksat dhe për politikën e brendshme e të jashtme

Ndoshta, e vetmja pikë në të cilën dy kandidatët bien dakord, është rritja e pagës minimale në 15 dollarë në orë për të gjithë punëtorët amerikanë. Përsa i përket politikës së brendshme, Trump ka qenë dhe është në favor të dënimit me vdekje, të privatizimit të burgjeve dhe të lirimit me kusht. Në fushën e politikës së jashtme, kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka ashpërsuar marrëdhëniet me Kubën, duke ndaluar udhëtimet private; dëshiron të vazhdojë mbështetjen e Arabisë Saudite në konfliktin e Jemenit; përkrah marrëveshjet e arritura gjatë mandatit të tij, ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe; është në favor të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.

Ndërkaq, në fushën e ekonomisë, kandidati demokrat parashikon penalizime për ndërmarrjet, që prodhojnë jashtë SHBA-ve, për të shfrytëzuar krahun më të lirë të punës, por pastaj, i shesin prodhimet e tyre në tregun e brendshëm. Gjithashtu, dëshiron t’u japë më tepër rëndësi shpenzimeve për përballimin e krizës klimatike. Biden ka premtuar se nuk do t’u rrisë taksat atyre, që fitojnë më pak se 400 mijë dollarë në vit. Gjithashtu, është kundër dënimit me vdekje, privatizimit të burgjeve dhe lirisë me kusht, që sipas tij, shkakton pabarazi në trajtim, mbi bazën e të ardhurave. Përsa i përket politikës ndërkombëtare, Biden mendon se i duhet dhënë fund ndërhyrjes në Jemen, por e mendon njëlloj si Trump për Afganistanin dhe për traktatet Izrael-Emirate.

Qëndrimet e dy sfidantëve për klimën

Temë tjetër e rëndësishme për të cilën ka pasur mjaft debat ndërmjet dy kandidatëve, është ajo e klimës: Donald Trump nuk beson në krizën klimatike dhe dëshiron të dalë nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, që parashikon uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit. Diametralisht i kundërt, qëndrimi i Joe Biden, i cili propozon një marrëveshje të re për ambientin prej 2 miliard dollarësh. Votuesve të nesërm, gjykimi se cili nga programet është më i përshtatshëm për të qenë president i SHBA-ve.

02 nëntor 2020, 12:53