Kërko

Vatican News
Manifestim për mbrojtjen e fes në Sudan Manifestim për mbrojtjen e fes në Sudan  (AFP or licensors)

Shtohet në botë intoleranca fetare

Pew Research Center e Washingtonit analizon situatën në një botë, ku shtohen vazhdimisht kufizimet, që u imponohen bashkësive fetare.

R. SH. - Vatikan

Vijon të shtohet intoleranca fetare në botë, posaçërisht kundër të krishterëve e myslimanëve, që mbeten të parët në listën e grupeve fetare në shënjestër të qeverive ose në atë të viktimave të armiqësive shoqërore. Këtë thekson studimi i fundit, publikuar nga Pew Research Center e Washingtonit, institut i mirënjohur amerikan i kërkimeve dhe sondazheve, që jep informacione për problemet shoqërore, opinionin publik dhe të dhënat demografike mbi SHBA- në e botën.

Të dhënat, hollësisht

Sipas të dhënave, mbledhur në vitin 2018, të krishterët zënë vendin e parë  në listën e bashkësive fetare më të përndjekura: vend, që vijojnë ta kenë që nga studimi i parë i realizuar nga Qendra, në vitin 2007. Nga 2017-ta  deri në 2018-tën, numri i vendeve ku vërehen qëndrime të ndryshme armiqësore nga 143 që ishin, ka arritur në 145. Të krishterët zënë vendin e parë. Pas tyre vijnë myslimanët, hebrenjtë dhe grupet e tjera fetare, ndjekëse të feve tradicionale: hinduistët, budistët dhe bashkësitë, që nuk bëjnë pjesë në asnjë traditë fetare.

 Në 198 Shtete të marra në shqyrtim, të krishterët kufizohen dhe  keqtrajtohen në mënyra nga më të ndryshmet prej 124 qeverive. Paraprihen, në këtë rast, nga myslimanët, që vuajnë në 126 shtete. Vendet ku të krishterët merren më shumë nëpër këmbë janë 104 – myslimanët, 103.

Shtohen vazhdimisht kufizimet

Parë në përgjithësi, gjatë 11 viteve u regjistrua një shtim i ndjeshëm i kufizimeve, imponuar bashkësive fetare nga shtetet e ndryshme: në vitin 2018 këto kufizime u rritën  nga 0 pikë, në 10, duke arritur në pikën më të lartë në vitin 2007. E kjo ndodh më shumë nën regjimet diktatoriale. Ndër dhjetë vendet, ku  ndjehen më fort qëndrimet armiqësore kundër feve, spikasin në mënyrë të veçantë tre: India, Sri Lanka e Izraeli. Po shkeljet dhe kufizimet që pësojnë bashkësitë fetare nuk mungojnë as në demokracitë. Vendet e klasifikuara si demokraci në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, që mbajnë qëndrime armiqësore kundër bashkësive të ndryshme fetare, i gjen në gjithë Evropën. E pikërisht në Danimarkë, në Gjermani, në Hollandë, në Zvicër e në Mbretërinë e Bashkuar, ku episodet e intolerancës vijojnë të shtohen ndjeshëm. Fenomen ky, nga i cili nuk shpëtojnë as SHBA-të që, në klasifikimin e Pew Research Center, radhiten ndërmjet vendeve me kufizime të moderuara.

Shqetësuese, Lindja e Mesme dhe Afrika

Rajonet me më shumë kufizime qeveritare janë Lindja e Mesme dhe Afrika veriore, me një mesatare pikësh 6.2 mbi 10. Këtu vërehen edhe kufizimet më të rënda kundër të krishterëve. Gjithsesi, qendrimet më armiqësore fetare regjistrohen në Azi, ku kalojnë nga mesatarja e 3,8 pikëve në vitin 2017, në 4,4 pikë në 2018-tën, me një kulm prej 9,3 pikësh në Kinë (8,9 në 2017-tën). Ndërmjet vendeve, që vijojnë t’i shtojnë kufizimet dhe shpërdorimet kundër feve, spikasin Koreja e Jugut dhe Salvadori. Në këtë të fundit, bashkësitë e krishtera janë gjithnjë më shumë viktima të sulmeve nga ana e kriminalitetit të organizuar. Edhe në Nikaragua po thellohen gjithnjë më shumë tensionet ndërmjet Kishës dhe qeverisë. Posaçërisht pas ngjarjeve të fundit, po shkelen gjithnjë më shumë të drejtat e njeriut edhe kundër bashkësive fetare.

Lidhur me qëndrimin armiqësor social kundër feve, është “i lartë” dhe “shumë i lartë” në 16 vende evropiane, 14 në zonën aziatike e  të paqësorit e 11, në rajonin e Lindjes së Mesme dhe atë Veriafrikan.

13 nëntor 2020, 14:22